Intervista/ Flet Megi Mazreku, menaxherja e programit.
Në ndihmë të të gjithë të interesuarve, të cilët duan të ndjekin shkollën e lartë në universitetet e Britanisë së Madhe. Programi “Study in England”, i krijuar në vitin 2003, ka për mision informimin për të bërë zgjedhjen e duhur si dhe mundësitë për të përfituar bursë. Në intervistën për gazetën, menaxherja e programit “Study in England”, Megi Mazreku, sqaron mënyrën si funksion ky sistem.
A mund të na bëni një prezantim se çfarë është programi juaj “Study in England”?
Study in England është krijuar në vitin 2003 dhe ne bashkëpunojmë me shkollat, kolegjet dhe universitetet më të mira në Londër, Kembrixh dhe Oksford. Mbretëria e Bashkuar është një vend shumë tërheqës për studentët. Ka shume institucione për të zgjedhur, prandaj ne jemi këtu në Shqipëri këto ditë, që të bëjmë zgjedhjen tuaj së bashku, të zgjedhim shkollën më të mirë. Misioni ynë është që studentët shqiptarë të njihen me sistemin dhe opsionet që ofron Mbretëria e Bashkuar. Kemi përfaqësues jo vetëm në Tiranë, por edhe në Londër, Kembrixh dhe Oksford. Duke njohur shumë mirë sistemin e edukimit në Britaninë e Madhe, ne mund t’i përgjigjemi çdo pyetjeje që ju keni dhe t’ju ndihmojmë në zgjedhjen më të rëndësishme të jetës suaj. Nëse nuk jeni të sigurt se çfarë të zgjidhni, ne mundësojmë vizita në shkollat e preferuara për të ndihmuar në zgjedhjen tuaj. Kostoja e studimit, nëse aplikoni direkt në kolegj apo nëpërmjet një agjenti arsimor, është e njëjtë. Ndryshimi qëndron në faktin se ne kemi njohuri të shkëlqyera të programeve që këto institucione ofrojnë dhe dimë t’ju orientojmë të bëni zgjedhjen më të mirë për të realizuar ëndrrën tuaj studimore. Dhe ky shërbim që ne ofrojmë është krejtësisht falas.
Si funksionon sistemi i përgatitjes për në universitetet në Britani?
Niveli A (A-level) është një sistem kolegji, i cili fillohet në moshën 16-vjeçare dhe është ideal për ata studentë, të cilët kanë ide të qarta se në cilat degë duan të studiojnë në universitet. Ky konsiderohet kualifikimi i artë standard në shtetin anglez dhe është opsioni i preferuar i atyre studentëve që duan të aplikojnë në Kembrixh, LSE apo në dhjetë universitetet më të mira në mbarë Anglinë. A-level përfshin 3-4 lëndë të zhvilluara në dy vjet. Ndërsa University Foundation është ideal për studentët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri (17/18+) dhe dëshirojnë një program të shpejtë njëvjeçar që u shërben për të hyrë në universitetet britanike. Pas moshës 16-vjeçare, studentët mund të ndjekin kolegjet me gjashtë forma ose institucione të tjera të mëtejshme të arsimit. Pas dhënies së provimeve të GCSE-së, studentët mund ta lënë shkollën e mesme ose mund të zgjedhin të vazhdojnë studimet e tyre në kolegje profesionale a teknike, ose mund të japin provime të një niveli më të lartë të shkollës së mesme, i cili njihet si AS-levels pas një viti shtesë studimi. Duke ndjekur dy vite studimi, studentët mund të japin provimet e A-level (Niveli i Avancuar), të cilat kërkohen për të hyrë në universitetet e Mbretërisë së Bashkuar.
Mund të na thoni diçka për Cambridge Education Group (CEG), që tashmë është prezent edhe në Shqipëri?
