FIER – Prokuroria e Fierit nis hetimin për 6 vagonët e ARMO-s, të rrëzuar në shinat e zonës Mbrostar-Ura. Këtë fakt e bën të ditur organi i akuzës, i cili i ka kërkuar Policisë kryerjen e veprimeve hetimore. Hetimi ka nisur në bazë të deklarimeve të banorëve, të shqetësuar për ndonjë rrjedhje apo shpërthim të mundshëm të vagonëve-cisternë të mbushur me rreth 400 mijë litra hidrokarbure. Mësohet se hetimi ka nisur për veprën penale të dëmtimit të pronës shtetërore, më konkretisht të shinave të linjës hekurudhore Fier-Tiranë, ku si pasojë e aksidentit janë dëmtuar rreth 100 metra linear të këtyre shinave. Burimet pohojnë se nga hetimet paraprake janë ngritur dy pista, lidhur me shkaqet që kanë çuar në rrëzimin e vagonëve-cisternë. Pista e parë në të cilën po heton Prokuroria dhe Policia, është ajo e rrëzimit të vagonëve për shkak të dëmtimit të mëparshëm të shinave. Por për shkak se aty kanë kaluar çdo ditë trena udhëtarësh dhe mallrash pa pasur ndonjë avari, kjo pistë sipas Prokurorisë nuk është bindëse. Ndërkaq, pista e dytë e hetimit për të cilën edhe ka nisur procedimi penal, ka të bëjë me mosmbushjen me korrektësi të vagonëve-cisternë me hidrokarbure. Mësohet se vagonët nuk kanë qenë të mbushur deri në kufirin maksimal dhe zbrazëtia i ka dhënë mundësinë krijimit të lëkundjes së lëndës së lëngshme të hidrokarbureve. Prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, gjashtë vagonët-cisternë që i përkasin kompanisë “ARMO”, vazhdojnë të mbeten ende mbi shina, edhe pse në Fier mbërritën edhe drejtues të lartë të emergjencave civile. m.r











