Nuk thonë kot: “Dorë burri”. Anatomikisht është e madhe, e mbushur dhe leshatore. Nga ky përshkrim që po bëj duket sikur po flas për një jastëk të butë me pupla. E parë nga këndvështrimi i një gruaje që pret pikërisht nga kjo “dorë”, bota duket ndryshe. Asaj mund t’i duket si një bankë e nivelit të lartë. Kjo lloj dore-bankë i ka shumë të larta interesat dhe po re në kurthet e saj, kontratat janë me përqindje që nuk i shlyen dot pa u robëruar keqas. Të duash të blesh një qese fara luledielli, të kushton sa të mbjellësh e korrësh vetë një arë të tërë. S’ke ç’bën; të ka në dorë.
Duke qenë e madhe, ajo dorë të zvogëlon vetvetiu. Të dish të lexosh në vijat e saj, ia hodhe. Mund të kuptosh nëse do të kesh fat për të të dhënë dikush leje për të marrë frymë, për të folur apo për të…. Vetëm kur ka ndonjë metaforë që nuk e kupton lehtë, ajo shndërrohet në një lopatë që, kur të prek kurrizin, ta bën atë më të butë se barkun.
S’ke ç’bën, të ka në dorë.
Po të duash të mendosh ndonjë gjë nga ato që ai as nuk i çon nëpër mend, ajo afrohet lehtë te supi dhe trysnia që rritet i çon sinjale trurit për t’i dhënë të kuptojë që ka diçka më të sofistikuar se ai që bën ligjin. Më të sofistikuar!? Dallon nga truri vetëm nga një gjë, që nuk i duhet ta përpunojë aq shumë informacionin sa ai, po i merr vendimet vetë.
Të përfshin dhe, sado të përsërisësh fjalinë antistres: “Jam mirë, jam shumë mirë”, e ndjen gjithmonë e më afër lëkundjen e saj si gjethe palme.
Bëj një urim për veten tënde dhe thuaj: “Rënça në një dorë të mirë!” Ose të shpresosh që të paktën ta ndërrojnë dorën!
Një burrë do të mendonte në mënyrë analoge për dorën e një femre, po këtë bën mirë të mos e marrë shumë shtruar, se është e diel dhe njeriu e do një çikë liridalje.
Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]











