Universitetet, këtë vit 1600 studentë më shumë

Jun 9, 2011 | 11:00

Rreth 1600 studentë të rinj do të pranohen këtë vit në shkollat e larta.Krahasuar me vitin e kaluar, ato janë 9% më shumë. Rreth 1/3-tat e tyre janë të orientuara në teknologjinë e informacionit, shkencat inxhinierike dhe shkencat natyrore. Vetëm në teknologjinë e informacionit, në 22 degë apo diploma të lidhura me të, nisin për vitin e ardhshëm akademik studimet 4500 studentë. Gjithçka e bëri me dije dje në mbledhjen e radhës kreu i qeverisë, Sali Berisha. Ai kërkoi që të bëhet gjithçka për të ndërmarrë një kthesë vendimtare në drejtim të cilësisë. “Rendja pas cilësisë është rendja pas suksesit. Lufta dhe përpjekja për cilësi e stafeve tona pedagogjike dhe akademike, e universiteteve tona publike dhe private, është përcaktuese për suksesin e arsimit të lartë”, tha kryeministri. Berisha bëri me dije  gjithashtu se do të ketë rritje të kuotave të pranimit në shkollat e larta për komunitetin rom, egjiptian, si dhe për personat me aftësi të kufizuar, nëpërmjet një procedure të thjeshtuar. Ai insistoi në rritjen e interesit për lëndët të tilla si matematika, fizika. “Kjo, jo për të lenë lëndë të tjera jetime, absolutisht jo, por për specifikat e tyre, këto lëndë mund të mbeten jetime më lehtë se të tjerat. Dhe këto nuk mund të skajohen, sikundër është gjuha shqipe, kjo gjuhë e mrekullueshme  e bukur, një nga më të bukurat që ekziston”, nënvizoi Berisha. Sa i përket tarifave, Berisha theksoi se ato nuk do të rriten. Shtesë do të jetë vetëm inflacioni. “Rritje tarifash nuk mund të ketë, siç dihet inflacioni është inflacion dhe ai është i detyrueshëm. Ne jemi qeveri e qendrës së djathtë, simotrat tona kudo vendosin tarifa të larta, ne nuk e bëjmë këtë. Ne nuk e bëjmë këtë, sepse besojmë se aspekti social i sistemit që ndërtojmë, jashtë çdo hipokrizie dhe dogme marksiste është i domosdoshëm, ndaj dhe ne mbetemi siç kemi rënë dakord vitin  e kaluar, që nuk do të ketë rritje përveç inflacionit. Inflacioni do të jetë i detyrueshëm, se përndryshe bëhet i papërballueshëm gjatë viteve që vijnë”, u shpreh kryeministri.

4500 studentë të rinj do të pranohen në 22 degët që kanë lidhje me teknologjinë e informacionit. Ato zënë pjesën
më të madhe të kuotave të shtuara nga qeveria.

9 PER QIND

më të larta se vitin e kaluar do të jenë këtë vit kuotat e pranimit në universitete. Gara pritet të nisë fill pas përfundimit të 3 provimeve që kanë mbetur për Maturën. Më tej, me anë të pikëve do të zgjidhen kandidatët fitues.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura