Rreth 23% e familjeve në Shqipëri jetojnë nën nivelin e varfërisë absolute dhe rreth 10% në nivelin e varfërisë ekstreme, që llogaritet në 3.047 lekë për frymë në muaj. Këto janë vetëm disa nga të dhënat e UNICEF-it dhe të një sërë partnerëve të tjerë, mes të cilëve dhe Ministria e Punës, të prezantuara dje. Raporti i fundit, “Reformimi i ndihmës ekonomike: Nga mbijetesa tek investimi për reduktimin e varfërisë”, sjell gjetjet për mënyrën si shpërndahet ndihma ekonomike si dhe përjashtimin social të fëmijëve. Ky studim përgënjeshtron të dhënat e INSTAT-it, të cilat i paraqitën gati dy herë më të ulëta. “Nëse krahasojmë informacionin që sjell studimi mbi ndihmën ekonomike me të dhënat që vijnë nga INSTAT-i, rezulton se numri i familjeve që jeton nën nivelin e varfërisë absolute dhe nivelin e varfërisë ekstreme është më i lartë”, thuhet në studimin kombëtar. Sipas INSTAT-it, 12.4% e popullsisë jeton në varfëri absolute, referuar statistikave të 2008-s. Skema e ndihmës ekonomike ka rezultuar se është abuzive në nivele alarmante. Rreth 59% e familjeve e përfitojnë atë pa të drejtë, ndërsa rreth 47% e atyre që duhet ta marrin janë të përjashtuar. ”Kjo diferencë e thellë ndërmjet gabimeve në përfshirje dhe përjashtime nga skema e ndihmës ekonomike dëshmon për domosdoshmërinë e rishikimit të kritereve teknike të skemës, me qëllim që të arrihet një shpërndarje më e drejtë”, thuhet në raport.
Varfëria ekstreme
Sipas shpërndarjes gjeografike, zonat malore rezultojnë të jenë më të varfrat. Rreth 21% e familjeve jetojnë nën nivelin e varfërisë ekstreme, ndërsa 32% e tyre jetojnë nën nivelin e varfërisë absolute. Në Tiranë niveli i familjeve në varfëri absolute është gjithashtu i lartë, duke kapur shifrën 23%. Në këtë analizë prej nivelit të varfërisë absolute, ku të ardhurat për frymë llogariten 4.891 lekë në muaj, ndërtohen dy nën-nivele të tjera ku bëjnë pjesë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike. ”Mirëqenia në vendin tonë është e shpërndarë në mënyrë të pabarabartë jo vetëm sipas mundësive individuale të familjeve, por edhe nga pikëpamja gjeografike. Rreth 23% e fëmijëve u përkasin familjeve që bëjnë pjesë në grupin më të ulët të shpenzimeve mujore, i cili varijon nga 9.900 lekë në zonat malore, në 19.443 në Tiranë.
Abuzimet me ndihmën ekonomike
Nga rreth 2500 familje të intervistuara, të cilat nuk përfitojnë ndihmë ekonomike, 13% e tyre përfshihen në nivelin më të ulët të shpenzimeve. ”Krahasimi i të dhënave mbi nivelin e ndihmës ekonomike tregon se në nivelet më të ulëta të shpenzimeve përfshihen 2.5 herë më shumë familje përfituese të ndihmës ekonomike sesa familje jopërfituese të kësaj ndihme. Pabarazia ekonomike dhe sociale ndërmjet përfituesve është e thellë”, thuhet në studim. Sipas tij, statistikat flasin për një problem madhor të funksionimit të ndihmës ekonomike dhe asaj sociale në vend. ”Familjet e varfra në vendin tonë nuk mund të përdorin pagesat e dhëna për qëllime sociale për individë.
Raporti
. 65% e fëmijëve që nuk frekuentojnë rregullisht shkollën u përkasin familjeve të varfra
. 57% e fëmijëve që trajtohen me ndihmë ekonomike nuk plotësojnë asnjë nga nevojat themelore të jetesës
. 59% e familjeve e përfitojnë ndihmën ekonomike pa të drejtë
. 47% e familjeve që duhet ta marrin NE janë të përjashtuar
. 23% e familjeve jetojnë nën nivelin e varfërisë absolute
. 10% e familjeve jetojnë nivelin e varfërisë ekstreme
. 32% e familjeve, nën nivelin e varfërisë absolute në zonat malore
. 23% e familjeve në varfëri absolute jetojnë në Tiranë
Përjashtimi social
Rreth 65% e fëmijëve që nuk frekuentojnë rregullisht shkollën, u përkasin familjeve të niveleve më të ulëta të shpenzimeve. Rreth 54,3% e fëmijëve të grupmoshave 6-18 vjeç që nuk e ndjekin shkollën, pranojnë se nuk përballojnë dot shpenzimet. Situata e frekuentimit të arsimit parashkollor paraqitet jashtëzakonisht kritike. ”Rreth 61% e fëmijëve 0-6 vjeç, që u përkasin familjeve të varfra, nuk ndjekin arsimin parashkollor”, thuhet në studim.
Sëmundjet kronike
Përqindja e fëmijëve që vuajnë sëmundje kronike dhe që u përkasin familjeve të grupit më të ulët të shpenzimeve, është 1.2 herë më e lartë se sa niveli mesatar. Ajo llogaritet në 4.6%. Fëmijët që vuajnë nga sëmundje kronike e kanë të vështirë të përfitojnë konsultime mjekësore. Më shumë se 1/5 e tyre s’kanë kryer asnjë ekzaminim dhe shumica e tyre janë nga familjet me të ardhura të ulëta, të cilat në më shumë se 50% të rasteve s’përdorin shërbim shëndetësor.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











