Vahid Lama: Unë, juristi që punova 13 vite në paradhomën e Enverit

Aug 16, 2012 | 15:48
Vahid Lama, foto e vitit 2004

Enveri siç e pashë dhe e njoha në zyrën e tij! Rrëfimi ndryshe për profilin e diktatorit ka autorësinë e juristit Vahid Lama, zyrtarit që punoi 13 vite në paradhomën e kreut të regjimit. Enveri që zbulon në dorëshkrimin e kujtimeve ndihmësi i tij, është krejt tjetër nga ai që shfaqej para shqiptarëve. Hipokrit e demagog, zemërak me kolegët e vartësit, mjeshtër i aktrimit dhe ironisë, finok në kurthet ndaj tjerëve, i pabesë e hileqar me shokët, pervers e dashakeq si ai etj. Përtej sjelljeve të tilla, Lama ndriçon raportet e panjohura midis krerëve të shtetit, rrethin e ngushtë të miqve dhe bashkëpunëtorëve me të cilët diktatori ndante përditshmërinë dhe kafen e mëngjesit, rolin e Haxhi Kroit në axhendën ditore, pozicionin e veçantë të Ramiz Alisë në grupin e afërt që punonte me Enverin, redaktorët e besuar të librave të tij, peshën e Nexhmije Hoxhës në vendimmarrjen e kreut të regjimit, si “nëna e sherrit” në aparatin e KQ dhe e besuara e vetme e tij. Po kaq interesante janë episodet ku ndihmësi i Enverit shpjegon ndikimin e temperamentit dhe sëmundjes kronike në sjelljet e nxituara, mënyrën si përpunohej akuza në zyrën e sekretarit të Parë për ministra e gjeneralë që dilnin tradhtarë, sjelljet e dyzuara me njerëzit e artit dhe kulturës, prapaskenat për dënimin e Festivalit të 11-të, diskutimet misterioze në zyrën e diktatorit për poemën e Kadaresë “Në mesditë u mblodh Byroja Politike” dhe tërheqja e diktatorit nga ideja për ta goditur shkrimtarin e shquar.

PARA SE TË SHKOJA NË KQ

Kisha mbaruar Fakultetin e Drejtësisë më 1958-n dhe, pas gjashtë muajsh punë si ndihmësprokuror i Durrësit, u transferova në Krujë me detyrën e kryetarit të Gjykatës së Rrethit. M’u desh të bëja përpjekje të mëdha për të fituar praktikën e munguar. Isha pa përvojë. Veç kësaj, në atë kohë as në gjykatë, as në prokurori, për fat të keq, nuk kishte ende juriste. Të gjithë ishin përgatitur në kurse disamujore dhe vazhdonin gjimnazin e mbrëmjes. Kuptohet, niveli teorik i tyre linte shumë për të dëshiruar, sido që kishin fituar përvojë dhe shprehi në punë. Në këto kushte, ne kishim nevojë për njëri-tjetrin, sepse përvojën që më mungonte mua e gjeja tek ata dhe, atë që u mungonte atyre, e merrnin nga unë. Edhe kjo nevojë e ndërsjellë ishte një arsye më tepër që midis nesh të krijoheshin marrëdhënie të mira. Pas dy vitesh punë më thërrasin në Komitetin e Partisë së rrethit dhe më shfaqën mendimin se detyra që më ishte ngarkuar “mund të kryhej më mirë, duke bërë pjesë në radhët e partisë. Futja në parti do të të japë dorë, sepse kështu besimi dhe ndihma e saj ndaj teje do të shtoheshin”. Këtë propozim të tyre e prita mirë, jo se kisha bindje dhe botëkuptim komunist, por më tepër si një veprim pragmatist që më ndihmonte në mbarëvajtjen e punës. Në shtëpi u tregova njerëzve të mi që së shpejti prisja pranimin në parti….

(Rrefimin e plote ne numrin e sotem te gazetes, Panorama)

© Panorama.al

Te lidhura