
Shefi i Shtabit, Gjunkshi: Çdo efektiv dhe mjet për të përballuar situatën e rëndë.
Kalohet në gjendje alarmi, 1 mijë forca në terren.
Ushtria në këmbë për të shuar zjarret. Strukturat e Forcave të Armatosura kanë kaluar në gatishmëri të plotë në këtë situatë emergjente që po kalon vendi i pushtuar nga flakët, ndërsa 1 mijë efektiva janë sot në terren. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi, urdhëroi mbrëmë ngritjen e një grupi të veçantë në drejtimin e zëvendësit të Shtabit të Përgjithshëm për Operacionet, Sandër Lleshi, me qëllim menaxhimin e gjendjes së krijuar. Një situatë e vështirë paraqitet në Qafë-Priskë dhe në malin e Dajtit, ku janë angazhuar 164 forca, 7 mjete dhe një autoambulancë, të cilat po angazhohen maksimalisht në këtë operacion. Ditën e sotme, për të përballuar këtë situatë të krijuar në malin mbi Tiranë do të angazhohen 600 trupa të tjerë, një helikopter, disa mjete të tjera transporti dhe autoambulanca të Forcave të Armatosura. Veç forcave të Ushtrisë, janë vënë në dispozicion të strukturave për shuarjen e zjarreve të gjitha mjetet që disponojnë Forcat e Armatosura. Gjatë ditës së djeshme, drejt zonës së Veriut dhe Verilindjes, pikërisht në Pukë dhe Kukës, u dërguan 200 forca të Ushtrisë, për të ndihmuar efektivat zjarrfikës, të Policisë e Shërbimit Pyjor për të ndërhyrë në ato vatra ku terreni e mundëson operacionin. Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, i vetmi mjet nga ajri që po shfrytëzohet në këto ditë paniku, nuk ka mundur të fluturojë siç ishte parashikuar në Veri dhe Verilindje të vendit. Sipas burimeve zyrtare të Shtabit të Emergjencave Civile bëhet e ditur se helikopteri i vënë në dispozicion nga Republika Turke nuk ka shkuar dot në zonat më problematike për momentin. Kërkesa për një mjet nga ajri vjen nga të gjitha qarqet që janë rrethuar nga flakët. Por, ditën e djeshme helikopteri turk ka fluturuar vetëm mbi lartësinë e Priskës. Gjatë ditës së djeshme ka pasur 29 vatra zjarri aktive në të gjithë vendin. Ndonëse është arritur shuarja e 2 prej tyre, në rastet e tjera rreziku për përhapjen e mëtejshme është bërë më i lartë. Era e fortë ka favorizuar dhe dje përhapjen e flakëve, ndihmuar dhe nga temperaturat e larta që vazhdojnë të jenë të pranishme. E vetmja zgjidhje nga toka ka qenë prerja a pemëve, me qëllim izolimin e zjarreve në zonat ku tashmë është shkrumbuar thuajse gjithçka. Vendime të tilla janë marrë dje përreth pyjeve të Korçës e Mirditës, ku zjarret janë në pushtet prej ditësh. Në zonën e Mirditës, rreth 120 forca nga shërbimi zjarrfikës, Shërbimi Pyjor, punonjës komunalë dhe efektiva të Policisë, kanë mundur të shmangin rrezikun nga disa banesa që ndodheshin mes vatrave të zjarrit vetëm një natë më parë. Burime nga emergjencat civile në Prefekturën e Lezhës kanë bërë të ditur se në Orosh ka tri vatra zjarri, në Fan dy vatra, në Kthellë dy vatra dhe po kaq edhe në Bashkinë e Rrëshenit. Megjithëse intensiteti i tyre ka rënë, era e fortë që ka nisur mëngjesin e së mërkurës e ka vështirësuar situatën, duke mos lejuar zjarrfikësit dhe punonjësit e Shërbimit Pyjor që të vënë nën kontroll flakët. Gjatë dy ditëve të fundit, punonjës të Shërbimit Pyjor kanë hapur vija ndarëse, si dhe kanë ndërhyrë me prerje pemësh në një perimetër të konsiderueshëm, me qëllim për të penguar rrugën e flakëve.
