Arsimi u masivizua shumë në Europë, veçanërisht midis viteve ’50-’80, duke shënuar një lëvizje të vërtetë paneuropiane në këtë drejtim. Ky masivizim detyrimisht solli disa kompromise të rëndësishme social-pedagogjike, që imponuan edhe ndryshime domethënëse të kurikulave. Një zhvillim i tillë ndodhi edhe në Shqipëri, veçanërisht dekadën e fundit, duke përplasur dy pikëpamje: ata që mbështesin fort masivizimin, dhe ata që e kundërshtojnë atë. Duke mbështetur fort pikëpamjen e parë, duhet thënë se arsimimi shihet, në fakt, si shprehje e lirisë së njeriut, me qëllim që individët të zhvillojnë kapacitete dhe aftësi për të zhvilluar vetveten, për të ndërtuar të ardhmen e tyre dhe të botës ku jetojnë. Mbështetja dhe zgjerimi i arsimimit i ndihmon njerëzit të bëhen qytetarë të përgjegjshëm, me besim në vetvete dhe të aftë për të zhvilluar vetveten. Sa më shumë njerëz të arsimuar, aq më shumë shanse për të ndërtuar një shoqëri të organizuar mirë dhe të suksesshme, në aspektin shoqëror dhe ekonomik. Arsimi i lartë konsiderohet si një prej lokomotivave për ndreqjen e pabarazisë shoqërore. Kjo është vënë në dukje vitet e fundit edhe në një raport të Organizatës Europiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (OEBZH) të 2010-s, i cili thotë se vendet me pabarazi më të madhe shoqërore kanë një lëvizje më të ngadaltë shtresore mes brezash. Me lëvizje shtresore këtu kuptohet kalimi i individit nga një shtresë shoqërore në një tjetër. I njëjti studim vë në dukje lidhjen e ngushtë mes të ardhurave dhe perceptimit të përkatësisë shtresore. Për këtë arsye, lëvizjet pozitive mes brezash nga një shtresë shoqërore në tjetrën maten jo vetëm me përkatësinë profesionale, por edhe me sasinë e të ardhurave. Të dhënat e Bankës Botërore për vitin 2008, për shembull, tregonin se pabarazia e të ardhurave në Shqipëri ishte përgjithësisht e ngjashme me vendet e rajonit. Kështu, Shqipëria ka një koeficient prej 35%, ndërkohë që në Kroaci ai është 34%, në Mal të Zi 30%, në Greqi 34%. Këtu dallohen Serbia me koeficient më të ulët prej 28% që sugjeron se ka edhe një pabarazi më të pakët të të ardhurave. Ndërkohë, listën e pabarazisë e kryeson Maqedonia, me një koeficient të lartë prej 44%. Të njëjtat statistika tregojnë se kjo pabarazi të ardhurash në Shqipëri në dhjetë vitet e fundit ka ardhur duke u rritur. Në këtë kuadër, stimulimi i arsimit të lartë dhe veçanërisht zgjerimi i tij dhe përfshirja e studentëve nga familje me të ardhura të ulëta duhet të përbëjë një politikë prioritare të qeverisë, për të ulur pabarazinë e të ardhurave, e cila pasqyrohet përgjithësisht edhe në pabarazi shoqërore. Rrjedhimisht, një vështrim i përvojës së vendeve perëndimore me një koeficient pabarazie të ngjashëm për Shqipërinë do të ishte mjaft i dobishëm. Në këto vende tashme po ndërmerren politika ndihmuese për të ngushtuar dallimet shoqërore. Këto politika kanë pasur sukses në vendet nordike, ku ekziston edhe një sistem i fortë social. Këtu, lëvizja shtresore shpesh përkthehet si një përmirësim i mirëqenies në familje, ku fëmija arrin një shtresë shoqërore dhe të ardhura më të larta se prindërit. Ndërkohë, vendet e Europës Jugore dhe Britania e Madhe duket se kanë një pabarazi shoqërore më të madhe dhe një lëvizje shtresore më të ulët. Madje, në dyzet vitet e fundit në Britani pothuaj nuk ka pasur fare lëvizje shtresore pozitive e në disa raste tendenca ka qenë negative, domethënë një rënie shtresore. Kjo pabarazi është reflektuar edhe në arritjet në arsim. Pabarazia relativisht e lartë shoqërore në Europën Jugore dhe Britani që shoqërohet me një lëvizje të ulët shtresore, dallon nga vendet nordike, Australinë dhe Kanadanë, që kanë të dhëna të kundërta, dallim ky që pasqyrohet edhe në të dhëna të tjera të OKB-së, që tregojnë se vendet e përmendura së fundi kanë dhe kapital më të lartë njerëzor, ose thënë ndryshe, me standarde më të larta të jetesës. Të gjitha këto statistika dhe trende të vendeve të zhvilluara duhet të përbëjnë në vetvete edhe një pikënisje shqyrtimi për politikëbërësit në Shqipëri, pasi ato tregojnë se e ardhmja sociale dhe ekonomike e vendit varet nga ngushtimi i pabarazisë ekonomike dhe shoqërore. Një nga mënyrat më efektive për ngushtimin e këtij hendeku është përkrahja e arsimimit të lartë për nxënësit e familjeve me të ardhura modeste ose të ulëta. Por, këtu duhet theksuar se, për dallim nga politikat e sistemit komunist, ku barazimi