Vaj kancerogjen në fast-foode, nis kontrolli në Tiranë

Sep 3, 2012 | 11:14

Në shumë fast-foode të Tiranës, vaji ripërdorët aq herë sa mund të kthehet në një përbërës kancerogjen për shëndetin. Pas sinjalizimeve të marra nga qytetarët, por edhe nga Instituti i Shëndetit Publik, që e ka ngritur disa herë këtë problem, AKU ka nisur kontrollet në kryeqytet. “Është e vërtetë që një problematikë e tillë ekziston dhe ndaj të gjitha subjekteve te të cilat ne do të zbulojmë se norma e produkteve polare në vaj është mbi normën, do të ndërmerren penalizime”, thanë burime zyrtare nga Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit. “Vaji përbëhet nga disa produkte polare, që janë të dëmshme për shëndetin. Kur ai përdoret në mënyrë të tillë, këto produkte shtohen në maksimum. Nga skuqja e herëpashershme e vajit, produktet polare transformohen në produkte kancerogjene”, sqaruan specialistët e AKU. Këto lëndë, sipas tyre, depozitohen në trupin e njeriut dhe shkaktojnë sëmundje të ndryshme, përfshi dhe sëmundjet kancerogjene. “Çdo lloj vaji ka një temperaturë të caktuar të skuqjes, e cila nuk duhet të tejkalohet. Vajrat më të mira që rekomandohen për t’u përdorur, janë vajrat me përmbajtje vegjetale dhe të rafinuar”, thonë specialistët. Sipas tyre, qytetarët nuk janë të informuar. Nga një studim i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik ka rezultuar se në vendin tonë legjislacioni nuk e parashikon sa duhet të jenë normat e lejuara të produkteve polare në vaj. Në të gjitha vendet e Bashkimit Europian ato janë të përcaktuara me ligj. Sipas tij, norma e produkteve polare në vaj duhet të jetë deri në 25 për qind të sasisë. Kaq e ka pjesa më e madhe e vendeve, me përjashtim të disa shteteve që e lejojnë 30 për qind. Në vendin tonë, nga mostrat që janë analizuar, këto shifra rezultojnë mesatarisht 3-4 herë më të larta. Kjo dëshmon që përdoret i njëjti vaj për ditë me radhë për të skuqur ushqimet e ndryshme. “Duhet të merren masa urgjente, pasi vaji në këtë mënyrë kthehet në një lëndë kancerogjene që kërcënon seriozisht shëndetin e popullatës”, kanë rekomanduar specialistët e Institutit të Shëndetit Publik.

© Panorama.al

Te lidhura