
Është vetëm 5 vjeç dhe ndonjëherë mezi i thotë fjalët të sakta, por nëse historia që na rrëfen ajo është e vërtetë, atëherë “mirë se vini në ferrin tokësor të fëmijëve”.Biseda është bërë pas marrjes së lejes nga gjyshërit që kujdesen për të, pas vrasjes së nënës së saj një javë më parë. Vajza është pyetur 2 herë. Herën e parë veçmas, për të mos pasur ndikim nga familjarët, ndërsa herën e dytë në prani të tyre. Përgjigjet e vogëlushes janë të njëjta dhe sa herë e pyet, shton detaje nga jeta që ka pasur në apartamentin ku ka jetuar me të ëmën, Rolandën, bashkëjetuesin e saj, Lefter Keçin, si dhe një vajzë që ajo e quan Maria, por për të cilën nuk dihen shumë detaje.

Si e ke emrin?
Xxx (Për arsye etike nuk po e publikojmë emrin)
Sa vjeç je?
Nuk flet, tregon 5 gishta vitet e saj. Mosha konfirmohet nga gjyshërit.
Këtë fustanin që ke veshur kush ta ka blerë?
Mami.
Si quhet mami?
Landa.
Ku e ke mamin tani?
E vlau (vrau) lali Teri (kështu i thërret Lefter Keçit).
Nga e di ti?
Pashë lali Terin.
Ku e pe?
Te shpia.
Te cila shtëpi?
Te shpia ku është Maria. Te deti.
Kush është Maria?
Shoqja e mamit.
E ke xhan ti këtë?
Po.
Po lali Terin e ke xhan?
Jo.
Pse jo?
Lali Teri e rrihte mamin. (Rri pak sekonda në heshtje dhe flet vetë…). E livi (lidhi) me litar te këmbët dhe i ra me grushta.
Po ti çfarë bëje?
Qaja.
Pse qaje?
Se qante mami.
Po mami i binte me grushta lali Terit?
Jo, mami jo. Lali Teri ishte i fortë. I binte me grushta.
Po me shkelma i binte?
Jo.
Mban mend çfarë i bënte tjetër lali Teri?
Lali kape pe fokësh pënatë (e kapte për flokësh përnatë. Në këtë moment vajza tërheq flokët e saj. Pastaj qetësohet dhe rregullon baluket).
Ty të ka rrahur lali Teri?
Po.
Ku të ra?
Te faqja. Më ra me dolë (dorë) dhe më bërtiti.
Pse të bërtiti lali Teri, çfarë të tha?
Të mos qaja (mbulon sytë me duar, por nuk qan).
Kaq shumë qaje ti?
Qaja, se mamit i dilte gjak.
Pse gjak, u rrëzua?
(Nervozohet). Lali Teri i binte me grushta dhe i çau dolën (dorën) me fikë (thikë). I bëri dhe pana.
Çfarë është “pana”?
Jo pana, gjipana.
Po ma trego pak si është kjo gjipana. Është këtu te dhoma?
Jo. Është gjipanë ma. Ngulet ke kahu ksu (te krahu kështu)…
Vajza merr stilolapsin që kam në dorë dhe përpiqet të më tregojë me veprime se çfarë është, duke ma ngulur lehtas te krahu im. Sipas gjesteve dhe përafrimit të fjalëve, supozojmë se ajo flet për shiringë-gjilpërë. Pastaj, vogëlushja më fton që të shohim fotografitë, duke thënë gjatë gjithë kohës se “m’i ka bërë mami Landa”. Qesh, kërcen dhe duket se për një moment ka harruar “lali Terin”, thikën, gjakun, gjithçka… Ndaj edhe ne nuk e pyetëm më tej, nuk mund t’ia prishnim dot këto çaste lumturie…
Vëlla e motër, 3 vjet pa u parë

Djali i madh i viktimës Rolanda Kaja ende nuk ka mbushur 8 vjeç dhe ndjek shkollën e fshatit Kryevidh. I kanë thënë që në fillim për vrasjen e së ëmës dhe ka ndenjur në dhomën e burrave gjatë ditës së varrimit. Jeton prej 3 vitesh me gjyshërit dhe prej kësaj kohe ka parë 4-5 herë babanë që jeton në një fshat të Kavajës dhe …asnjëherë të ëmën. Rrjedhimisht, edhe motrën e tij 5-vjeçare ka po 3 vite që nuk e sheh. Duket se vdekja e së ëmës po i afron dy fëmijët, pasi përpiqen të lozin me njëri-tjetrin, por ndonjëherë ndalen për disa sekonda dhe shihen në sy pa folur asnjë fjalë. Më pas, përqafohen dhe nisin të shkëmbejnë disa letra me figura. Vajza është më kërkuese, flet, bën pyetje, ndërsa me djalin është vështirë të komunikosh. Edhe nëse pas shumë pyetjesh mezi të jep ndonjë përgjigje të shkurtër, krejt të thatë, fytyra e tij nuk qeshet asnjë moment. Duket se nuk ka shumë dëshirë që të dëgjojë edhe biseda rreth së ëmës. Sa herë hapet tema rreth saj, ai ikën. Për ta kthyer atë djalë mbrapsht duhen shumë lutje dhe një kohë e gjatë… E gjatë duket se do të jetë edhe rruga për të harruar këtë tragjedi.
