
Të dhënat personale për më shumë se 41 mijë maturantë.Veç tyre, pikët që ka secili për 10 degët e universiteteve ku konkurron. I gjithë ky material do të jetë në shkolla brenda pak ditësh. Ministria e Arsimit publikoi dje Librin e Transparencës. Me anë të një konference për shtyp, drejtori i pranimeve në Agjencinë Kombëtare të Provimeve, Arben Fagu, dha të gjitha sqarimet si do t’u vijë në ndihmë kandiatëve për në universitet ky material. “Libri i Transparencës është një faktor shumë i rëndësishëm për transparencën e procesit të Maturës Shtetërore dhe në shërbim të të gjithë kandidatëve maturantë që dëshirojnë të studiojnë në IALP”, tha Fagu. Sipas tij, Libri i Transparencës plotëson kuadrin e informimit të saktë dhe të drejtë, dukuri që përshkon të gjithë procesin e Maturës Shtetërore dhe të regjistrimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik. “Te Libri i Transparencës, çdo kandidat maturant gjen të gjitha elementet përbërëse të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme, mesataren e katër apo pesë viteve të shkollës së mesme, rezultatin e provimit të Letërsisë, Matematikës dhe dy provimeve të lëndëve me zgjedhje, preferencat e përzgjedhura prej tij në formularin A2 për programet e studimit që ofrojnë universitetet publike për vitin akademik 2011-2012”, sqaroi drejtori i pranimeve në AKP. Në librin e Transparencës secili kandidat maturant ka zonën e tij të të dhënave, ku në rreshtin e parë jepen: numri rendor dhe numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit të Maturës Shtetërore.
“Në pjesën majtas poshtë janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të 5 elementeve të Maturës Shtetërore, në bazë të të cilave llogariten pikët, pra janë arritjet që përbëjnë pjesën ‘Meritë’ të kandidatit maturant, në parimin ‘Meritë–Preferencë’”, shpjegoi Fagu. Më tej vijohet me preferencat e kandidatit, të renditura ashtu siç janë plotësuar prej tij në formularin A2. Preferencat përmbajnë numrin (kodin) e programit të studimit, emërtesën e programit të studimit. Në krah jepen tri koeficientet për secilin program studimi sipas renditjes: koeficienti i shkollës (KSH), koeficienti për provimin e parë me zgjedhje (KZ1), koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje (KZ2). “Në krah të djathtë të koeficientit të tretë paraqiten pikët e grumbulluara në këtë program studimi nga kandidati maturant”, tha Fagu. Sipas tij, çdo maturant kandidat, pas konsultimit me Librin e Transparencës dhe leximit të pikëve të grumbulluara nga ana e tij në secilin program studimi të përzgjedhur prej tij si dhe pikëve të fituesve të fundit të publikuara tashmë në ueb sajtin e MASH-it, arrin të gjykojë se në cilën degë ka më shumë shanse suksesi.
41 mije
maturantë kanë plotësuar formularin A2 dhe konkurrojnë këtë vit në shkollat e larta. Një pjesë e tyre, pavarësisht kësaj procedure, do të ndjekin studimet jashtë vendit.
Gjeneralitetet
Në Librin e Transparencës nuk paraqiten gjeneralitetet e maturantëve me qëllim që të mbrohen të dhënat personale të tyre. Ky vendim i MASH-it shkon në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, i miratuar rreth dy vjet më parë. Ndërkaq, për maturantët kandidatë, të cilët ndër preferencat e zgjedhura kanë dhe programe studimi që parashikojnë zhvillimin e konkurseve, për këto programe në Librin e Transparencës nuk janë llogaritur pikët, sepse ato përllogariten pas daljes së rezultateve të konkurseve.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











