Ushtrimi i funksionit publik dhe kartoni i kuq

Feb 16, 2012 | 10:52

BRIKENA KASMI

Kohët e fundit, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka shtuar jurisprudencën e saj në lidhje me respektimin e së drejtës vetjake dhe atë familjare në përputhje me nenin 8 të Konventës. Vendimi i parë i kësaj Gjykate u dha në datën 18 shkurt 1991 në çështjen “MOUSTAQUIM v. BELGIUM”. Që nga ajo kohë deri sot kanë kaluar më tepër se 20 vjet dhe konsolidimi i jurisprudencës ka analizuar ruajtjen e balancës mes së drejtës private dhe të drejtave të tjera.
E drejta për jetë private do të thotë që çdo njeri mundet të gëzojë të drejtat e tij private pa ndërhyrje nga shteti, për sa kohë ai respekton dhe të drejtat e të tjerëve. Vende të ndryshme kanë vendosur përkufizimet e tyre mbi të drejtën private. Përgjithësisht ajo është përkufizuar si një e drejtë që përfshin të drejtën që ka individi për të zgjedhur stilin e jetesës, mënyrën dhe llojin e veshjes, identitetin seksual apo pjesëmarrjen në jetën sociale, kulturore apo politike të një vendi.
Sikurse e drejta për t’u veshur apo për të mos u veshur, ashtu dhe pjesëmarrja në jetën politike, sociale, kufizohet në rastet e ruajtjes së vlerave morale dhe sa herë që është e domosdoshme në një shoqëri demokratike.
Integriteti dhe respektimi i vlerave në një shoqëri demokratike, në raste të veçanta përbën një kriter kufizimi të respektimit të së drejtës që ka individi për të marrë pjesë në jetën politike, sociale apo publike në një vend demokratik. Vetë neni 8 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut lexon se shteti mundet të ndërhyjë në të drejtën tënde për të zgjedhur kur kjo është e nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurimit kombëtar, sigurisë publike ose mirëqenies ekonomike të vendit, …, për mbrojtjen e shëndetit ose moralit. Me anë të paragrafit të dytë të nenit 8, Konventa i lejon shtetit të përdorë lirinë e vlerësimit duke përcaktuar rrethanat në të cilat kjo e drejtë kufizohet.
Deri këtu sqaruam se: (1) e drejta private përfshin dhe të drejtën që ka individi për të marrë pjesë në jetën sociale e politike të një vendi dhe (2) kjo e drejtë mundet të kufizohet nëse kjo është e domosdoshme në një shoqëri demokratike.
A përdoret ky kufizim për çdo individ apo vlerësimi i shtetit lidhet kryesisht me veçoritë e subjektit për të cilin kjo e drejtë kufizohet? Sigurisht që kufizimi dhe liria e vlerësimit të shtetit mbështetet në rrethanat që lidhen me situatat, sikurse ato të përmendura në paragrafin e dytë të nenit 8, por dhe me karakteristikat e veçanta të subjektit të individit.
Karakteristikat e veçanta të subjektit sjellin aplikimin e kufizimit të së drejtës së jetës private mbi bazën e parimit të proporcionalitetit (parimi i peshores). Me fjalë të tjera, sa më peshë të kenë veçoritë e individit në një shoqëri, aq më shumë do të anojë peshorja në drejtim të kufizimit të së drejtës së këtij individi.
Zyrtarë të lartë dhe politikanë të shquar e të suksesshëm ndërkombëtare kanë qenë shpesh në qendër të diskutimeve sociale, deri dhe ligjore, mbi jetën e tyre private, për shkak se në vetvete mbajnë dhe mbrojnë vlerat e larta morale e njerëzore sipas traditës së një vendi dhe si të tillë duhet t’i mbartin me vete këto vlera të larta në publik.
Në çështjen “Von Hannover v. Germany” (2004), Gjykata përcaktoi si një fakt determinant të çështjes faktin që shtetasja aplikante, Caroline Von Hannover, bija e parë e Princit Rainier III të Monakos, nuk mbante asnjë funksion shtetëror apo që përfaqësonte interesat e shtetit të Monakos apo të ndonjë institucioni çfarëdo shtetëror. Ky fakt është i rëndësishëm për Gjykatën në aplikimin e të drejtave të individit dhe, për pasojë, kufizimin e disa prej të drejtave të tij, sikurse pjesëmarrja në jetën politike sociale e kulturore të një vendi.
Po nga dallohen veçoritë karakteristike të individit? Parimi i proporcionalitetit na vë përpara përgjegjësisë për saktësimin e marrëdhënieve mes subjektit dhe të drejtës për të lejuar ushtrimin e kontrollit të shtetit në interes publik. Kushtetuta jonë njeh kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore në rastet e interesit publik.
Interesi publik, si nocion i gjerë dhe abstrakt, mundet të përkufizohet shpesh në aspekte të ndryshme të legjislacionit. Kështu, betimi si ceremoni domethënëse në procedurën e emërimit të një sërë subjektesh të organeve shtetërore të zgjedhura nga Kuvendi përmban, pa dyshim, nocionin e mbrojtjes së interesit publik. Zyrtarët e lartë të shtetit janë kategoria mbrojtëse e interesit publik. Ligji parashikon se zyrtarët e lartë janë përgjegjës dhe duhet të mbrojnë interesin publik të vendit. Duke pasur këtë parasysh, Gjykata ka vendosur në shumë raste se të drejtat e zyrtarëve, deputetëve, gjyqtarëve, përfaqësuesve të Drejtësisë, kufizohen për shkak se ata përbëjnë interes për publikun dhe njohja me jetën e tyre private është interes legjitim i popullit që ata udhëheqin. Në një shoqëri demokratike, interesi publik prevalon ndaj respektimit të së drejtës së individit, sikurse dhe e drejta për pjesëmarrje.
