Do të kenë një javë kohë për të dorëzuar në shkolla formularin A2. Nga sot, 41 mijë maturantë nisinë të bëjnë zgjedhjen e degëve ku do të konkurrojnë në shkollat e larta. Afati i fundit për ta është data 30 korrik.Nga një neglizhencë e tyre apo gabim në plotësimin e formularit, u varet e ardhmja prej studenti. Ndaj, duhet të bëjnë shumë kujdes. Apeli vjen nga Ministria e Arsimit, e cila prej muajsh tashmë tërheq vëmendjen e nxënësve për të mos gabuar me të gjitha hapat e Maturës Shtetërore. “Plotësoni personalisht formularin A2, në mënyrë që t’i kontrolloni vetë degët e vendosura. Mos e lini në dorë të personave të tjerë, sepse mësuesit, prindërit apo të njohurit kanë të drejtë vetëm t’ju këshillojnë”, thonë specialistët e Ministrisë së Arsimit. Përpara se të plotësojnë formularin, maturantët duhet të bëjnë një llogaritje të pikëve. Me tej, ata duhet të konsultohen me fituesit e fundit për çdo degë. “Maturantët kandidatë që kanë mbaruar një shkollë të mesme në profilin shoqëror, kanë më pak shanse të shpallen fitues në programet e studimit me profil natyror. Nuk sugjerohet plotësimi i më pak se 10 preferencave në formularin A2, sepse zvogëloni shanset tuaja për të fituar një të drejtë studimi”, sqarojnë specialistët. Sipas tyre, këshillohet që të plotësohen të 10-ta preferencat, në mënyrë që të rriten shanset për të fituar. “Nuk është e detyrueshme dhe është njëlloj e “dëmshme” nëse listën e preferencave e shtojmë artificialisht me programe studimi për të cilët nuk arrini pikët e mjaftueshme apo nuk keni mundësi (financiare) t’i ndiqni, sepse janë në Universitete larg qendrës suaj të banimit”, bën me dije Ministria e Arsimit. Sipas MASH, shifrat që përbëjnë numrin e kodit të programit të studimit dhe që plotësohen në pjesën e sipërme djathtas të formularit A2, duhet të jenë qartësisht të lexueshme, sepse mund të bëhen ngatërresa. “Është e këshillueshme që plotësimi të mos bëhet menjëherë në formularin origjinal, por të bëhen prova në fotokopje të tij, derisa të jeni të bindur për zgjedhjet që keni bërë”, thonë specialistët. Preferencat e para duhet të plotësohen me degët më të dëshiruara dhe pastaj të tjerat me radhë në bazë të dëshirës, sepse, nëse maturanti vendos një degë që nuk është shumë e preferuar në preferencat 1,2,3 dhe fiton në këto degë, nuk ka shanse në degët e preferuara që renditen më poshtë edhe sikur të kenë arritur pikët e mjaftueshme për t’u shpallur fitues.
Përputhja e shifrave
Gjatë plotësimit të A2, kujdesuni që shënimet (shifrat) në pjesën e poshtme të formularit të përputhen me pjesën lart. Duhet të kini të qartë që informacioni në pjesën lart – djathtas është ai që lexohet nga operatorët gjatë hedhjes së të dhënave në kompjuter. Me shënimet e bëra në pjesën e poshtme operatori konsultohet kur ka dyshim në shifrat e shkruara në mënyrë të pakuptueshme në pjesën e sipërme. Lexoni me vëmendje programet e studimit që do të zgjidhni në formular, duke bërë shumë kujdes në leximin e vëmendshëm edhe të tekstit të shkruar në kllapa. Atje përcaktohet filiali i universitetit dhe në disa raste kohëzgjatja e studimeve.
Analfabetë, 0.4 për qind e fëmijëve në moshë shkolle
Mbetet ende një fenomen shqetësues për vendin tonë. Braktisja e shkollës ose analfabetizmi në rang vend arrin në shifrat 0.4%. Të paktën këto janë të dhënat zyrtare që raportohen nga Ministria e Arsimit. Por, shpeshherë janë hedhur aludime se shifrat janë më të larta. Sipas drejtuesve të MASH, në 5 vitet e fundit braktisja e shkollës është ulur ndjeshëm. Më parë ajo ka qenë në masën 1%. Pjesa më e madhe e fëmijëve që nuk nisin klasën e parë ose e braktisin shkollimin që në fillore, i përkasin komunitetit rom. Megjithatë, nuk mungojnë raste të tilla ku prindërit detyrohen të heqin nga shkolla fëmijët për shkak të pamundësive ekonomike. “Shifrat e para kanë qenë relativisht rëngjethëse, të mëdha edhe më shumë se sa 1% e nxënësve rezultonin braktisës. Në vitin e kaluar shkollor rezultonte 0.4% e nxënësve braktisës”, shprehen specialistët e Ministrisë së Arsimit. Sa i përket analfabetizmit, arsimtarët thonë se janë ngritur disa klasa në qytetet kryesore, si Tirana, Shkodra, Durrësi, Korça e Gjirokastra, të cilat trajtojnë fëmijët që kanë probleme në të kuptuarin e programit mësimor. “Ne duhet të mos kemi analfabetë, të paktën në moshën e pranueshme që mund të bëjnë shkollë. Në shkollat në Tiranë, Elbasan, Korçë e Berat është një numër i konsiderueshëm. Janë dy klasa për secilin rreth me nga 40 vetë”, thonë ekspertët e MASH. Por, krahas fëmijëve romë dhe egjiptianë që braktisin shkollën për arsye ekonomike sipas arsyeve që rendisin specialistët, një grup tjetër janë dhe fëmijët e familjeve të ngujuara, të cilët si pasojë e fenomenit të gjakmarrjes janë të detyruar të mos shkojnë kurrë në shkollë.
0.4 per qind
është niveli i braktisjes së shkollës në rang vendi. Sipas Ministrisë së Arsimit, analfabetizmi është ulur ndjeshëm gjatë këtyre 5 viteve
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











