
Nuk ka një listë të mirëfilltë që i klasifikon universitetet nga më i miri te më i dobëti. Të paktën kjo pritej prej muajsh nga të gjithë.Në prezantimin e djeshëm, universitetet janë grupuar sipas fushave të studimit. Janë katër të tilla: Ekonomik Biznes, Juridik, Shkenca Sociale dhe Infermieri. Për to janë pasqyruar dallimet mes indikatorëve të cilësisë, të cilët janë matur nga ekspertët e kompanisë gjermane. Bëhet fjalë për 21 shkolla të larta publike e private, të cilat u bënë pjesë e rankimit. Në praninë e kryeministrit të vendit, Sali Berisha, përfaqësuesit e kompanisë gjermane, e cila mori përsipër të ofrojë këtë shërbim për 150 mijë euro, bënë publike të dhënat. “Objektivi kryesor i renditjes është të japë informacion për studentët e ardhshëm, d.m.th. për universitetin që ata do të zgjedhin për të studiuar. Jo të gjithë studentët janë të interesuar për të njëjtat fusha. Ata kanë interesa të ndryshme. Kështu, për studimet në Biznes janë marrë parasysh 14 tregues. Nëse, për shembull, një student është i interesuar në kërkim shkencor, atëherë mund të zgjedhë tetë universitete që kanë marrë rezultate të mira në këtë tregues”, tha Sinc Frank Ziegele, drejtues i projektit të kompanisë gjermane. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë, Sali Berisha, deklaroi se numri i studentëve është trefishuar. Ai pranoi se nuk është investuar sa duhet në buxhet e infrastrukturë. Kryeministri tha se universitetet duhet t’u nënshtrohen vlerësimeve periodike, në mënyrë që të sigurojnë cilësi për studentët. “Ne duhet të kemi sistemin e renditjes. Asnjë cilësi nuk është njëherë e përgjithmonë e dhënë. Po të ndiqni PISA-n, ju shihni se si lëviz pozicioni i saj në vlerësimet që bëhen në grupin e vendeve të OECD-së”, tha Berisha. Ai shtoi se liria akademike është ndër më të rëndësishmet për cilësinë e shkollave të larta. “Besoj se jemi të gjithë në një mendje se për të ardhmen e sistemit tonë universitar, për të ardhmen e këtij vendi, nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa rendja pas cilësisë, sesa gara e cilësisë në universitetet tona. Kjo është gara më e vështirë, e cila kërkon mundime të shumta dhe potenciale të reja. Kjo garë është vendimtare në realizimin e projektit “Shqipëria vend i zhvilluar”.”,tha kryeministri
Grupimi i universiteteve
Nga sa bëri me dije MASH-i, klasifikimi i institucioneve është realizuar më gjerësisht në tri grupe. Secilit grup i korrespondon një ngjyrë. Grupi i sipërm (ngjyra jeshile), grupi i mesëm (ngjyra e verdhë) dhe grupi i poshtëm (ngjyra e kuqe). Për fusha të caktuara universitetet janë renditur sipas grupeve. “Qëllimi kryesor i renditjes është informimi më i mirë i studentëve për ofertën në sistemin tonë të arsimit të lartë. Këtij qëllimi i shërben edhe renditja shumëdimensionale. Ajo ofron një gamë të gjerë treguesish që e ndihmojnë studentin të zgjedhë shkollën e lartë sipas interesave të tij parësore. Kualifikimi i pedagogëve është treguesi më i rëndësishëm i cilësisë në një institucion të arsimit të lartë”,sqaroi MASH. Kjo do të thotë që, studenti që dëshiron të studiojë në një nga fushat, Ekonomik Biznes, Juridik, Shkenca Sociale dhe Infermieri, duhet të orientohet në tabelën përkatëse që do të publikohet në faqen zyrtare të MASH dhe të shohë se cila shkollë e lartë ka trupën pedagogjike me nivelin më të lartë të kualifikimit, do me thënë, shkolla që për këtë parametër është kualifikuar në grupin e sipërm.
Institucionet e arsimit të lartë kanë mundësi që nëpërmjet renditjes të krahasohen për nga cilësia e ofertës dhe të zhvillojnë strategji për të ardhmen e tyre. Në këtë projekt nuk mori pjesë universiteti më i madh në vend, ai i Tiranës. Krerët e tij kundërshtuan renditjen, me argumentin se fillimisht institucionet e arsimit të lartë duhet të akreditohen.
Kriteret për rankimin
Kritere për pjesëmarrjen e institucioneve të arsimit të lartë në projektin pilot ishin përkatësisht: angazhimi i institucionit për pjesëmarrje, fushat e studimit (Ekonomi, Shkenca Sociale, Drejtësi dhe Infermieri), numri i studentëve (më shumë se 15 studentë për një program studimi), numri i studentëve që kanë përfunduar studimet ose që vazhdojnë vitin e tretë të ciklit të parë të studimeve. Rankimi vjen në kuadër të projektit pilot të renditjes së institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri, si pjesë e programit “Cilësi dhe barazi në arsim”. Programi mbështetet nga qeveria shqiptare, Banka Botërore, Banka Europiane për Investime dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës.
Indikatorët e cilësisë
. Kualifikimi i personelit
. Metra katror/studentë
. Raporti pedagog/studentë
. Treguesi i punësueshmërisë
. Orientimi ndërkombëtar
. Diplomuar brenda stafit
. Çështje të veçanta të mësimdhënies
. Ngarkesa mësimore
. Tregues cilësie
. Publikimet më të mira
. Veprimtaria shkencore
. Reputacioni në kërkimin shkencor
. Reputacioni në arsim
. Infrastruktura më e mirë
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











