Gjuha shqipe do të mësohet edhe gjatë studimeve universitare. Që nga 1 tetori “Gjuha shqipe” dhe “Shkrimi akademik” do të jenë lëndë me detyrim për studentët e Universitetit të Prizrenit. Vendimin për këtë e ka marrë ushtruesi i detyrës së rektorit në UPZ, Enver Sopjani. Ai ka bërë të ditur se këto dy lëndë do të jenë të detyrueshme për të gjitha drejtimet në UPZ, duke theksuar se ato do t’i ndihmojnë shumë në formimin e tyre akademik. “Gjuha shqipe është shumë e rëndësishme, sepse kemi të bëjmë me studentë që në të ardhmen do të dalin me gradë akademike dhe do të merren me formulim apo shkrim në gjuhën shqipe. Ndërkohë, kemi konstatuar se jo vetëm studentët, por edhe shumë të tjerë, që kanë gradë akademike, nuk dinë të shkruajnë shqip dhe ky është turp”, ka theksuar Sopjani. Ai ka theksuar se këtë vendim e ka marrë duke u nisur nga përvoja e shteteve perëndimore, ku ka përfunduar studimet pasuniversitare dhe ka jetuar e punuar për 20 vjet. I pyetur se nëse kjo do të zbatohet, pasi një iniciativë e tillë është ndërmarrë pa sukses edhe ne Universitetin e Prishtinës, Sopjani ka thënë se do ta mbajë fjalën dhe se të gjitha veprimet janë ndërmarrë që kjo nismë të zbatohet në Universitetin e Prizrenit.











