Unioni Ndërkombëtar i Noterëve, medalje Halimit për reformat

May 5, 2012 | 13:23
Berisha dje në Kongresin e Noterëve

TIRANE – Unioni Ndërkombëtar i Noterëve i dha dje ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, medaljen për reforma dinamike në Noteri. Dorëzimi i medaljes është bërë në kuadër të një aktiviteti të mbajtur në Tiranë, ku dje zhvilloi punimet Kongresi i Parë i Noterëve. Motivacioni i medaljes për ministrin Halimi lidhej me reformat e ndërmarrja në vitet e fundit nga Ministria e Drejtësisë lidhur me sistemin e noterisë në Shqipëri, përfshi edhe rregullimet ligjore që janë bërë muajt e fundit në dhënien e një hapësire më të madhe noterëve në transaksionet financiare dhe regjistrimin e pronave. Në Kongresin e Parë të Noterëve, që u mbajt dje në Tiranë, morën pjesë përfaqësues të dhomave të Noterisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, ndërsa kongresi u nderua edhe nga pjesëmarrja e Kryeministrit Sali Berisha dhe ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth. Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij në kongres e cilësoi me rëndësi të madhe bashkëpunimin e noterëve me agjencitë e zbatimit të ligjit për të frenuar pastrimin e mundshëm të parave, që mund të bëhet me anë të transaksioneve të ndryshme. “Çfarë tregojnë të gjitha vëzhgimet e analizat e lidhura me terrorizmin, si kërcënimi më direkt për shoqërinë e sotme. Terrorizmi ka një mekanizëm, pa të cilin nuk mund të ekzistojë, dhe ky mekanizëm është larja e parave. Kontributi juaj në këtë fushë është jetik, vendimtar. Unë ju shpreh vlerësimin tim, sepse agjencitë respektive më kanë informuar se ato kanë një bashkëpunim plotësisht të besueshëm, që e vlerësojnë lart, me zyrat tuaja. Lufta kundër larjes së parave të pista është një luftë për sigurinë, dhe siguria është më e para për çdo qytetar, çdo vend e shoqëri”, tha Berisha gjatë fjalës së djeshme. Ai vlerësoi noterët duke thënë se është informuar nga organet e varësisë se ata kanë pasur një bashkëpunim të mirë dhe shkëmbim informacioni në luftën kundër fenomeneve kriminale.

Reformat për noterinë
Gjatë Kongresit të Parë të Noterëve që u mbajt dje në Tiranë, ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, theksoi se ka pasur reforma dhe përmirësime në këtë sektor, ndonëse ka vend për të bërë edhe më shumë. Ambasadori Volfarth theksoi se mund të shikohet rritja e rolit të noterit në disa çështje gjyqësore me të cilat aktualisht ngarkohen gjykatat. “Gjykatat mund të lehtësohen nga disa shërbime që mund t’i bëjnë noterët”, tha ambasadori. Sipas statistikave, gjykatat kanë në fakt mbingarkesë me çështje civile në shqyrtim.

© Panorama.al

Te lidhura