Funerali
Një ceremoni madhështore për t’u mbajtur mend, thonë banorët e fshatit, teksa flasin për varrimin e Rolandës, por duket se kjo i ka kushtuar shtrenjtë familjes. Në kushte shumë të rënda ekonomike, ata janë futur në borxh për t’i blerë të ndjerës një arkivol të bukur, por të shtrenjtë, 80 mijë lekë. “Kjo tragjedi na gjeti 7 persona në një shtëpi, të gjithë jemi të papunë, unë jam invalid. Thashë të bëj një ceremoni të thjeshtë, por nusja e djalit këmbënguli dhe tha se do t’i gjente ajo lekët. Shkoi dhe i mori borxh babait të saj rreth 200 mijë lekë dhe e varrosi si zonjë time bijë, me të gjitha nderet dhe respektet që i takojnë. Nuk ia harroj kurrë, na ka bekuar Zoti me këtë nuse”, rrëfen babai i Rolandës, duke u përpjekur ta mbajë veten, por lotët e tradhtojnë…
“E besojmë”
Pas vrasjes të së ëmës, vajza ka qenë e mbyllur, ndërsa vetëm dy ditë më parë ajo ka nisur të flasë. Në gojë mban veç emrin e Lefter Keçit ose, siç e quan ajo ndryshe, “lali Teri”. Duke mos ditur asnjë nga emrat për të cilët flet vogëlushja, pasi ata kishin humbur kontaktet me Rolandën prej kohësh, ndërsa në media ende nuk ishin publikuar emrat e të akuzuarve, fillimisht familjarët janë çuditur, ndërsa vetëm dje kanë nisur t’u japin kuptim atyre çfarë më parë ata i quanin “përçartje të vogëlushes”. “Kemi pasur televizionin fikur për shkak të zisë, ndërsa gazetat nuk vijnë deri këtu lart në fshat. Sot (dje) e hapëm dhe mësuam për emrat. Ishin të njëjtët emra që i dëgjuam nga vajza, por që nuk e besuam. Tani e besojmë”, thotë gjyshi i saj.
Dadoja
Pas rrëmbimit të djalit, duket se Landa ka investuar shumë për vajzën. Ajo kishte punësuar një grua që e çonte në një kopsht të mirë, por edhe nëpër kurse private. Vajza fliste një anglishte shumë të mirë si 5-vjeçare që është, ndërsa për dadon, që quhet Bukurije, thotë se i blinte gjithnjë gjëra të mira. Megjithatë, ajo më shumë përmend një femër tjetër që quhet Marie dhe thotë që është shoqja e mami Landës dhe që jetonte me ato.
