
Flet kandidati për rektor në Universitetin e Elbasanit.
“Dixhitalizim të shërbimeve dhe bibliotekës për studentët e pedagogët tanë”
Liman Varoshi, rektori aktual i universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, është sërish kandidat për një mandat të dytë për të drejtuar institucionin, që rrënjët i ka te “Normalja” e Elbasanit. Edhe pse nuk ka një kandidat tjetër përballë, sfida e tij është me veten.
Duket se mandati i dytë i tij, bazuar tek platforma që ka paraqitur, do të lërë gjurmë në këtë universitet, si nga ana infrastrukturore, ashtu dhe nga ajo kërkimore, shkencore e pedagogjike. Ndërtimi i kampusit të ri universitar në një hapësirë prej 20 hektarë në periferi të qytetit, shndërrimi i universitetit në një ambient të kërkimit shkencor, dixhitalizimi i shërbimeve për studentët dhe pedagogët, por dhe biblioteka dixhitale, janë prioritetet që rektori Varoshi po u prezanton këto ditë pedagogëve dhe studentëve për t’i arritur gjatë periudhës 2012-2016.
Zoti Varoshi, cilat janë sipas jush prioritetet që do të ndjekë universiteti “A. Xhuvani” në 4-vjeçarin e ardhshëm?
Strategjia e zhvillimit të universitetit “A. Xhuvani” për 4-vjeçarin e ardhshëm është vazhdimi i punës së nisur që në vitin 2008, sigurisht në një stad të ri që mbështetet në arritjet jo të zakonta që ne kemi pasur, qoftë në zhvillimin infrastrukturor, qoftë në hapjen e një numri programesh të ciklit Master e Doktoraturë, apo dhe në kërkimin shkencor. Në këtë kontekst, filozofia e veprimtarisë sonë për vitet 2012-2016 do të përqendrohet jo vetëm në vijueshmërinë cilësore të një pune të nisur, por edhe në trajtimin dhe zgjidhjen në kohë të problemeve të tilla si: dhënia e profilit kërkimor institucionit tonë universitar, krijimi dhe vënia në veprim e strukturave funksionale, përmirësimet e dukshme cilësore të infrastrukturës dhe standardizimi cilësor e bashkëkohor i rekrutimit të profesoratit të ri.
Qyteti i Elbasanit, dhe sidomos universiteti “A. Xhuvani”, kanë qenë të njohur dhe tashmë kanë statusin publik të “kryeqendrës” së përgatitjes së mësuesve. Me zhvillimin e degëve të reja, cili është vizioni juaj sa i përket lidhjes së veprimtarisë universitare me nevojat dhe kërkesat e tregut të punës?
Në drejtim të vijueshmërisë cilësore të një pune të nisur, hartimi dhe përvijimi i kurrikulave në përputhje me politikat e tregut do të mbetet sërish prioritar edhe për katër vitet e ardhshme. Për këtë, në hartimin e tyre do të reflektohet në vazhdimësi përvoja e suksesshme e universiteteve perëndimore, udhëzimet e herëpashershme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si dhe ndjekja hap pas hapi e të gjitha zhvillimeve socialo-ekonomike, kulturore, shpirtërore etj., në krejt rajonin dhe më gjerë. Vetëm në këtë mënyrë do mund të ruajmë koherencën dhe cilësinë e krejt procesit mësimor-kërkimor dhe t’i afrohemi së tepërmi homologëve tanë europiane. Po kështu, marrja e ekskluzivitetit në rrafsh kombëtar i procesit të përgatitjes dhe formimit të mësuesve të suksesshëm do të vijojë të jetë synimi ynë madhor. Në Fakultetin e Shkencave të Edukimit ekzistojnë dhe funksionojnë të gjithë masterat profesionalë për përgatitjen e mësuesve. Kurrikula e hartuar në këtë rast reflekton në një masë të konsiderueshme përvojën e Universitetit të Helsinkit, i cili rezulton sot më i miri në tregun e formimit dhe përgatitjes së mësuesve. Kjo kurrikul është e shtrirë në tre semestra dhe ofron 90 kredite. Për më tepër, universiteti “A. Xhuvani” është përcaktuar nga MASH-i si universitet pilot, ku do të implementohet përvoja e Universitetit të Helsinkit. Në funksion të shndërrimit të institucionit tonë në qendër kombëtare të formimit dhe përgatitjes së mësuesve, veprimtaria jonë në vitet 2012-2016 do të fokusohet në këto drejtime kryesore:
Përmes hallkës së “agjentëve të ndryshimeve” do të vendosim kontakte me drejtoritë e atyre shkollave ku rezultojnë të punësuar mësuesit e diplomuar në universitetin tonë; Përmes këtyre kontakteve dhe testimeve që do të kryhen, do të informohemi mbi produktivitetin e punës së tyre; Rezultatet e nxjerra nga këto vëzhgime të drejtpërdrejta do të shërbejnë si pikë e rëndësishme reference e orientimit të punës sonë në të ardhmen. Kjo, sepse këto rezultate do të dëshmojnë nëse tregu është i tejngopur, apo kurrikula që përdorim në formimin e mësuesve paraqet defekte;
Në funksion të përftimit të praktikave profesionale funksionale me studentët e nivelit Master Profesional do të kalojmë që këtë vit akademik në implementimin e përvojave më të përparuara e të suksesshme që vërehen në këtë fushë.
Z. Varoshi, është krijuar përshtypja se, në përgjithësi, universitetet shqiptare janë kthyer në qendra mësimdhënëse dhe janë shumë larg asaj që duhet t’i karakterizojë si universitete, pra janë larg veprimtarisë së vërtetë shkencore dhe studimeve. Çfarë vendi do të zërë hulumtimi shkencor në 4 vitet e ardhshme në universitetin tuaj?
