Më 1 gusht, Agjencia Kombëtare e Provimeve nis llogaritjen e pikëve për secilin maturant. Është një proces që do të zgjasë rreth 1 muaj për të paktën rreth 40 mijë nxënës, që konkurrojnë për në shkollat e larta. Më tej, fituesit do të shpallen nga lexuesi optik, i cili do të bëjë renditjen sipas pikëve. I gjithë ky proces do të mbyllet në fillim të shtatorit. Pas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit vijnë detajet nga AKP. “Pas mbarimit të konkurseve, në fund të muajit gusht në disa universitete, si në atë Politeknik, Akademinë e Arteve dhe në Universitetin e Sporteve, rreth 11 shtatorit do të shpallet lista paraprake e fituesve”, tha kreu i AKP, Arben Fagu. Sipas tij, shpallja e dy listave bëhet për arsye se një pjesë e madhe e maturantëve konkurrentë pritet të nisin studimet jashtë vendit. “Pas regjistrimit paraprak do të shohim sa vende vakante krijohen dhe fusim sistemin edhe një herë në punë”, u shpreh Fagu. Dy ditë më parë, në shkollat e mesme të vendit ka filluar të shpërndahet formulari A2, I cili përcakton dhe preferencat e ish-maturantëve për degët që duan të ndjekin. Të rinjtë do të kenë afat deri në fund të korrikut që ta plotësojnë, ndërkohë që në rast të mos dorëzimit të tij Brenda afatit, maturanti penalizohet duke mos u kualifikuar në listën e atyre që do të ndjekin universitetin.
LLOGARITJA NGA NXËNËSIT
Nëse nuk e keni bërë ende, jeni ende në kohë. Përpara se të plotësoni formularin A2, llogarisni pikët që keni grumbulluar nga 5 komponentët e maturës. Vetëm kështu do të dini sa shanse keni për të fituar në degën e preferuar. Nëse pas kryerjes së kësaj llogaritjeje dhe konsultimit me pikët e fundit që kanë marrë vjet fituesit, shihni diferenca të mëdha, bëni kujdes. Dega nuk duhet të caktohet në listën e preferencave. Pasi kështu ju humbni shanset për të fituar. Maturantët kandidatë, që kanë mbaruar një shkollë të mesme në profilin shoqëror, kanë më pak shanse të shpallen fitues në programet e studimit me profil natyror. Nuk sugjerohet plotësimi i më pak se 10 preferencave në formularin A2, sepse zvogëloni shanset tuaja për të fituar një të drejtë studimi. “Kujdes! Këshillojmë që të plotësohen të 10-ta preferencat, në mënyrë që të rrisni shanset tuaja të suksesit”, theksojnë specialistët e MASH. Kur të plotësoni formularin A2, nuk ka nevojë të përsëritet disa herë e njëjta preferencë, sepse nuk jep asnjë ndikim pozitiv në qenien fitues apo jo në këtë program studimi. Kjo do të thotë që preferenca juaj merret vetëm një herë në konsideratë nga sistemi informatikë.
Ku do shpalleni fitues
Preferenca më e lartë është Preferenca 1. Mbi bazën e preferencave të shpallura dhe renditjes së tyre do të shpallen fituesit për secilin program studimi. Kontrollohet fillimisht Preferenca 1, nëse maturanti është fitues, shpallet për regjistrim në Universitetin përkatës. Nëse nuk është fitues në Preferencën 1, kontrollohet Preferenca 2 e kështu me radhë deri në Preferencën 10. Maturanti shpallet fitues në Preferencën më të lartë ku ka grumbulluar pikët e nevojshme. Fitues ai është vetëm në një program studimi, në atë të preferencës më të lartë në grupin e preferencave ku ka grumbulluar pikët e mjaftueshme.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