“I rrëmbyem fëmijët që Landa të kthehej në shtëpi”

Gjithçka nisi mbrëmjen e 10 qershorit, nga një zbulim i rastësishëm i kufomës. Rolanda Kaja, 29-vjeçarja nga Kryevidhi i Kavajës, u gjet e vdekur në kanalin e rrugës Ishëm-Lalëz. Identifikimi i saj u bë dy ditë më pas në Morgun e Tiranës, por burimet zyrtare të Policisë deklaruan se ishte “vdekje natyrale”. Kjo deklaratë, në fakt ishte një kurth i menduar, për t’u dhënë lehtësira oficerëve të Policisë Gjyqësore në mbledhjen e provave. Ata kishin mësuar paraprakisht që Rolanda nuk fliste me familjen, ishte e divorcuar, me dy fëmijë. Njërin prej tyre, vajzën, e mbante vetë në një apartament në Plazh të Durrësit, ku bashkëjetonte me Lefter Keçin, nga Shijaku, për të cilin pretendohet se e ka shfrytëzuar si punëtore seksi me pagesë dhe i ka përvetësuar 20 mijë euro. Është pikërisht ky personi kryesor që dy ditë më parë është shpallur në kërkim nga Policia, pasi akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen me dashje të Kajës. Paralelisht është vënë nën pranga i akuzuari tjetër, Euxhen Muka. Arrestimi i tyre është bërë pas zbardhjes së tabulateve të Policisë Gjyqësore. Aktualisht kemi 2 të arrestuar për vrasjen e Rolanda Kajës dhe ende asnjë deklaratë zyrtare se me çfarë u krye kjo vrasje, pasi analizat nuk kanë përfunduar. Ndërkaq, kemi edhe një histori dhënë për gazetën “Panorama”, të cilën e rrëfejnë vetë prindërit e viktimës, Reshit dhe Xhavide Kaja…
Më shumë se sa flasin, mërmërijnë. Ai, invalid i plotë me një pagesë gjysmë invaliditeti dhe ajo, pensioniste pa pension. Që të dy prindër të një vajze të vrarë 10 ditë më parë dhe të hedhur në një kanal. Një tragjedi nga e cila është vështirë që ta marrin veten Reshit dhe Xhevide Kaja, ndërsa kur pranë tyre shfaqen 2 fëmijët e vajzës së vrarë, tashmë jetimë nga nëna dhe të braktisur nga babai, kjo e vështirë bëhet e pamundur! Megjithatë, Reshiti dhe Xhavidja nuk kërkojnë të pamundurën, por të mundurën: Ndëshkimin ligjor të vrasësve të bijës së tyre, Rolanda Kajës. Përdorin numrin shumës, sepse janë të bindur që nuk është vetëm një person. “Instikt i prindërit”, thotë Reshiti. “Ashtu edhe doli sot në televizor”, shton Xhevidja. “Nuk kemi ditur asgjë”, thonë të dy njëherësh…
Në shtëpinë e Rolandës
Nga Kavaja është larg. Nga Spilleja është larg. Nga vetë fshati është larg. Ngado që t’i biesh është larg… Shtëpia ku ka lindur, është rritur dhe ka jetuar deri para martesës Rolanda Kaja, ndodhet në fund të fshatit Kryevidh. Një derë e vockël, e kuqe, të çon drejt oborrit të shtëpisë, ku jashtë ka pemë të bollshme dhe brenda uri po me kaq bollëk. Janë 7 anëtarë të familjes, që presin të ushqehen nga pagesa prej 12 mijë lekësh që merr Reshiti si invalid, por që në fakt i ikin për ilaçe. I takojnë më shumë, por siç thamë, këtu gjithçka duket larg… Në zi, ashtu siç e do zakoni, Reshiti nxjerr kafe. Bashkë me kafen, edhe lot pa fund. Burrë që qan si fëmijë, ndërsa pranë ka fëmijë që flasin si burra. “Nuk e mbaj dot veten. I jam lutur, i jam përgjëruar që të kthehej në shtëpi, por nuk më dëgjoi”, thotë Reshiti, ndërsa djali, që siç duket kuptoi vetëm fjalët e fundit, bën një kërcënim, ashtu siç mund të bëjë një fëmijë 8-vjeçar. “Do të më dëgjojnë mua, ke për ta parë”, thotë ai dhe ndryshe nga gjysh Reshiti, ai i fsheh lotët brenda syve, por nuk arrin dot të fshehë atë çfarë do t’i ndodhë më pas; shkrehjen në vaj. Një proces i heshtur që vetëm sa nis gjatë kësaj bisede dhe përfundon në diku në një cep, në dhomën ngjitur… “Mos ia vër re. Ka një baba që nuk vjen ta shohë, nuk i sjell ndonjë ushqim, veshje apo ndonjë lodër. As lekë, asgjë, thuajse e ka braktisur. Edhe nënën e vet kishte gati 3 vjet pa e parë. Po aq edhe të motrën, se jetonte me Landën. U takuan pas kaq kohësh si sot një javë (të dielën). Ishin të hutuar, si të huaj për njëri-tjetrin, por tani janë miqësuar dhe duhen shumë”, rrëfen Reshiti.
