
Reagimi i Njësisë Mbikëqyrëse të Lojërave të Fatit për evazionin e bixhozit.
Ligji e përgënjeshtron, Çobaj verifikon të gjitha detyrimet.
Pas denoncimit në gazetë për uljen e të ardhurave dhe rritjen e pikave të bixhozit në të gjithë Shqipërinë, dje ka reaguar Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Në një njoftim për shtyp, NJMLF pretendon se mbledhja e të ardhurave nuk është detyrë e saj, por e Drejtorisë së Tatimeve. Por po të shikosh ligjin, del qartë se është NJMLF ajo që duhet të kontrollojë dhe të saktësojë sasinë e detyrimeve që paguajnë bizneset e bixhozit. Nga ana tjetër, NJMLF, në reagimin e vet, jep të dhëna të ndryshme lidhur me realizimin e të ardhurave, duke nënvizuar se paratë e grumbulluara, edhe pse ajo pretendon se këtë nuk e ka për detyrë, janë rritur nga muaji në muaj.
Detyra e tatimeve
Njësia tregon se detyra e saj ligjore është mbikëqyrëse. Duke përmendur ligjin, reagimi citon se: Detyra e NJMLF-së nuk është mbledhja e të ardhurave tatimore qofshin këto edhe “Tatim për Lojërat e Fatit”. Detyrat e NJMLF-së janë të përcaktuara në nenin 13 të ligjit nr.10033 datë 11.12.2008 “Për lojërat e fatit”, i ndryshuar, në të cilin përcaktohet që: “NJMLF mbikëqyr dhe kontrollon veprimtarinë e subjekteve, që organizojnë lojëra fati, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin për këtë veprimtari dhe aktet nënligjore në fuqi”.
Sipas njoftimit, NJMLF licencon subjektet sipas parashikimeve ligjore dhe certifikon aparatet elektronike të lojërave të fatit. Më pas vjen edhe ndarja e detyrave, ku NJMLF i referohet ligjit për procedurat tatimore, se janë Tatimet dhe jo ata që duhet të mbledhin të ardhurat. “Ligji nr.9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ngarkon administratën tatimore për mbledhjen e të ardhurave tatimore, në zbatim të nenit 14 të këtij ligji. Pranë këtij institucioni mund të merrni dhe të dhëna të mëtejshme mbi të ardhurat për këtë lloj tatimi. Ndërsa NJMLF me dhënien e lejeve për hapjen e sallave të reja kalkulon detyrimin tatimor, i cili paguhet pranë administratës tatimore. Konceptin e “detyrimit tatimor” e gjeni të shpjeguar saktë në ligjin e mësipërm, nenin 6-të të tij.”
Përplasja
Por duket se në reagimin e djeshëm të NJMLF nuk janë thënë të gjitha ato që parashikon ligji. Në nenin 13 të ligjit “Për lojërat e fatit” saktësohet edhe funksioni i NJMLF për zbatimin e ligjit. Në pikën e dytë të këtij neni theksohet që NJMLF jo vetëm që kontrollon, por edhe vendos gjoba deri në bllokim ndaj subjekteve. Qartësisht rezultatet e të ardhurave varen nga kontrollet e kësaj njësie. Ligji parashikon gjithashtu se është NJMLF ajo që duhet të mbajë regjistra me të gjitha të dhënat e bizneseve të bixhozit, për numrin e automateve, numrin e punonjësve, numrin e biletave të bingove, numrin e ruletave. Pikat “dh” dhe “e”, të nenit 13 të ligjit, i japin edhe një atribut tjetër NJMLF. Kjo njësi, sipas këtyre pikave, ka të drejtë të kontrolloje dhe verifikojë shlyerjen e detyrimeve dhe deklarimet mujore të organizatorëve. Ndërsa pika “ë” i jep NJMLF mundësinë të kontrollojnë edhe fitimin nga lojërat e fatit.
Në reagimin e saj, NJMLF ka të drejtë vetëm për pagesën. Vërtet pagesa bëhet te Tatimet, por sipas ligjit, tatimet marrin si të mirëqena vetëdeklarimet e bizneseve të bixhozit sipas listave dhe të dhënave që vijnë nga NJMLF. Është kjo e fundit, që kontrollon dhe verifikon nëse pagesat janë konform numrit të sallave, kompjuterave, apo mënyrave të tjera të lojërave të fatit. Vetëm NJMLF është krijuar si njësi e pavarur nga Tatimet e Doganat, apo edhe nga Ministria e Ekonomisë, pikërisht për të bërë këtë detyrë. Organet tatimore apo të tjera fiskale nuk kanë të drejtë të bëjnë vlerësim tatimor për xhiron e bizneseve të lojërave të fatit, pasi të dhënat dhe pagesat fikse vijnë nga NJMLF. Ligji parashikon se është NJMLF ajo që ndjek pagesat e detyrimeve nga bizneset dhe ajo që bën deri bllokimin e llogarive bankare, në rast se nuk janë paguar detyrimet. Neni 47, pika “g”, qartëson se përgjegjësia për verifikim është totalisht e NJMLF dhe se reagimi i djeshëm është veç një tentativë për përhapjen e përgjegjësive. NJMLF e fundit vendos gjoba deri në mbylljen e biznesit, kur vërehet se deklarimet e bëra në NJMLF nuk përputhen me deklarimet e bëra në organet tatimore.
Të ardhurat
Ndonëse NJMLF ia hedh topin Tatimeve për dështimin e të ardhurave, më poshtë, në reagimin e saj tregohen shifrat se të ardhurat nga bixhozi janë rritur nga muaji në muaj. “Ju informojmë se si rezultat i punës së mirë të NJMLF-së, gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2012 është rritur numri i deklarimit të kazinove elektronike dhe pikave të basteve sportive të licencuara, krahasuar me të njëjtët muaj të 4-mujorit të parë 2011 dhe, si rezultat, janë rritur edhe detyrimet tatimore të këtyre subjekteve. Në krahasim me 4-mujorin e parë të vitit 2011, detyrimet tatimore kanë një rritje progresive nga muaji në muaj. Detyrimet tatimore nga shtatori 2011 janë rritur dhe vazhdojnë të rriten edhe për 4-mujorin 2012”, thuhet në pjesën e dytë të reagimit të NJMLF.
Përplasja e shifrave
Gazeta përballi për dy ditë të dhënat e marra zyrtarisht nga NJMLF për rritjen e numrit të sallave dhe pikave të bixhozit me të dhënat e Ministrisë së Financave për të ardhurat e grumbulluara nga ky biznes. Dje në reagimin e vet, NJMLF tregoi shifra të ndryshme. Kështu, sipas shifrave të NJMLF, në muajin janar 2011 janë grumbulluar 433.8 milionë lekë, ndërkohë që sipas shifrave të financave në janar 2011 janë grumbulluar 440.1 milionë lekë. Shifra ndryshon me ulje, pra në Thesar janë derdhur sipas NJMLF më pak para. Ndërkohë që për janarin 2012, kohë kur në punë është drejtori i ri, Besnik Çobaj, shifrat ndryshojnë me rritje. Sipas Ministrisë, në Thesar janë derdhur 429.9 milionë lekë, ndërsa sipas NJMLF 436.1 milionë lekë. Çuditërisht, shifrat që janë lehtësisht të verifikueshme në buxhetin e shtetit ndryshojnë, negativisht në kohën kur drejtor nuk ishte Çobaj dhe pozitivisht kur drejton ai…
NERTILA MAHO
© Panorama.al











