Fluks pacientësh në gjendje të rëndë shëndetësore nga hipertensioni i zemrës. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në rang vendi janë raportuar deri në 150 pacientë në ditë. Kreu i ISHP-së, Enver Roshi, theksoi se fluksi i urgjencave ka qenë i lartë edhe për virozat e stinës. “Numri i rasteve të paraqitura dhe që kërkojnë ndihmë në shërbimet e urgjencës janë ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës apo sëmundje të tjera kronike. Sipas raportimeve që kemi, numri arrin deri në 100. Ka ditë që numri arrin 120, maksimumi deri në 150 raste. Trendi i sëmundjeve diarretike në javën që mbyllem, ishte rreth 3500 raste. Pjesën më të madhe nga të gjitha rrethet e vendit e zënë fëmijët”, tha ai. Roshi në raportimin e tij ka theksuar se nuk ka pasur raste të reja të të prekurve nga virusi i Nilit apo etheve hemoragjike. Ata pak persona që u prekën disa javë më parë, janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa kanë këshilluar sërish përfaqësuesit e pushtetit vendor të dezinfektojnë vatrat ku mundësitë e përhapjes së këtyre viruseve janë më të larta.











