YMER DELIALLISI
Urbanistika e Tiranës ndodhet para një prove të vështirë për arsyen se duhet të zgjidhë dy probleme me rëndësi të veçantë për qytetin. E para, duhet të hartojë dhe miratoje në një kohë rekord për një vit, planin rregullues urbanistik duke krijuar njëkohësisht dhe një koncept të ri të menaxhimit urbanistik, si dhe të japë një model të ri administrimi urbanistik për të gjitha qytetet e tjera shqiptare që deri sot kanë pasur si shembullin më të mirë modelin Rama. Do të ishte shumë më e lehtë nëse Tirana do të trajtohej me një plan të ri, pa katrahurën urbane ekzistuese, që fillon që nga ndërtimet pa leje të bëra dhe legalizuara në pjesën më të madhe, deri te ndërtimet e bëra pa një master-plan, me studime pjesore në 12 vitet e fundit. Strategjia e ndjekur deri tani, nëpërmjet planifikimit sipas metodikave të gabuara në planifikimin urban, “të hamë tulin dhe të lëmë kockat”, për mua e qëllimshme dhe spekuluese, ka nisur së prapthi me studimin e planit urbanistik të qendrës dhe me plane pjesore rreth saj, duke e bërë zhvillimin të pakontrollueshëm dhe të padisiplinuar. Si rezultat kemi një Tiranë gri e të betonizuar, amulluar, me kondita jashtëzakonisht të vështira jetese si dhe të pashëndetshme. Urbanistika dhe arkitektura kanë në bazë të saj anën kompozicionale. Urbanisti apo arkitekti, ashtu si në muzikë, është një kompozitor që shpreh individualitetin e tij në përputhje me rregullat klasike teorike dhe ligjet, duke aranxhuar orkestracionin për gjithë instrumentet e tjera inxhinierike të harmonizuar me njëritjetrin dhe duke pasur si motiv kombëtaren, individualen dhe specifiken. Në rast se këto instrumente nuk e luajnë pjesën e tyre në harmoni, atëherë ky kompozim tingëllon keq, i zhurmshëm, konfuz dhe krijon amulli duke shkelur normat dhe vështirësuar kushtet e jetesës të banorëve. Kur kompozimi bëhet në letër të bardhë, sigurisht që është më i lehtë për t’u realizuar me nivele bashkëkohore, por në rastin konkret, kur janë bërë fakt shumë elemente, vështirësia për të pasur sukses bëhet e madhe, pasi çfarë është bërë më parë nuk prishet me gomë, por duhet përshtatur dhe modifikuar. Moratoriumi njëvjeçar i zotit Basha, për mendimin tim, kuptohet si një pauzë për të analizuar se ç’është bërë mirë apo keq dhe për të përcaktuar objektivat dhe strategjinë e korrigjimit të mangësive dhe zhvillimit normal dhe shkencor të urbanistikës së Tiranës. Për kohën e vënë në dispozicion është imperative që aksioni apo veprimi të fillojë sa me shpejt të jetë e mundur, pasi çdo ditë e humbur ka pasoja ekonomike dhe vështirësi në rritje në jetën normale të qytetarëve. Biznesi i projektimit dhe ndërtimit, si më i suksesshmi, ka kohë që në Tiranë është paralizuar. Ky biznes është dhe një nga burimet kryesore të punësimit. Po ashtu, mungesa e transportit harmonik (rrjeti rrugor dhe parkimet), mungesa e gjelbërimit, mungesa e të qenit të organizuara te rrjeteve ndihmese tregtare, arsimore, kulturore dhe sportive, mungesa e një infrastrukture normale, e vështirësojnë së tepërmi jetën normale të qytetarëve. Pa dashur të bëj analiza të detajuara teorike, mendoj që shumë i rëndësishëm është krijimi i departamentit të studimit dhe strategjive urbanistike pranë Bashkisë. Ky departament duhet të funksionojë i veçantë nga Drejtoria e Urbanistikës, e cila ka funksion ekzekutiv. Në këtë departament duhet të përzgjidhen instrumentistë (inxhinierë dhe specialistë) me aftësi dhe eksperiencë