
Hetimi për incidentin, objekti u harrua nga një i ri që kthehej nga pushimet.
Tiranë, dyshimi për bombë, çantës i del pronari pas kontrollit.
Një valixhe me rroba, e harruar aksidentalisht në një rrugicë përballë Ambasadës Amerikane, alarmoi dje Policinë e Tiranës. Valixhja iu nënshtrua një shpërthimi të kontrolluar nga policia, i cili dëmtoi edhe rrobat që ndodheshin brenda saj, por pak minuta më pas u mësua se ngjarja nuk kishte qenë serioze. Në një interval kohe prej 45 minutash, dhjetëra forca policie nga Komisariati Nr.1, Krimet e Rënda dhe Njësia Antieksploziv kanë bllokuar zonën, duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve dhe të makinave. Valixhja është konstatuar rreth orës 14:15 dhe paniku për një bombë të mundshme është mbyllur në orën 15:00, kur nga manovra e ekspertëve xhenierë, që kryen hapjen me shpërthim në distancë të valixhes, u hodhën në erë vetëm rrobat që ndodheshin brenda saj. Në këtë rast “i dëmtuari”, edhe pse vetëm me disa rroba të shkuara dëm, ishte një 30-vjeçar me iniciale E.D., nga Tirana, banues në pallatin poshtë të cilit ishte valixhja e dyshimtë, i cili sapo ishte kthyer nga pushimet. “Nga verifikimet e mëtejshme të policisë rezultoi se çanta ishte lënë aty nga banori i rrugës “Dervish Hima”, Tiranë, shtetasi me iniciale E.D., 30 vjeç, i cili sapo ishte kthyer nga plazhi dhe kishte qenë duke transportuar bagazhet e tjera për në banesën e tij, e ndodhur në katin e tetë të një pallati aty pranë”, shpjegoi dje zyrtarisht Policia e Tiranës. Por, aq minuta sa ka bërë 30-vjeçari për të ngjitur pjesën e parë të bagazheve në shtëpi, kanë qenë të mjaftueshme për të përhapur alarmin e dyshuar për bombë, nga ana e disa kalimtarëve që kanë lajmëruar në sallën operative të Policisë. Ngjarja është regjistruar rreth orës 14:15 të pasdites në rrugën “Dervish Hima”, e cila lidh Rrugën e Elbasanit me stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Policia bllokoi lëvizjet në rrugën ku ndodhej valixhja dhe e siguroi atë, ndërsa rezidencat dhe përfaqësitë diplomatike që ndodhen pranë vendit të ngjarjes shtuan masat e sigurisë. E gjithë ngjarja ka zgjatur 45 minuta deri në momentin kur ekspertët xhenierë kryhen hapjen me shpërthim të valixhes, brenda së cilës kishte vetëm rroba. Sipas Policisë, në valixhe nuk është gjetur asnjë lëndë shpërthyese apo helmuese që mund të përbënte rrezik. Pak minuta pas hapjes së kontrolluar të valixhes ngjyrë blu nga xhenierët, në vendin e ngjarjes ka mbërritur 30-vjeçari E.D., i cila deklaroi se ishte valixhja e tij dhe e kishte lënë provizorisht në katin e parë të pallatit, sa të transportonte çantat e tjera në katin e tetë ku banonte.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











