Më kanë rënë shpesh në dorë libra të vegjël xhepi me gjëegjëza. U kam hedhur një sy e disave ua kam parë përgjigjet e shkruara me kokëposhtë. Por, kësaj jave më ka ndodhur të dëgjoj një gjëegjëze që nuk ishte fare nevoja t’ia shihje përgjigjen fshehurazi. E ktheva fjalën e fshehur për sëmbari dhe m’u duk se po shfletoja një roman të tërë mijërafaqesh aspak të rëndë apo të padeshifrueshëm. Parathënia e kësaj vepre gjallon në mënyrë dinamike që në rreshtat e parë dhe aty është e gjithë esenca pa pasur nevojë të hysh e të lexosh në dhjetëra kapituj. Një grua më nxiti të futesha nëpër ca gjini letrare që nuk janë aspak një lehtësim për t’i lexuar siç duhet burrat. Ajo më ndërtoi një gjëegjëzë të tillë: “Çfarë i thua ti një njeriu që të kërkon të jesh në një hap me të dhe pastaj të akuzon se po ecën pak si shpejt?”. Këtu ngeca unë. Dhe si të mos më mjaftonte kjo, në kokë m’u zbraz një arsenal me pyetje që mbaronin me një shpërthim të vogël. Preferova të tërhiqesha dhe të mos thosha ndonjë gjë. Të ecësh në një hap me dikë domethënë ta bësh hapin sa ai. Po sikur ai apo ajo të jenë nga dy metra dhe ta bëjnë hapin më të madh. Një fije shprese më gëzon, se më duket kjo nuk ka lidhje fare me gjatësinë. Po ta njihja atë burrin, do ta kisha pyetur vetë se pse ai nuk po ushtrohej nga pak e të përpiqej të rriste shpejtësinë. Tani ka plot mundësi njeriu. Mos i merren mendtë! Ajo gruaja e mbylli gjëegjëzën e saj me pëllëmbët e duarve gjysmë të mbyllura dhe i shtrëngonte lehtë në bel. Edhe tani e besoj fort se ajo ishte e bindur se as nuk i jepja dot zgjidhje, po as ajo nuk e donte këtë nga mua. Si një çelës drite, ndiz e shuaj. Nga të shkojë! Të ecë përpara, është ai; të bëjë mbrapa, nuk do prapë ai. Po çfarë e tremb atë kaq shumë. Fizika është shpirtngushtë, thotë se sa më e ashpër sipërfaqja, aq më i madh fërkimi. Këto çifte duket sikur e kanë gjuhën si letër smeril dhe gërryejnë gjithë kohës durimin e tjetrit, derisa ta hollojnë fare e ta bëjnë të tejdukshëm. Frikësohen nga lartësia që mund të arrijnë dhe e gërryejnë bazamentin e durimit derisa krijohen ca vrima të zeza përthithëse pa kthim. Po aty zhduken dhe nuk mbetet më asgjë nga gjithë ajo kohë, kur të dy u përpoqën kaq shumë të hanin me shkopinj kinezë (se ashtu bëjnë të zgjuarit), të ecin majë sandalesh e këpucësh pa u spërkatur me baltë (se ashtu duken si yje)…. Të dy u plandosën në ferrin hoje-hoje e dredha-dredha ku shkelën nga halli.
“Çfarë i thua ti një njeriu që të kërkon të jesh në një hap me të dhe pastaj të akuzon se po ecën pak si shpejt?”. Me leje, ta them unë: “Burri i një gruaje që e meriton një shofer si ky”.
Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]











