Nga t’ia fillosh një shkrimi për një burrë që funksionon edhe si lavatriçe, edhe si sobë me gaz. Gratë që nuk kënaqen kurrë, do të gjejnë patjetër ndonjë të zezë për t’ua bërë këngë. Do të thonë: “Hë mi se atë e bën gruaja lolo”. Meqenëse rrinë vetëm duke u qarë për ata të vetët, kur shohin që burrat e botës ngulin ndonjë gozhdë në shtëpitë e tyre, bëhen copash derisa të gjejnë ndonjë “njollë” edhe për ata. Marrin pozicion indiferent kur kalon ndonjëri i ngarkuar me çanta në duar, fillojnë e skuqen, mbushen me puçrra, grinden me leckat e tyre, pastaj çlirohen duke thënë se ai me siguri po mbulon horllëqet e veta. E kanë mendjen kaq pjellore, saqë parashikojnë se çfarë do të ketë ndodhur kur marrin vesh se burri i ndonjërës ka mësuar të përdorë edhe lavatriçen (se në të vërtetë, të rrallë janë burrat që kanë diplomë të nivelit të dytë për përdorim lavatriçeje në proceset e gjata dhe të shkurtra). I shohin me sy të keq ata që janë mjeshtër në skuqjen e vezëve, por dinë të bëjnë edhe supë me perime pale. Më të rrezikshmit janë ata që gatuajnë pa u thënë njeri dhe e bëjnë këtë me pasion të madh. Këta futen në kategorinë “Heretikët”. Sipas grave që i peshojnë burrat e botës në bazë të peshores që përdorin për ata që kanë në shtëpi, këta “kuzhinierët” do kenë një hall shumë të madh dhe përpiqen me patjetër të manipulojnë hollë gratë dhe njerëzit përreth. Por, sipas grave të kategorisë “S’na e hedh dot neve ti”, ata i tërheq gruaja nga kapistalli. Paqja nuk paska qenë për këto femra. Nuk i zë vendi kur i vërtetohet dyshimi se “ai” shkon në shkollën e fëmijëve në takim me prindër dhe u rrinë fëmijëve te koka. “Aman se edhe kështu nuk ke ç’e do burrin!”, thonë. Baballarët e fëmijëve të tyre, në fakt mund të mos e dinë ndoshta se në ç’klasë mësojnë fëmijët.
Tani që i kalova një sy shkrimit, po më duket ide shumë e mirë kjo puna e burrit shumëfunksional, pavarësisht se mund të kalojë pa e pasur mendjen fare në sitën e imët të grave që pretendojnë se i njohin më mirë, nga ç’mund të njohin ata veten.
Puna është se gratë nuk e stakojnë dot butonin e ankesave.
Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]











