
Përcillet në varrezat e qytetit të Korçës, jo pranë varrit të gruas.
I moshuari copëtoi me sëpatë 42-vjeçaren.
Varroset në Korçë Gaqo Dumka, autori i vrasjes së 42-vjeçares Liljana Arapi, i cili nuk arriti të marrë dënimin për krimin makabër të kryer prej tij. Paraditen e së dielës, 84-vjeçari është varrosur pa asnjë ceremoni të veçantë dhe me prezencën e pak të afërmve. Pas tërheqjes së trupit nga spitali i burgjeve në Tiranë, vajza e Dumkës, Marjana Trebicka, ka organizuar varrimin e menjëhershëm të të atit. Mësohet se menjëherë pas sjelljes së trupit ai është shoqëruar nga një numër i vogël të afërmish për në banesën e fundit, pa u kryer ritet mortore sipas traditës. Edhe pse pjesën më të madhe të jetës Gaqo Dumka, i cili vrau dhe më tej copëtoi trupin e pajetë të Liljana Arapit, e kaloi në Dardhë, ai nuk është varrosur në fshatin e tij të lindjes ku ndodhet edhe varri i bashkëshortes. Pengesa më e madhe duket se ka qenë për shkak të motit të keq, si rrjedhojë e të cilit ka qenë i pamundur transportimi. Rruga e hapur vetëm më një

kalim dhe lëvizja e detyrueshme me zinxhirë që të çon drejt Dardhës, ka qenë një pengesë për automjetin që duhet ta transportonte arkëmortin, duke bërë që Dumka të varroset në qytetin e Korçës.
Burime zyrtare nga Policia bëjnë me dije se me vdekjen e Dumkës nuk ka më një dosje për vrasjen e Liljana Arapit. Edhe pse pas identifikimit të autorit çështja kaloi plotësisht në duart e organit të akuzës, tashmë ajo është mbyllur.
Edhe pse prej momentit kur u akuzua për vrasjen, e vetmja që i ka qëndruar pranë përmes vizitave të herëpashershme dhe përkujdesjeve të ndryshme ka qenë vajza e tij Mariana, pas varrimit të afërmit shprehen ende të dyzuar për autorësinë e krimit. Sipas V.G., njërit prej të afërmve të të moshuarit, ngjarja fillimisht ka qenë e pabesueshme, por shkaku kryesor që mund ta ketë çuar Dumkën drejt një veprimi aq kriminal mund të ketë qenë humbja e kontrollit të tij.
Si e përshkruani të ndjerin?
Unë nuk është se kam pasur marrëdhënie shumë të ngushtë, por prindërit e mi shpesh flisnin për të me respekt. Xhaxhi Gaqon, sidomos pas ngjarjes, prindërit ma kanë përshkruar si njeri të kujdesshëm e të respektuar dhe ende nuk do ta besonim nëse ai nuk do ta kishte pranuar që e kreu krimin.
Ju keni kontaktuar me ndonjë nga fëmijët e tij?
Po, disa herë familjarisht jemi përpjekur të ngushëllojmë Marjanën, pasi ajo e ka përjetuar më tepër këtë ndodhi. Ajo nuk ka dashur ta pranojë se Gaqo mund të ketë bërë diçka të tillë, vetëm nëse ka pasur probleme psikologjike. Të njëjtin mendim ndajmë të gjithë, një krim të tillë mund ta bëjë një njeri që s’di se ç’bën, që ka shqetësime nga skleroza.
A ka ndonjë ngushëllim që do t’i përcillnit familjarëve të viktimës?
Jo. Dëshira nuk na mungon, por mendoj se për ta nuk ka ngushëllim dhe as për xhaxhi Gaqon falje.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











