Vajza e Beçajt, padi në gjyq Haxhinastos për shkarkimin nga OSBE

Feb 28, 2012 | 13:28

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj

Ankimi në Gjykatën e Tiranës kundër urdhrit të ministrit të Jashtëm.

E bija e kryegjyqtares ishte diplomate e OSBE në Austri.

Selvi Beçaj, vajza e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, hedh në gjyq Ministrinë e Jashtme për shkarkimin si diplomate në Vjenë, Austri. Gati një muaj pasi Selvi Beçaj është zhveshur nga funksionet diplomatike përmes një urdhri të firmosur nga ministri Edmond Haxhinasto, ajo ka trokitur në derën e Gjykatës së Tiranës. Përmes një padie civile, vajza e kryetares Beçaj kërkon shfuqizimin e urdhrit të datës 24 janar 2012 për lirimin e saj nga puna. Sipas Beçajt, urdhri i shkarkimit të saj është lëshuar në kundërshtim me ligjin. Ajo kërkon të rikthehet në detyrën e saj si sekretare e Parë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OSBE-së në Vjenë. Njëkohësisht, vajza e kryegjyqtares së Gjykatës së Lartë kërkon që urdhri i shkarkimit të saj të pezullohet deri në përfundimin e gjykimit të padisë së saj në gjykatë. Emri i vajzës së kryetares së Gjykatës së Lartë u lakua mediatikisht janarin e vitit të kaluar, kur ajo u përmend në videopërgjimin “Meta-Prifti”. Në këtë video-përgjim, ish-zv.kryeministri i thoshte ministrit Dritan Prifti se nuk do të kishte asnjë problem me Gjykatën e Lartë në lidhje me një çështje, pasi ai kishte emëruar vajzën e Beçajt si diplomate.
PADIA
Kërkesë-padia civile e Beçajt është regjistruar dje në Gjykatën e Tiranës. Numri i saj në regjistrin e çështjeve të reja mban numrin 9002. Si palë paditëse në këtë padi paraqitet Selvi Beçaj. Ndërsa palë e paditur është Ministria e Punëve të Jashtme. “Pavlefshmërinë e urdhërit nr. 21, datë 24.01.2012 të ministrit të Punëve të Jashtme ‘Për lirim nga detyra’, si akt administrativ i dhënë në kundërshtim me ligjin. Rregullimin e pasojave që vijnë nga ky akt i kundërligjshëm duke u kthyer në detyrën e sekretares së Parë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OSBE, Vjenë, si dhe pezullim i zbatimit të urdhrit të mësipërm deri në përfundimin e gjykimit të çështjes”, thuhej në vendimin e gjykatës. Në Gjykatën e kryeqytetit, kërkesë-padia e Selvi Becajt do të shqyrtohet nga gjyqtarja Elda Vrioni. Burime zyrtare të Gjykatës sqaruan se ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë të këtij gjykimi.
SHKARKIMI
Një urdhër i firmosur nga ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, më 24 janar të këtij viti, shkarkoi nga detyra e saj në misionin diplomatik Selvi Beçajn. U mësua se gjatë kësaj kohe Beçaj kishte marrë lejen e lindjes dhe nuk ka qenë në detyrë për një kohë të konsiderueshme. Shkarkimi i saj erdhi pak ditë pasi Gjykata e Lartë deklaroi të pafajshëm ish-zv.kryeministrin Ilir Meta për akuzën e “korrupsionit”, akuzë e ngritur nga prokuroria pas publikimit të video-përgjimit “Meta-Prifti”, ku përmendej edhe vajza e kryetares së Gjykatës së Lartë.

Beçaj: Emërimi, brenda kritereve
Më 14 janar 2011, pak ditë pas publikimit të video-përgjimit “Meta-Prifti”, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, reagoi publikisht duke thënë se emërimi i vajzës së saj si diplomate nuk kishte lidhje me asnjë favor. “E ndiej të nevojshëm të sqaroj opinionin publik se emërimi i vajzës sime si nëpunëse në një mision diplomatik të Shqipërisë jashtë vendit, është bërë në respektim të kritereve të vendosura, bazuar në arsimimin, formimin dhe profesionalizmin e saj. Pra, në asnjë mënyrë, emërimi i saj në këtë detyrë nuk është bërë në këmbim të ndereve apo favoreve që kanë lidhje me detyrën time”, u shpreh Beçaj.

© Panorama.al

Te lidhura