
Niveli i ndotjes në Tiranë është reduktuar me 30% në 8 muaj. Pas gati një dekade, kur kryeqyteti është etiketuar si një nga më problematikët në Europë për cilësinë e ajrit, më në fund për shëndetin e qytetarëve vijnë lajme të mira. Shifrat e fundit u bënë publike dje në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas tij, nga 15 nëntori i vitit të kaluar e në vazhdim vërehet ulje e nivelit të përmbajtjes së grimcave të imta PM10 e PM2.5 në masën 30 për qind në qendër të Tiranës, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Kjo do të thotë më pak alergji, më pak sëmundje respiratore dhe më pak sëmundje onkologjike. Natyrshëm që këto rezultate të marra në Tiranë nuk janë të rastësishme, por si pasojë e një ridisiplinimi të trafikut, rikthim të hapësirave të gjelbra në këta dhjetë muajt e fundit”, tha ministri Vasili. Apel për një Shqipëri më të gjelbër bëri dje edhe ambasadori i BE-së në vendin tonë, Etore Sekui, gjatë konferencës së organizuar nga Ministria e Mjedisit. Kreu i këtij dikasteri theksoi se shumë shpejt do të krijohet një inspektorat për çështjet e mjedisit. Sipas tij, ka filluar projekti i ndarjes së mbetjeve, ndërsa ka shtuar se është rritur edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve ndaj mjedisit.