Dajt, zjarr pranë ish-kampit të Pionerëve
Terreni i thyer malor në Parkun e Dajtit, ku vazhdonin edhe dje të ishin aktive dy vatra zjarri, ka bërë që operacioni për shuarjen zjarreve të kryhej sërish nga ajri. Fluturimet drejt malit të Dajtit nisën dje rreth orës 13:00. Helikopteri turk ka ndërhyrë edhe dy ditë më parë në Parkun e Dajtit, duke stabilizuar situatën në vatrat e zjarrit që ishin aktive. Ndërsa operacioni i djeshëm vazhdoi edhe nga toka nga forcat zjarrfikëse, Policia Pyjore dhe 40 forca të Ushtrisë. Edhe banorët e Qafë Mollës dhe Priskës, zona që janë më të rrezikuara nga zjarret, u kanë ardhur në ndihmë forcave operacionale për shuarjen e zjarreve, që vazhdojnë të përhapen për shkak të temperaturave të larta dhe erës. Burime nga forcat zjarrfikëse thanë dje se era ka devijuar përhapjen e flakëve drejt qendrës së ish-parkut të pionierëve të Dajtit. Mesditën e djeshme situata paraqitej problematike në Dajt, pasi një vatër zjarri ndodhej shumë pranë lokalit të ish-Pionerëve. Megjithatë burimet thanë se operacioni do të vazhdojë deri në mesnatë dhe situata nuk paraqitet e rrezikshme për bizneset private që operojnë në Parkun Kombëtar të Dajtit.
Qarqet problematike
Qarku Dibër: 7 vatra zjarri aktive dhe 4 vatra të izoluara
Qarku Elbasan: 6 vatra zjarri aktive
Qarku Korçë: 1 vatër aktive dhe 2 vatra të izoluara
Qarku Kukës: Vetëm 1 vatër zjarri tepër aktive dhe 5 të izoluara
Qarku Shkodër: 7 vatra zjarri aktive dhe 3 nën kontroll
Qarku Lezhë: 5 vatra aktive zjarri
Qarku Tiranë: 1 vatër aktive, ajo në malin e Dajtit
Tepelenë, arrestohet zjarrvënësi
Një masakër mjedisore ka ndodhur një ditë më parë në Tepelenë, ndërkohë që përgjegjësi kryesor i saj është prangosur nga forcat e Policisë. Mehmet Keqaj, 62 vjeç, është arrestuar pasi është zjarrvënësi i një hapësire kullosore që përpiu më pas dhjetëra hektarë pyje dhe kullota, si dhe qindra rrënjë ullinj dhe drurë frutorë. Një ditë më parë, Keqaj i ka vënë zjarrin një kullote për rigjenerim në vendin e quajtur “Mbrete e shkurtër”, në afërsi të fshatit Kamçisht, komuna Qesorat. Era e fortë ka favorizuar përparimin e flakëve të zjarrit, të cilat u përhapën në një sipërfaqe të madhe, duke djegur mbi 80 ha pyll e kullotë. Moti me erë të fortë bëri që zjarri të vinte nën vete edhe disa parcela të mbjella me ullinj dy tre-vjeçarë, si dhe drurë të tjerë frutorë.
Elbasan, izolohen 6 vatrat
ELBASAN – Shefi i Repartit Zjarrfikës në Elbasan, Aleksandër Hodo, deklaroi se në këtë qark ka 6 vatra zjarri, 3 në Librazhd dhe tri të tjera në Gramsh. Ato kanë përfshirë dhe djegur më shumë se 10 hektarë pisha, vreshtari dhe drurë frutorë, fatmirësisht larg zonave të banuara. Ndërkaq, si pasojë e terrenit të vështirë, mjetet zjarrfikëse e kanë të vështirë të ndërhyjnë, çka ka bërë që flakët të shuhen në mënyrë primitive, me lopata dhe kova. Gjatë gjithë ditës është punuar në këto zona me qëllim që të lokalizoheshin në orët e vona të mbrëmjes deri në shuarjen e plotë të tyre. Shumica e vatrave të zjarrit që kanë rënë gjatë muajit gusht, janë vënë me qëllim nga banorët e zonave përreth.











