Unë gruaja, përballë!- Burrë e grua prej letre

Jun 26, 2011 | 12:31

Kanë kaluar shumë vite që nga koha kur e besoja në të vërtetë lojën me kripore. Nëse nuk ju kujtohet, e kam fjalën për letrën e palosur tetë herë, ku në secilën ndarje shkruhej lloji i një profesioni të caktuar apo emri i një personi. Kam bërë hile sa herë që nuk më qëllonte ajo që doja. Tani këtë lojë e luajmë në të vërtetë, me persona real dhe hile nuk bëjmë dot aq lehtë. Na mbetet numërimi diku dhe për arsye që jo gjithmonë mund t’i shpjegojmë, nuk lëvizim te një numër tjetër. Në fillim ka pasion, pastaj pak ngushëllim të vetes se mos ne na duket se nuk po shkojnë gjërat mirë, pastaj nis epoka e akuzave të ndërsjella për të mos ia nxjerrë dot kurrë fundin. Ai bën rolin e tij, ajo luan pjesën e saj. Nëse do t’na shkonte mendja të stamponim një kartolinë me titull: “Martohu po deshe”, mjafton të kesh imazhin e një çifti që i është djegur filmi me kohë e tani negativët e fotos janë në një nuance si në të kuqe. Të përskuqur jo nga dashuria, por nga inati se si nuk patën guxim ta grisnin atë copë letre, para se ajo t’ua griste e gërvishte jetën një herë e përgjithmonë. Uuu sa herë do të jenë bërë gati ta bëjnë copë e cikë e ta zhdukin fare atë copë letre që i ka bërë burrë e grua vetëm në letër! Po kjo është si ata zvarranikët që, sa ua këput kokën, tak nxjerrin një të re. E merr këtë shkresë në dorë, e mbledh top dhe e hedh deri lart në tavan e të bie prapë në kokë. E merr këtë shkresë, e lë diku ( sikur e ke harruar) e të vjen një fëmijë i vogël nga pas, duke kujtuar se e ke harruar pa dashje. Një burrë e një grua prej letre janë idealë. Ata kurrë nuk ankohen nëse tjetri vonohet, nëse flet sikur po trajnon një qen kufiri, nëse të harron në supermarket si një qese me vegla pune. Jo, ata janë në paqe. U tregojnë njëri-tjetrit për njerëzit që kanë njohur e që u kanë hyrë në zemër, për diçka që u ka lindur në zemër në heshtje për dikë, kur kanë kohë paguajnë ndonjë detyrim që kanë për fëmijët ose bëhen bashkë në ndonjë dasmë sa për sy e faqe. Do t’më argëtonte më shumë se loja me kripore, nëse e gris më dysh atë copkë letre dhe me të mbështjell portretin e secilit dhe i afroj me lloj – lloj portretesh të tjera për të parë se më kë shkojnë më shumë. Pa e mbaruar akoma këtë fjali, më lindi dyshimi se edhe ata vetë ndoshta nuk do të donin që unë të luaja me këtë lojën e re. Ata janë sistemuar ashtu dhe kanë krijuar kodet e tyre. Kanë në dorë njëri- tjetrin, sa herë duhet të firmosin në kontrata të përbashkëta, në fatura e për kusure të tjera që, pa to në fakt, do të harronin se janë martuar.
Sa vapë po bën këtë javë! Këta tipat më lart e kanë marrë tani atë letrën, e kanë bërë si strehëz e po theken në diell. Më mirë përdorni një çadër në këto raste!

 

Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]

© Panorama.al

Te lidhura