i shtresave rezultonte në pikën më të ulët të përbashkët, ngushtimi i pabarazisë në shoqërinë postkomuniste synon në ngritjen e standardit të përgjithshëm. Në të kundërt, një thellim i hendekut social krijon premisa për probleme më të gjëra shoqërore dhe ekonomike. Të tilla politika janë tagër e qeverisë dhe shtetit, sepse ata kërkojnë një subvencionim shtetëror. Kjo mbështetje duhet të bëhet për studentët e universiteteve shtetërore, por edhe për ato private, pasi edhe këto të fundit luajnë rolin e tyre në ndreqjen e pabarazisë sociale. Për nga vetë natyra, institucionet e arsimit të lartë privat janë selektive, qoftë nga aftësia akademike, apo më shumë nga ajo financiare. Afërmendsh, studentët e familjeve me të ardhura të ulëta, por që janë cilësorë, të kenë mundësi të ndjekin studimet në to. Për këto arsye, universitetet private ofrojnë një politikë bursash për studentët me të ardhura të ulëta, në bazë të arritjeve akademike. Ky hap përbën jo vetëm një gjest altruist që i siguron institucionit një aurorë pozitive marrëdhëniesh publike, por edhe një investim të zgjuar afatgjatë për vetë universitetin, pasi ndihmon në shtimin e një lëvizje pozitive shtresore që shoqërohet me një mirëqenie ekonomike, nga e cila domosdoshmërisht përfitojnë edhe vetë universitetet private. Siç dihet, në Shqipëri vetëm dhjetë për qind e popullsisë së rritur ka arsim të lartë, shifër që është më shumë se dy herë më e vogël se shumë vende të rajonit. Qeveria shqiptare ka vënë si synim rritjen e kësaj shkalle në masën 20-25 për qind deri në vitin 2020. Për të arritur këtë qëllim, në tetë vitet e ardhshme duhet të ketë një rritje prej 50 përqindësh të numrit të studentëve çdo vit. Nuk është, megjithatë, ende e sigurt nëse të tilla objektiva do të jenë të arritshme dhe nëse ato do të ndikojnë në ruajtjen apo përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në vend. Në mesin e viteve 2000, 90 për qind e gjithë studentëve në Shqipëri u regjistruan në universitetet shtetërore, por më vonë ky raport u ndryshua, edhe pse vazhdon të jetë thellësisht në favor të sistemit shtetëror. Për të korrigjuar pabarazi të tilla, është e mundur nxitja e një kombinacioni të meritokracisë me një sistem bursash sociale, të talentit dhe ekselencës. Për shembull, në Universitetin Europian të Tiranës, në gjashtë vite jetë të këtij institucioni janë dhënë 21 bursa të plota vetëm në vitin e parë (2006-2007), 60 në vitin e dytë, 140 në vitin e tretë, 140 në vitin e katërt, 65 në vitin e pestë dhe 80 këtë vit akademik, të cilët përbëjnë rreth 10% të numrit të përgjithshëm të studentëve në UET, në varësi të nevojave që lindin. Jam i sigurt se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në universitetet e tjera joshtetërore. Kjo përputhet edhe më një parim të qartë republikan demokratik, që edhe fëmijës së një pastrueseje duhet t’i krijohen shanset dhe t’i gjenden rrethanat për t’u arsimuar. Natyrisht, kjo nuk nënkupton patjetër një diplomë, pasi do të kishim të bënim me manipulim me instinktet demokratike të turmës – siç shprehej Tocqueville, por me ofrimin e mundësisë për të marrë dije shkencore dhe për të fituar përgatitjen e duhur për profesion. Sistemi privat i arsimit të lartë në Shqipëri jep një kontribut të madh në drejtim të mbështetjes për studentë, të cilët nuk kanë mundësi të ndjekin studimet e larta, kategori sociale të pambështetura, që ndoshta nuk kanë pasur kurrë akses për të shkuar në universitet: komuniteti rom dhe egjiptian, shoqata e jetimëve, të verbrit, si dhe fëmijët e policëve të rënë në detyrë. Në pamje të parë duket se sistemi shtetëror i jep shansin çdo individi të vazhdojë studimet e larta, por në realitet, sa kohë Shqipëria vazhdon të ketë përqindje të ulët të atyre që kanë arsim të lartë, atëherë pa sektorin privat të arsimit të lartë, pabarazitë sociale vështirë të korrigjohen dhe përqindja e atyre që duan të arsimohen vështirë se mund të rritet. Duke marrë kuota pa fund dhe të shpërndara keq, kombinuar kjo edhe me barazitizëm, jo barazi shansesh, pa marrë parasysh të ardhurat, në fakt nuk ndihmohen ata individë apo kategori sociale, që realisht kanë nevojë për financim për t’u arsimuar. Si hap i parë duhet të ishte barazia e shanseve për të dy sektorët e arsimit të lartë, shtetëror dhe privat, për të gjithë individët, si dhe një dhe treg i arsimit të lartë i padeformuar e i strukturuar qartë.
*Rektor i UET