Sot, universitetet nuk mund të kuptohen pa përbërësen kërkimore-shkencore. Aktualisht, universiteteve u besohet jo vetëm përgjegjësia e zgjidhjeve të problemeve të kërkimit elitar, por edhe ajo e propozimit të zgjidhjeve për situatat që jetojnë shtetet dhe popujt. Lidhur me këtë, ka qenë në strategjinë tonë të punojmë duke konverguar mësimdhënien me kërkimin brenda universitetit “A. Xhuvani”. Arritja më e rëndësishme e deritashme është plotësimi i cikleve të studimit në tri shkallët e njehsuara në bashkësinë europiane: L-M-D Bachelor, Master, Doktoratë. Ky proces sigurisht ka përpara perspektivën e plotësimit në shkallën makro dhe në nivel infrastrukturor. Ne na u vërtetua se sa e dobishme shkencërisht ishte krijimi i diplomës Master i Shkencave në “Trashëgimi Kulturore”, duke bashkuar në një titull formimi kandidatë nga disa profile, si Historia, Etnologjia, Arkeologjia, Gjuhësia dhe Letërsia. Gjithashtu, funksionale rezultoi dhe krijimi i diplomës Master i Shkencave në “Mbrojtje Mjedisi”, i cili bashkoi në një titull formimi kandidatë nga Biologjia, Kimia, Agronomia dhe Inxhinieria e Mjedisit. Por, në pikësynimin tonë është të shtohet numri i titujve të diplomave konkurrente në shkallë kombëtare, si për nivelin master, ashtu edhe për atë doktoratë, duke përfshirë fusha që janë në traditën e personaliteteve të kulturës së Elbasanit dhe të Shqipërisë, si mësuesia, historia e feve dhe e qytetërimeve, historia e shkrimeve, filologjia e tekstit, sociolinguistika dhe psikologjia e gjuhës etj. Në mënyrën se si e kuptojmë ne plotësimin e shkallëve të formimit universitar e pasuniversitar, është edhe qëllimi që një brez i ri studiuesish të formohet dhe të konvergojë me profesoratin e tanishëm, por edhe të konkurrojë e të bëjë presion mbi ata që janë të formuar, duke synuar përfundimisht prishjen e rrethit fiktiv midis studentit dhe kërkuesit. Mund të pohojmë se rezultatet e para të konkurrencës midis një brezi të ri që formohet në universitetin tonë dhe në universitetet e tjera tashmë e kemi të konfirmuar, por është në përgjegjësinë tonë të kuptojmë se shkalla e tretë e formimit, akreditimi për Doktoraturën, është certifikimi i këtij universitetit si qendër kërkimore. Ne kemi marrë iniciativën e krijimit të disa qendrave kërkimore, sikurse janë ato me karakter albanologjik-ballkanologjik, në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe në atë të didaktikës. Mirëpo, puna jonë në vijimësi do të fokusohet në shndërrimin e tyre në qendra vepruese. Për më tepër, në këtë drejtim ne do të implementojmë modelet europiane, sipas të cilave, pranë çdo universiteti ekziston dhe një institut i profilizuar, dhe në rastin tonë, ne do të bëjmë realitet krijimin dhe funksionimin e Institutit të Ekselencës Didaktike dhe atë të Studimeve Albanologjike-Ballkanologjike. Qëllimi ynë për të afruar pranë universitetit “A. Xhuvani” personalitete të dijes dhe të kërkimit është në rrugë të mbarë, megjithëse na është dashur të bëjmë sakrifica, sidomos në aspektin financiar. Ne mund të mburremi se kemi si partnerë parësorë Qendrën Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike, Universitetin e Tiranës, Universitetin e Bochum-it, Universitetin e Poitiers, Universitetin e Kalabrisë dhe qendra të tjera studimore e kërkimore.
Lidhur me infrastrukturën e universitetit, cilat pritet të jenë përmirësimet e mundshme që do të ndikojnë edhe në cilësinë e mësimdhënies?
Aktualisht, universiteti “Aleksandër Xhuvani” zotëron nëntë godina, ndërkohë që kalimi në pronësinë e tij të një hapësire prej 20 hektarësh në periferi të qytetit për ndërtimin e kampusit e zgjidh në mënyrë optimale problemin e mjediseve mësimore. Pritet që ndërtimi i kampusit universitar të nisë brenda këtij viti kalendarik. Përveç kësaj, do të synohet pasurimi i mëtejshëm i bazës materialo-didaktike e laboratorike të domosdoshme për zhvillimin e procesit mësimor. Ne do të ndërtojmë një bibliotekë funksionale e cila do të jetë tërësisht dixhitale. Dixhitalizimi i fondit të librit do t’i krijojë mundësi studentëve dhe pedagogëve të aksesojnë në të njëjtën kohë të njëjtin libër. Kërkimet shkencore do të jenë pjesë e materialeve dixhitale të aksesueshme për këdo të interesuar. Implementimi tërësor i projektit të dixhitalizimit të bibliotekës do ta shndërrojë Universitetin e Elbasanit në universitetin e parë publik në Shqipëri, i cili në drejtim të dijes zotëron një teknologji të lartë bashkëkohore e të krahasueshme me universitetet perëndimore. Përveç bibliotekës, shërbimet dixhitale do t’u ofrohen studentëve dhe pedagogëve edhe për çështjet mësimore, të marrjes së temave, të informacionit të saktë për lëndën, mësimin, por dhe vlerësimin e studentëve, duke rritur në këtë mënyrë transparencën në vlerësim.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