Ka pothuajse 8 muaj që në shoqërinë shqiptare debatohet në lidhje me pjesëmarrjen e një zyrtari të lartë publik në aktivitete të tjera sociale politike apo kulturore jashtë qëllimit që mbart institucioni që ai përfaqëson(te). Dhe ky institucion është institucioni kontrollues dhe garantues i funksionimit të sistemit gjyqësor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Në raste të ngjashme, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në rrjedhën normale procedurale të vendimmarrjes së saj do të ngrinte këto pyetje:
– A ka një ndërhyrje në të drejtën që ka ky individ për të marrë pjesë në jetën social – kulturore – politike – ekonomike të një vendi?
– A ka një moslejim te individit te gëzojë të drejtën e tij?
– Dhe nëse përgjigjja e pyetjes së dytë është po, atëherë Gjykata vazhdon me aplikimin e testit të respektimit të së drejtës me pyetjet, nëse ndërhyrja që ky individ të mos marrë pjesë në aktivitetet të tjera është e domosdoshme në një shoqëri demokratike.
Duke marrë shkas nga këto pyetje që ngrihen, dua të sqaroj për publikun se pyetjet aplikohen në çdo rast nga Gjykata, pavarësisht shtetit, aplikantit apo rrethanave. Përgjigjja është e thjeshtë dhe e menjëhershme për cilindo ka lexuar qoftë dhe një vendim të Gjykatës së Strasburgut. E drejta për të marrë pjesë në aktivitetet të tjera jashtë qëllimit të institucionit që një zyrtar përfaqëson kufizohet dhe ky kufizim është i domosdoshëm në një shoqëri demokratike.
Zyrtarët e lartë, gjatë ushtrimit të funksionit të tyre publik vishen me të drejta dhe detyrime pozitive. Ushtrimi i funksionit bëhet në mënyrë të pandërprerë dhe nuk konceptohet si një proces që përmbyllet vetëm brenda orarit zyrtar.  Rrjedhimisht, funksioni nënkupton ushtrimin e veprimtarisë brenda institucionit, orientimin e shoqërisë kundrejt vlerave të drejta dhe të larta të moralit.
Ky, ushtrimi i funksionit, lidhet ngushtësisht me kryerjen e veprimtarisë, por dhe përfaqësimin që një zyrtar i bën institucionit brenda dhe jashtë orarit zyrtar të punës.
Prej disa vitesh, tashmë raporte të ndryshme ndërkombëtare kanë vënë në pah rëndësinë e luftës kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor shqiptar. A duhet që kjo luftë të njohë orar zyrtar apo zyrtarët e lartë shtetërorë në ushtrim të funksionit të tyre nuk duhet të reshtin në marrjen e masave ligjore, institucionale për luftimin dhe parandalimin e këtij fenomeni? Pse duhen më shumë se 8 muaj për një zyrtar të kuptojë që ushtrimi i një funksioni publik kërkon më tepër se një 8-orësh, se shoqëria shqiptare meriton më shumë punë e përkushtim në mënyrë që sistemi gjyqësor të mos përbëjë pengesë për integrimin e shoqërisë shqiptare në Bashkimin Europian?
Sot është e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë se në marrjen e një detyre publike, përveç karriges apo tavolinës, kemi marrë çdo ditë dhe përgjegjësitë, llogaridhënien ndaj shtetit e qytetarëve, detyrimet dhe angazhimet, të cilat në peshoren e një shteti demokratik peshojnë më shumë se të drejtat vetjake.
Teksa përmend parimin e llogaridhënies, në mendje më vjen një krahasim i përdorur nga një autor i huaj, i cili procesin e llogaridhënies së Gjyqësorit e krahasonte me shembullin e një futbollisti. Futbollisti, thoshte ai, në çdo rast duhet të mbajë përgjegjësi nëse luan mirë apo nuk është në formën e duhur sportive. Kjo përgjegjësi sjell dhe shpërblimin e tij financiar apo dënimin.  Kartoni i kuq duhet të shërbejë si një mjet ndëshkues jo vetëm për lojtarët, por në mënyrën më efikase dhe për përfaqësuesit e Gjyqësorit.
Por, në rastin e Gjyqësorit, kjo formë ndëshkimi njihet si “llogaridhënie sakrifice”, pasi përtej kartonit qëndron vetëm forma e ndëshkimit që një individ të mos ushtrojë më gjatë funksionet e tij.
Parimi i llogaridhënies synon më së tepërmi të shmangë çdo risk që një individ, në ushtrimin e funksionit të tij të humbasë rolin dhe përgjegjësitë për të cilat është emëruar. Në një shoqëri demokratike, ky risk është i lartë dhe vjen në kundërshtim me vlerat e vetë sistemit demokratik si të tillë.
Sistemi gjyqësor shqiptar, përfshirë dhe zyrtarët e lartë, përgjigjen për veprimet apo mosveprimet e tyre njëlloj si ushtari që ruan territorin e një vendi. Këta funksionojnë si ushtarët e garantimit dhe mbrojtjes së sistemit të drejtësisë.
Përgjegjësia që ata kanë dhe parimi i llogaridhënies janë shkaku i kufizimit të një sërë të drejtash të tyre dhe ky kufizim është thellësisht i nevojshëm në shoqërinë shqiptare.
*Zv-ministre e Drejtësisë

© Panorama.al

Te lidhura