Eurodeputetët: Opozita të rikthehet në Kuvend

Aug 14, 2011 | 11:16
Dy eurodeputetët me nënkryetarin e Kuvendit, Vangjel Tavo

“Ne në Europë besojmë se shtylla kryesore e një vendi demokratik është një Parlament funksional dhe për këtë na mbetet thjesht ta ftojmë opozitën të rikthehet në Parlament”.Ka qenë kjo ftesa publike e bërë nga eurodeputeti gjerman në Parlamentin Europian, Jorgo Haxhimarkaqi. Ky i fundit, i shoqëruar nga kolegu i tij nga Luksemburgu, Frank Engel, kanë vizituar dje qytetin e Gjirokastrës si të ftuar nga deputeti i Gjirokastrës, njëkohësisht zv.kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Vangjel Tavo. Sipas Haxhimarkaqit, opozita e ka lënë Parlamentin dhe prej eksperiencës së tij, gjatë punës në Maqedoni si i dërguar i PE-së, ka qenë një eksperiencë e keqe. Të dy eurodeputetët kanë bërë thirrje për rivendosje të parlamentarizmit dhe klimë normale politike në vend. Sipas eurodeputetit nga Luksemburgu, Frank Engel, politika shqiptare ende nuk e ka kuptuar dhe nuk është e vetmja në kontinent që nuk po e kupton se të qenit të pozicionuar ndryshëm ideologjikisht nuk do të thotë sulm ndaj njëri-tjetrit. “Faktorët kryesorë politikë në këtë vend duhet të mësojnë se është i nevojshëm bashkëpunimi, dhe kjo i përket plotësisht politikës shqiptare. Ne nuk mund të bëjmë shumë për këtë”, është shprehur Engel. Pyetjes së “Panoramës” se cili është mendimi për të drejtat e minoriteteve në Shqipëri dhe a kanë qenë këto një kufizim për integrimin e vendit, zoti Engel iu përgjigj se ishte në dijeni se çfarë kishte ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit dhe, sipas tij, është më shumë se pozitive dhe se, “në fund të fundit, ne nuk flasim për shtete të ndryshme, por për një shtet të vetëm, ku shqiptarët dhe të tjerët jetojnë brenda të njëjtëve kufij dhe ky shtet siguron mbrojtje dhe komoditet për minoritetet. Ndaj mendoj se ngritja e kësaj çështjeje nuk ka shumë kuptim dhe ndonjëherë ekzagjerohet duke u trajtuar”. Ndërsa eurodeputeti greko-gjerman, Jorgo Haxhimarkaqi, u shpreh se ishte prezent në Gjirokastër falë ftesës personale të deputetit të Gjirokastrës, Vangjel Tavo, të cilin, siç tha ai, e njeh për shkak të origjinës së përbashkët greke. Lidhur me 12 parakushtet, eurodeputeti greko-gjerman u shpreh se fakti më i rëndësishëm është që opozita të jetë brenda sistemit politik normal.

Eurodeputetët, edhe në Sarandë

Eurodeputeti gjerman i Qendrës së Djathtë në Parlamentin Europian, Jorgo Haxhimarkaqi dhe Frank Engel, i Partisë Popullore të Luksemburgut, janë takuar mesditën e së shtunës në zyrën e tij me kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa. Eurodeputeti Haxhimarkaqi e ka krahasuar Sarandën me zhvillimet në Ajiu Nikolla në Athinë, ndërkohë që u shpreh se habitej me ndërtimet e larta, fenomen ky që ka ndodhur në gjithë Mesdheun. Ai kërkoi ndaljen e këtij fenomeni, që në vështrimin e tij është një përsëritje e gabimeve të bëra vite të shkuara në Spanjë e vende të tjera të Mesdheut.

 

PIRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura