Vareze e kërkon zyrtarisht, Bogdani: Nuk shkoj në Serinë B

Aug 30, 2011 | 13:02

Erjon Bogdani është lojtari shqiptar më i kërkuar për momentin. Edhe pse i ka kaluar 34 vjeç, ai mbetet sërish një nga të preferuarit në merkaton italiane. Teksa duhen edhe pak orë nga mbyllja zyrtare (31 gusht ora 00:00), sulmuesi është kërkuar zyrtarisht edhe nga skuadra e Varezes, e cila militon në Serinë B. Drejtuesit e këtij klubi i kanë bërë një ofertë zyrtare Çezenës për futbollistin shqiptar, duke i ofruar këtij të fundit një kontratë 2-vjeçare dhe një vend stabël në formacion. Mirëpo, përpara se të marrin OK-in e Çezenës, krerët e Varezes nuk i kanë punët në vijë me Bogdanin, i cili ka theksuar dje për “Panorama Sport” se nuk ka ndër mend që të zbresë një kategori më poshtë. “Nuk ka shanse të kaloj në një klub të Serisë B. Jam në dijeni të kësaj oferte, por do të vazhdoj të luaj në Serinë A. Edhe vetë presidenti i Çezenës nuk dëshiron që të më lërë të lirë për një klub të Serisë B. E reja më e fundit është se Çezena ka shfaqur dëshirën për të më bërë edhe një vit tjetër kontratë, çka do të thotë dyvjeçare, megjithatë kjo do shihet nëse do të bëhet gjë sot ose nesër”, ka pohuar Bogdani, i cili ndodhet aktualisht i grumbulluar me Kombëtaren shqiptare në hotel “Dyrrah”, në Durrës. Ndërkaq, veç Varezes, për Bogdanin ka shfaqur interes edhe Kaljari, ku aktualisht ka kaluar në drejtim si trajner Fikadenti, tekniku që e mori vjet sulmuesin shqiptar nga Kievo te Çezena. Një fakt të tillë e ka pohuar edhe vetë Bogdani, por duke sqaruar se nuk ka përfunduar ende asgjë, pasi palët nuk e kanë mbyllur të paktën parimisht marrëveshjen. “E pranoj se interesim konkret ka edhe nga Kaljari, si edhe nga Atalanta e Siena. Por, me asnjërën prej këtyre skuadrave nuk ka ende një marrëveshje. Të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim. Gjithsesi, një gjë është e sigurt, që do qëndroj në Serinë A”, ka përfunduar Bogdani.

© Panorama.al

Te lidhura