Vendi është përfshirë nga lëkundje të njëpasnjëshme tërmetesh. Pavarësisht kësaj, sizmologët thonë se nuk ka vend për panik. Pas dy tërmeteve të njëpasnjëshme të disa ditëve më parë, dje u regjistrua sërish një i tillë rreth orës 12:20, në kryeqytet. Tërmeti mendohet se ka qenë magnitudë 3- 4 ballë i shkallës Rihter, ndërsa qytetarët shprehen se tronditjet ishin më të forta se të disa ditëve më parë. Epiqendra e tërmetit sipas specialistëve të Institutit të Metrologjisë ka qenë në Kërçovë të Maqedonisë dhe është ndjerë në Verilindje të Shqipërisë, në zonën e Dibrës, me magnitudë 4.5 ballë. Për fat të mirë, nuk janë raportuar dëme në njerëz apo materiale. Ndërkohë, më herët tri lëkundje tërmeti janë ndjerë në Shqipëri, por me një fuqi të vogël. Sot paradite është regjistruar lëkundje 1.4 e shkalles Rihter në fshatin Floq të Korçës në një thellësi prej 14 kilometrash nën tokë. I pyetur nga gazeta, profesor Llambro Duni, shef i Departamentit të Sizmologjisë, tha se i gjithë rajoni gjatë kësaj periudhë është përfshirë nga tërmete dhe nuk ka vend për alarm, pasi njihet si rajon tërmetor. Duke komentuar katastrofën në Itali, Duni tha se Shqipëria nuk është e rrezikuar. “Nuk shoh ndonjë rrezik. Është aktivitet normal për rajonin. Ajo që ndodhi në Itali ishte e paparashikuar, sigurisht e rëndë. Ndërsa lëkundjet e këtyre ditëve për ne janë normale. Nuk shoh ndonjë rrezik serioz”, tha Duni. Sipas tij, Shqipëria gjeografikisht është e përfshirë në zonën e mesme të tërmeteve në gjerësinë, por edhe më sipër, ka shenja të vlerësueshme në ballë-Rihter. Një ditë më parë, Instituti i Gjeoshkencës ka regjistruar lëkundje tërmeti me fuqi 3.1 e shkallës Rihter, 2 kilometra në lindje të Patosit dhe në një thellësi 26 kilometra nën tokë. Po të mërkurën, një termet i ngjashëm është regjistruar 1 kilometër nën tokë në hyrje të tunelit të Thirrës në Kukës. Lëkundjet kanë ndodhur në disa zona shumë sizmike. Nga lëkundjet e fundit nuk raportohen dëme materiale. Sipas sizmologëve, shqetësimi është më evident nga ndërtimet shumëkatëshe me lëndë jashtë. Këtu, duhet të kihen parasysh dhe depozitat e shumta të ujit nëpër pallate që për madhësinë dhe peshën janë një rrezik absolut shembjesh edhe më të rrezikshme se vetë lëkundja e tërmetit ndaj konstruksionit të pallatit, qoftë i ri apo i vjetër.