teorike dhe praktike, që të njohin mirë karakteristikat dhe individ- Urbanistika e Tiranës, para një prove të vështirë ualitetin e qytetit, por po aq mirë eksperiencën dhe praktikën botërore, për të bërë një Tiranë sa më bashkëkohore dhe komode që të tingëllojë bukur dhe në harmoni të plotë. Për një kontribut me eficiencë dhe cilësi në këto studime, është e pamjaftueshme të kesh marrë një edukim jashtë shtetit apo të kesh bërë disa specializime, seminare, konferenca apo kurse. Është domosdoshmëri që të kesh ushtruar praktikën e projektimit dhe studimit si brenda, dhe jashtë vendit. Bazuar në ligjin e urbanistikës, tashmë të miratuar, duhen hartuar dhe projektuar aktet nënligjore, instrumentet e planifikimit, politikat territoriale, rregulloret, si dhe kodet respektive lokale të urbanistikës dhe ndërtimit, përshtatur me ato ndërkombëtare dhe euro-kodin. Bazuar në to, bëhet studimi dhe hartimi i strategjisë, metodikave dhe hartimit të detyrës së re të projektimit për korrigjimin dhe miratimin e planit rregullues të Tiranës. Një çështje tjetër me efekt kombëtar është dhe krijimi i konceptit të ri të studimit dhe miratimit të planeve urbanistike dhe ndërtimeve që ligji i ri i urbanistikës e ndërron si koncept dhe metodikë të deritanishme. Sa më sipër, Tirana duhet të shërbejë si model në këtë drejtim. Studimi dhe hartimi i strategjisë së re dhe instrumenteve të planifikimit të territorit është një detyrë shumë komplekse. Çdo firmë projektimi, që të bëjë një studim urbanistik, duhet të ketë të gjithë lëndën me të dhënat e nevojshme për ta kryer atë në kohë dhe me sukses. Studimi komprometohet kur grupi i projektimit, për mungesë të dhënash të sakta, detyrohet që shumë të panjohura t’i marrë pa vërtetim, duke i supozuar si të mirëqena sipas normave apo dhe me interpolim. Informacioni fillon me kapacitetet dhe gjendjen ekzistuese dhe të perspektivës së zhvillimeve demografike, ekonomike, kulturore, të trashëgimisë, të transportit, mjedisit, të strukturave, të ifrastrukturës e rrjetit inxhinierik e të tjerë aksesorë plotësues me karakteristika individuale rajonale dhe mikrorajonale. Këto përmblidhen në planifikimet vendore, nënvendore apo dhe ato të integruara. Sa më sipër, do të sqarohen pikëpyetje dhe pyetje që dalin për realizimin e planit urbanistik apo master-planit si dhe moratoriumit të ndërtimeve. Do t’u jepet përgjigje pyetjeve nëse zhvillimi urbanistik i Tiranës do të jetë policentrik apo monocentrik? Do të veçohet qendra, tashmë e miratuar, apo do të revizionohet dhe ajo? Do të veçohet zona administrative kombëtare, apo do të inkludohet në territorin lokal? Do të punohet me plane strategjike afatshkurtra dhe afatgjata, apo do të pritet deri në përfundimin e gjithë studimit? Do të kolapset plotësisht ndërtimi në Tiranë, apo do të ketë ngadalësim dhe sa do të jetë ky? Do të korrigjohet në fillim gjendja ekzistuese, apo do të punohet paralelisht? Etj., etj. Puna në këtë drejtim është sa e madhe, aq dhe duhet marrë seriozisht, pasi një gabim i dytë është i pafalshëm. Tirana ka nevojë për vizion të ri konceptual. Është nder dhe historik kontributi për të, aq më tepër kur mendon që do të shërbejë si model pune për gjithë vendin. Këto ishin disa opinione nga dëshira e mirë për t’i uruar zotit Basha dhe ekipit të tij një punë të suksesshme.
*Autori është “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” dhe ish-kryespecialist i arkitekturës në ISP











