Një burrë (emërore)
Në mëngjes, pasi ia ka zënë frymën për të 17-n herë alarmit të celularit, zgjohet dhe merr telekomandën e televizorit.. Sheh titujt e gazetave, dëgjon lajmet, e kalon tek një këngë që e zgjedh pasi i merr me radhë nja tridhjetë herë kanalet. Në pjesën e kafesë së mëngjesit, aty nga fundi, i ka dalë gjumi. U jep nga një porosi fëmijëve (me mendjen e fjetur që ka për t’u dalë menjëherë nga veshi tjetër) dhe i hedh asaj një vështrim të ngrohtë, mbështetës e kërkues (se fundja ai është burri) dhe kështu e nis ditën.
I (e) një burri (gjinore)
Ajo, gruaja e një burri si ky, ka marrë një sinjal domethënës prej tij dhe e ka anuar pak kokën, siç bindet luledielli, duke e ndjekur me qetësi në të njëjtin drejtim nga Lindja në Perëndim, çdo ditë. Rrezet e tij herë përvëlojnë, herë janë të vakëta, të zbehta…. Edhe?
Një burri (dhanore)
Edicioni i lajmeve njoftoi se një burri i kishte rënë bingoja. I dhanë paratë dhe e pyetën se si do t’i shpenzonte. Ai nuk u përgjigj kurrë për këtë.
Edicioni i lajmeve të nesërmen njoftoi se një burri ia morën paratë dhe ia bënë rrush e kumbulla…
Një burrë (kallëzore)
Mbas gjithë kësaj historie, atë burrë e mbajnë në familje për shans. E marrin me vete kudo për fat. Madje, edhe kur ndonjëri blen shtëpi të re, shkon ai për mbarësi. E kanë hajmali, siç kanë indianët elefantin, por kurrë nuk ia zë njeri me gojë atë punën e rrushit dhe kumbullave.
Prej një burri(rrjedhore)
…në mëngjes, pasi ia ka zënë frymën për të 17-n herë alarmit të celularit….Po kërkoj një mbyllje të lumtur për këtë histori. Provoj këtë:
Fëmijët po mësojnë prej atij burri, ndërsa gruaja, jo gjithmonë po e pëson prej atij burri.
Kam një lloj gëzimi të brendshëm, kur mendoj se edhe sikur emri “burrë” të lakohej në njëqind rasa të tjera, ata do të ishin duke bërë me kaq thjeshtësi të njëjtën gjë; duke mbështetur, rrëzuar e prapë mbështetur pafundësisht njëri-tjetrin.
Në vend të mbylljes, po vë një këshillë verore:
“Mos i besoni shumë vetes në plazh! Mbani syze sa më të errëta!
Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]











