Ndryshon pamja dhe shërbimi në Urgjencën mjekësore të Spitalit të Shkodrës. Aparatura moderne për dhënie të ndihmës së shpejtë kanë kompletuar të gjitha autoambulancat që bëjnë transportin e të sëmurëve. Ndërkohë që, pajisje të tjera diagnostikuese dhe monitoruese iu janë shtuar ambienteve të brendshme të Urgjencës për një ndihmë mjekësore sa më të kualifikuar, duke filluar nga aparatura e triazhit( një hap i rëndësishëm sipas specialistëve në dhënien e një ndihme të kualifikuar dhe përcaktimin e prioriteteve në vendosjen e diagnozës së pacientit). Nëse do të flitej me gjuhën e shifrave, bëhet fjalë për një investim rreth 800 000 euro mes projektit AISPO (përfshirë këtu edhe Urgjencën e Spitalit të Pukës), që ka bërë të mundur rikonstruksionin total të godinës dhe pajisen e saj me aparatura. Ceremonia e inaugurimit, ku merrnin pjesë zv. ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, konsulli italian në Shkodër z. Roberto Andreotti, prefekti i qarkut, Maxhit Cungu, drejtues të Spitalit dhe Drejtorisë së Shëndetit Publik, është zhvilluar dje. Teksa Urgjenca e rikonstruktuar, ku për herë të parë binte në sy ndarja e ambienteve të pritjes nga ato të dhënies së shërbimit, ka pritur pacientët e parë. “Nisur nga niveli aktual i shërbimit të Urgjencës mjekësore si dhe rëndësia që ka ky shërbim për prognozën e sëmundjes dhe shkallën e invaliditetit, qeveria shqiptare tashmë është e pozicionuar në zhvillimin afatgjatë të shërbimit të Urgjencës mjekësore, duke e harmonizuar atë me zhvillimin e gjithë sistemit shëndetësor të vendit”, është shprehur zv. ministri, Spahia. Duke shtuar se pjesë e këtyre investimeve të vazhdueshme është edhe një aparaturë e re skaneri që do të instalohet së shpejti në këtë spital rajonal. “Qeveria shqiptare është shumë e ndjeshme në drejtim të rritjes së standardeve të ofrimit të shërbimit shëndetësor për qytetarin. Nga viti në vit, ka pasur një rritje të investimeve, të cilat kanë synuar; ngritjen e strukturave të reja, restaurimin e atyre ekzistuese, modernizimi e teknologjisë dhe pajisjeve, trajnimin e stafit mjekësor, infermieristik dhe menaxhues”. Një falënderim i veçantë, sipas z. Spahia, ka shkuar edhe në adresë të qeverisë italiane për mbështetjen e vazhdueshme dhënë shërbimit shëndetësor shqiptar. Rikonstruksioni i sapo përfunduar i Urgjencës i shtohet investimeve të bëra në këtë qytet, si implementimi i fazës së tretë të Spitalit rajonal Shkodër, me një kosto 10.5 milion euro dhe investimit prej 165.6 milionë lekë nga buxheti i shtetit për pajisjet mjekësore. Investimi në repartin e Urgjencës pranë Spitalit rajonal Shkodër është pjesë e zinxhirit të investimeve që janë bërë në këtë fushë. Vetëm pak kohë më parë, nëpërmjet grantit Japonez u pajisjen 14 departamente urgjence në spitalet rajonale të vendit me pajisje të nevojshme të ofrimit të ndihmës mjekësore urgjente.