Që në vitin 1952, Cambridge Education Group ndihmon studentët e Mbretërisë së Bashkuar dhe ata ndërkombëtarë për të arritur më të mirën e tyre nga ana akademike dhe kreative. Studentët e CEG vijnë nga mbi 120 vende dhe vazhdojnë studimet e tyre jo vetëm në universitetet më prestigjioze në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe në universitetet kryesore në mbarë botën. CEG ka krijuar një reputacion të lakmueshëm me universitetet më të mira të Mbretërisë se Bashkuar. Ata janë specialistë në ofrimin e programeve akademike dhe të gjuhës angleze, duke pasur dhe shtrirje globale. Falë fokusimit në cilësi për çdo fazë të studimeve dhe suksesit të padiskutueshëm të studentëve të CEG, tashmë CEG është ofruesi më i madh dhe i pavarur i arsimimit të të rinjve në Mbretërinë e Bashkuar. Ne kemi një angazhim absolut në ofrimin e standardeve më të larta të mësimdhënies, mbështetje të studentëve në çdo hap dhe akomodim të rehatshëm. Nëpërmjet shkollave dhe kolegjeve, studentët e CEG kanë akses në një gamë të gjerë të programeve arsimore në Mbretërinë e Bashkuar, duke filluar që nga “English language holidays for Juniors”, e deri te kualifikimet akademike tradicionale si “A-Levels”, Cambridge Pre-U dhe programet akademike, duke përfshirë dhe Artet. Gjithashtu, CEG ofron kurse të gjuhës angleze, si Academic English, General English. Kurse verore të gjuhës në shumë vende atraktive, një aventurë perfekte për të mësuar gjuhën angleze. CEG ofron një sërë mundësish për të vazhduar studimet “Master” në Universitetin e Londrës. Programi “Master Foundation” ofrohet në Universitetin Birkbeck të Londrës. Studentët, të cilët përfundojnë programin, mund të aplikojnë për çdo lloj diplome “Master” që ofrojnë partnerët e Universitetit të Londrës, si Queen Mary, Goldsmiths, Royal Holloway, Instituti i Edukimit. CEG ka një partneritet të gjatë me mbi 60 universitete në Mbretërinë e Bashkuar dhe punon ngushtë me Oxford dhe Cambrigde në përgatitjet e Oxbridge, ofron kurse me qëndrim në kampuse për kolegjet e Universitetit të Londrës (Birkbeck, Goldsmith dhe Queen Mary); LSE dhe Imperial tashmë presin aplikime nga studentët e CEG; Universiteti i Arteve të Londrës dhe Kingston ofrojnë organizime të intervistave ekskluzive dhe akreditojnë programet e CEG.
Kur do të kenë mundësinë studentët shqiptarë për të pasur një intervistë me ju?
Regjistrohuni te Study in England dhe pasi të kryeni Entry test, mund të realizoni një takim me z. Chris Broadhurst, Market Development Manager i CEG së bashku me Dr. Kevin Savage, drejtorin e CATS Cambridge dhe Dr. Glen Hawkins, drejtorin Ekzekutiv, të cilët do të jenë të pranishëm në Tiranë në datat 13-16 shkurt për të intervistuar të interesuarit. Nëse nuk dëshironi të merrni pjesë në provim, por dëshironi vetëm informacion, mund të regjistroheni vetëm për një takim me përfaqësuesit e Cambridge Education Group. Oraret e intervistave do të jenë për datën 13 shkurt nga ora 17:00- 20:00, datën 14 nga ora 9:00-13:00 dhe me datë 15 ora 9:00-13:00 dhe 16:00-20:00
Ju keni mundësinë që të përfitoni një ulje deri në 30% të kostos së studimit në Angli. Bursat do të ofrohen duke u bazuar te rezultatet e testit të pranimit, i cili përfshin testin e Matematikës dhe të Anglishtes dhe nga intervistat me Dr. Kevin Savage, drejtorin e CATS Cambridge dhe Dr. Glen Hawkins, drejtorin Ekzekutiv të CEG.











