Prokuroria “kërkon sqarime” në Polici për ekzekutimin e urdhrave të arrestit të lëshuar në adresë të katër personave që akuzohen se kanë kryer gjobëvënie ndaj regjisorit Leonard Bombaj.Rreth një javë pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj katër personave, Prokuroria ka kërkuar sqarime në Polici në lidhje me ndalimin e të dyshuarve. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë arrest me burg për shtetasit Arkimed Lusha, i njohur me emrin “Stresi” si këngëtar i muzikës rep, dhe tre personat e tjerë, Rolado Kurti, Elis Basha dhe Sebastian Ukcamaj. Pas vendimit të dhënë nga gjykata javën e kaluar, urdhër-arresti i kaloi Policisë së Shtetit për ekzekutim më 27 maj 2011. Gjashtë ditë pas kësaj ngjarjeje, nxitur edhe nga disa deklarime të këngëtarit “Stresi” në media, në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij, Prokuroria ka kërkuar sqarime prej Policisë për ekzekutimin e arresteve. Policia, nga ana e saj, ka deklaruar se ka kryer misionin dhe detyrimin e saj duke kryer kontrolle banesash në shtëpitë e katër të akuzuarve, por ata nuk janë gjetur në banesa.
Konflikti
E gjithë historia mes regjisorit Leonard Bombaj dhe këngëtarit “Stresi” me të njohurit të tij ka nisur në shtator 2010. Disa ditë më parë, regjisori Bombaj kishte përjashtuar nga instituti i tij artistik një vajzë që kryente aktrim. Pak kohë më pas, Bombaj është konfliktuar me babanë e vajzës, të cilin e ka denoncuar për kërcënim në Komisariatin e Policisë Nr,1 në Tiranë. Një ditë më pas, vajza 15-vjeçare denoncoi regjisorin duke e akuzuar për marrëdhënie seksuale. Dy paditë, e bëra nga regjisori dhe nga vajza, u përcollën në Prokurori, e cila hetoi në të dyja pistat. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe, mes regjisorit, “Stresit” e miqve të tij ndodhën edhe disa episode të tjera. Vajza i tregon “Stresit” se ishte përdhunuar nga Leonard Bombaj. “B.D. ka vënë në dijeni shtetasin Arkimed Lusha (Stresi), me banim në qytetin e Tiranës, me të cilin ka lidhje shoqërore. Në bisedën e zhvilluar ndërmjet shtetasve B.D.. e Arkimed Lushaj, i pranishëm ka qenë edhe shtetasi Relado Kurti. Në fund të muajit korrik të vitit 2010, me kërkesë të shtetases B.D. është zhvilluar një takim ndërmjet saj dhe shtetasve Leonard Bombaj, Arkimed Lusha e Relado Kurti. Gjithnjë sipas shtetases B.D., në këtë takim shtetasi Leonard Bombaj ka pranuar në prani të personave të pranishëm kryerjen e marrëdhënieve seksuale me shtetasen B.D”, thuhet në dosjen e Prokurorisë. Prokuroria ka pyetur shtetasit Relado Kurti e Arkimed Lusha, të cilët kanë lidhje shoqërore me vajzën. Në deklarimet e tyre shtetasit Relado Kurti e Arkimed Lushaj deklarojnë se kanë mësuar nga ana e shtetases B.D., se shtetasi Leonard Bombaj ka kryer marrëdhënie seksuale kundra dëshirës së saj dhe me dhunë. Pas kësaj, gjithnjë sipas shtetasve Relado Kurti e Arkimed Lusha, ndër të tjera deklarojnë se, pasi kanë mësuar këtë gjë nga ana e shtetases B.D., kanë mundur të komunikojnë me shtetasin Leonard Bombaj dhe sipas tyre, Leonardi i shmanget sqarimit të problemit. Në bazë të akt-ekspertimit mjeko-ligjor nr.946, datë 06.09.2010 mbi ekzaminimin e shtetases B.D., ka rezultuar se kjo shtetase është e defloruar e vjetër (zhvirgjëruar) dhe se kjo shtetase ka arritur pjekurinë seksuale. Ndërkohë, regjisori Leonard Bombaj ka mohuar akuzat e bëra ndaj tij dhe ka shpjeguar se, më datë 22.07.2010, vajza e shoqëruar nga disa të njohur të saj ka shkuar në banesën e tij, ku këta persona i kanë kërkuar shtetasit Leonard që të paguante një shumë prej 20 mijë euro në formë dëmshpërblimi për marrëdhënien seksuale që ka kryer ai me shtetasen B.D. Leonard Bombaj pretendon se i detyruar nga personat që shoqëroheshin me shtetasen B.D., po atë ditë kanë shkuar në një bankomat të bankës “Intesa San Paolo” bank, ku shtetasi Leonard ka tërhequr një shumë prej 50 mijë lekë, nga numri i llogarisë së tij. Nga banesa e shtetasit Leonard deri tek bankomati, tre prej shtetasve që kishin shkuar në banesën e tij të shoqëruar nga shtetësja B.D., kanë lëvizur me automjetin e shtetasit Leonard Bombaj me targë TR9485L. Pasi kanë tërhequr shumën e lekëve nga bankomati, tre personat, së bashku me shtetasin Leonard Bombaj kanë shkuar sërish në banesën e shtetasit Leonard. Pasi e kanë lënë shtetasin Leonard aty, ata janë larguar me automjetin e këtij të fundit.