Rrëmbimi i djalit
Ashtu si edhe më parë, në bisedë futet bashkëshortja e tij, nëna e Rolandës, Xhevidja. “Pasi u divorcua nga i shoqi, sepse nuk shkonin mirë, ai ishte njeri shumë i mbyllur, Landa nuk donte të qëndronte në Kryevidh. Fillimisht ia prishi mendjen një femër e divorcuar këtu në fshat, që e dimë shumë mirë dhe e tërhoqi në Durrës. Më pas, nuk e dimë se çfarë ka bërë, me kë ka jetuar, sepse u zemërua me ne që i kërkonim vazhdimisht që të kthehej. Ky burrë që po flet ti (Reshiti), i ka shkuar Landës kushedi sa herë pranë shtëpisë që kishte në Plazh, te “Rrota e kuqe”. I është lutur në gjunjë, i është përgjëruar si fëmijë që ajo të kthehej në shtëpi, por ajo nuk deshte. Thonte se nuk kishte çfarë të bënte më në fshat dhe se kishte vendosur që të punonte për fëmijët, që kur të rriteshin ata, të kishin gjithçka. Ia rrëmbyem edhe djalin që t’i bënim presion që të kthehej, por nuk vlejti. Edhe vajzën kam dashur t’ia marr, por ajo më shkiti nga duart. Ajo nuk u kthye kurrë dhe ne e mbajtëm djalin, e rritëm vetë dhe pse jemi në kushte shumë të vështira. Tani jemi bërë 7 vetë”, thotë Xhevidja dhe nis e numëron: “Unë, Reshiti, djali me nuse dhe vajzën e tyre, dy fëmijët e Landës”. Fjalën e merr sërish Reshiti. Kësaj here nuk rrëfen, por vetëm lutet: “I kërkoj ndihmë Policisë, Prokurorisë, Gjykatës, të gjitha instancave shtetërore, deri te Kryeministri e Presidenti, ju lutem ndëshkoni vrasësit e sime bije, nënës së dy jetimëve me baba gjallë. Mos na lini ne që të hakmerremi personalisht. Po ashtu, lutem për ndihmë ekonomike për këta dy fëmijë. Më ndihmoni t’i rrisë”
“Policia të marrë dëshminë tonë dhe të mbesës”

Nuk ka qenë ndonjë nga ata dashuritë me shikim të parë. As të dytë. Mbase me të tretë, por e sigurt që ka qenë me shkuesi. Një mik i familjes ka kërkuar dorën e Rolanda Kajës 10 vite më parë për Artur Carën. Kanë bërë dasmë dhe rreth 2 vjet pas martese, në jetë ka ardhur fëmija i parë, djali. Pas tij, edhe vajza. Megjithatë, siç rrëfejnë prindërit e Rolandës, ajo nuk ishte asnjëherë e kënaqur nga kjo martesë. Sipas tyre, Landa ankohej se i shoqi ishte shumë i ngathët, i mefshtë, i mbyllur dhe nuk siguronte dot të ardhura për familjen. Pas shumë grindjesh, 3 vite e gjysmë më parë, ajo e ka braktisur bashkëshortin duke u transferuar bashkë me fëmijët në Durrës, ndërsa nuk ka pranuar që të jetojë me prindërit e saj, Reshitin dhe Xhaviden. Po ashtu, Rolanda ka shmangur dhe refuzuar çdo lloj kontakti me ish-bashkëshortin. Ky mënjanim nga ana e saj siç duket ka detyruar të shoqin, Artur Cara, që të bëjë një divorc me dokumente false. Siç e pamë edhe vetë, një nga certifikatat familjare që ai kishte paraqitur në gjyq për ndarje, shkruhej sikur prindërit e Rolandës quheshin Bajram dhe Flutura Muka. “Ligjërisht ata janë akoma të martuar”, thotë Reshiti, ndërsa tregon certifikatën, por edhe nuk arrin dot që ta shpjegojë se pse ky divorc është bërë në mënyrë të tillë. Megjithatë, ky lloj divorci nuk është se i intereson shumë më atij. Mendjen e ka te zbardhja e ngjarjes dhe herë pas herë bën thirrje për ndihmë nga shteti. “Policia duhet të kishte marrë dëshminë tonë. Të vijnë të na pyesin edhe ne. Jemi prindërit e saj, mbase nuk dimë gjithçka, por diçka dimë. Por më shumë se sa ne, duam që të dëgjojnë vajzën e Landës. Betohem se, as unë, dhe askush tjetër nga familja nuk e ka mësuar që të flasë. Vajzën e kemi marrë pas vrasjes së Landës, na e ktheu madje një dado që e paguante ajo, me emrin Bukurie. Shumë e mirë u tregua… Vajza thotë pa fund ca emra, që duket se i njeh mirë dhe kur i dëgjuam në televizor, u çuditëm”, thotë Reshiti. Ashtu si ai, në fakt u çuditëm edhe ne… Por më shumë se sa u çuditëm, u tronditëm!
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











