Janë gati procedurat për transferimin e studimeve të larta nga universitetet private apo jashtë vendit drejt Universitetit të Tiranës.
Bëhet fjalë për studentët që kanë kryer një vit akademik apo më shumë pranë këtyre institucioneve dhe pjesën e mbetur duan ta kryejnë në sektorin publik. Krerët e UTsë kanë shpallur afatet dhe kriteret që secili kandidat duhet të plotësojë për t’u bërë pjesë e aplikimeve për transferimin e studimeve. Sipas afateve, studentët fillimisht duhet të plotësojnë një formular, ku duhet të detajojnë të gjitha të dhënat në lidhje me kërkesën për transferimin e programeve studimore universitare. Krahas formularit të plotësuar, kandidati duhet të depozitojë edhe dosjen me dokumente shoqërore, të cilat bëhen objekt i verifikimit nga komisioni që do të përzgjedhë listën e kandidatëve që transferohen nga privati drejt publikut. Aplikimet do të kryhen pranë zyrës së protokollit të Rektoratit të UT, duke filluar nga data 25 gusht deri më datë 16 shtator. Pas mbylljes së fazës së aplikimeve, këto dosje do të shqyrtohen nga një komision ekspertësh, të cilët, në bazë të kritereve të vendosura, do të konfirmojnë se cilët do të jenë kandidatët që do të mund t’i transferojnë studimet e larta për vitin e ardhshëm akademik. Duke iu referuar kërkesave të shumta për transferime, edhe për këtë vit gara pritet të jetë e ashpër. Kjo pasi numri i kuotave të aprovuara nga qeveria është vetëm 300, ndërsa që kërkesat për transferim janë më të larta se kuotat e aprovuara. Kështu, seleksionimi i dosjeve do të bëhet mbi bazën e rezultateve individuale të arritura nga kandidati, çka do të thotë se kandidatët me rezultatet më të mira do të pranohen. Megjithatë, gjithçka në lidhje me procedurën se si do të veprohet deri në shpalljen e fituesve do të sanksionohet në udhëzimin e veçantë që Ministria e Arsimit do të dërgojë pranë këtij universiteti. Sa u përket tarifave të studimeve, rregullorja e pranimeve përcakton se kandidatët që do të marrin këtë të drejtë do të paguajnë të njëjtën tarifë studimi për vitin akademik, sikundër ndodh edhe për studentët e tjetër në programet përkatëse. “Studentët që i transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të parë në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet. Për studentët e universiteteve të tjera që duan të transferohen në Universitetin e Tiranës, universiteti përcjellës duhet të jetë i akredituar. Propozimi vjen nga rektorati i universitetit përcjellës i shoqëruar me të dhëna të hollësishme për studentin: programi i studimit, cikli, sistemi i studimit, detyrimet e shlyera, vlerësimet me kreditet përkatëse, certifikatë personale, nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo, programet e lëndëve që ka kryer.
DOKUMENTET
• Formulari për aplikim për transferim studimesh
• Plani dhe programi i studimit
• Lista e lëndëve, krediteve dhe notave të fituara (Në
formë zyrtare me firmë dhe me vulë)
• Kopje e noterizuar e diplomës së shkollës së mesme
• Për institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit dokumentacioni
i dorëzuar duhet të jetë i përkthyer në shqip
dhe i noterizuar në Shqipëri.
• Të gjitha dokumentet duhet të jenë të certifikuara nga
institucioni që i ka lëshuar.
• Fotokopje e kartës së identitetit.
• Mandat arkëtimi 1000 lekë. Banka “Credins”, nr: 589007
© Panorama.al











