
Fadromat kanë zbarkuar sërish pranë Kopshtit Botanik në Tiranë. Sinorët e hekurit që kanë vijëzuar hapësirën e cila do t’i merret këtij kopshti, duken që nga hyrja.Ka filluar gjithashtu prerja e pemëve, ndonëse nuk janë të shumta në këtë hapësirë. Rinisja e punimeve për ndërtimin e Unazës së madhe është shoqëruar dje me protesta. Kësaj here kanë qenë studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të mbështetur nga shoqata ambientaliste, të cilët për gati 1 orë kanë kërkuar pezullimin e punimeve. Sipas tyre, po shkelet ligji dhe firma nuk është e pajisur me lejen mjedisore. “Kërkojmë të ndalohen menjëherë punimet. Ministria e Transporteve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve duhet të japin argumente të forta, se pse kanë dhënë leje për nisjen e punimeve pa pasur akoma një projekt në dorë. Kërkojmë nga Ministria e Mjedisit të marrë rolin që i takon, të influencojë për ndalimin e punimeve deri në marrjen e lejes mjedisore”, thanë përfaqësuesit e studentëve. Kreu i Ministrisë së Mjedisit, Fatmir Mediu, u shpreh lidhur me këtë çështje se po shqyrtohet i gjithë dokumentacioni. Vetëm një javë më parë në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi për shpronësimin e truallit të Kopshtit Botanik ku do të kalojë Unaza e Madhe.
Projekti që prek Kopshtin

Në mars, kur nisi faza e parë e punimeve, banorët dhe pronarët e tokës kërkuan kompesim nga qeveria. Fadromat kësaj here kanë zbritur më poshtë dhe puna ka rinisur vetëm në pjesën brenda Kopshtit Botanik, e cila është në pronësi të Universitetit të Tiranës. Sipas projektit, segmenti i këtij projekti që prek Kopshtin Botanik, është ai që fillon nga Komuna e Parisit deri në rrugën e re Tiranë-Elbasan, kurse sipërfaqja që kalon në favor të këtij projekti, është 9 mijë e 263 metra katrorë. Është vënë në dispozicion një shumë parash prej 200 mijë lekësh, në mënyrë që të mbulohen shpenzimet operative për zhvendosjen e vlerave të florës. Do të jetë buxheti i Ministrisë së Transporteve ai që do të bëjë transferimin për llogari të Kopshtit Botanik. Nga ana tjetër, Drejtoria e Rrugëve duhet të marrë gjithë masat e nevojshme për zbatimin e projektit dhe vijimin e punimeve për ndërtimin e Unazës së Madhe. Ndërkohë, në deklaratën për mediat të bërë nga shoqata ambientaliste, EDEN, veprimet me projektin e Unazës së Madhe janë të dyshimta. Ata akuzojnë Ministrinë e Transporteve, qeverinë dhe Universitetin e Tiranës për mungesë transparence. Po kështu, kërkojnë që të jepen shpjegime për buxhetin e parashikuar në këtë projekt. “Buxheti i projektit ende nuk është i njohur. Nuk dihet nëse ky projekt ka apo jo mundësitë financiare për t’u përfunduar. Pyetja mbi koston dhe sigurimin e fondeve për këtë projekt ka qenë pjesë e një prej letrave tona pa përgjigje, drejtuar MPPT-se”, thuhet në deklaratën për mediat të shoqatës ambientaliste, EDEN. Sipas përfaqësuesve të saj, mungesa e lejes mjedisore është një tjetër shkelje që po bëhet për të vënë në jetë ndërtimin e këtij projekti. “Në atë zonë nuk duhet dhënë leje mjedisore. Ky nuk është një mendim teknik, por mendoj se aty duhet parë tërësisht ky projekt, sepse vlerat e Kopshtit Botanik janë shumë të mëdha”, janë shprehur ambientalistët.
10 metra
nga hyrja e Kopshtit Botanik janë vendosur sinorët që përcaktojnë se ku do të kalojë Unaza e Madhe. Ministria e Transporteve dhe Bashkia e Tiranës kanë pasur më herët përplasje të njëpasnjëshme për këtë projekt.
5.5 kilometra është gjatësia e Unazës së Madhe. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.
Mediu: Pa leje mjedisi, punimet pezullohen
Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, deklaroi dje se po kryhet verifikimi i dokumentacionit për pajisjen me leje mjedisore të firmës që po kryen punimet tek Kopshti Botanik. Sipas tij, nëse subjektet nuk kanë leje, aktiviteti do të pezullohet. “Kushdo qoftë, nuk ka autoritet që të veprojë pa leje mjedisore. Nëse nuk ka leje mjedisore, do të vendosen sanksione, si për çdo aktivitet tjetër”, tha ministri Mediu. Ndërtimi i Unazës së Madhe ka shkaktuar shume polemika. Minimalisht, pajisja me leje mjedisore shtrëngon kompaninë zbatuese të projektit të mbjellë diku tjetër të gjitha pemët që do të dëmtohen gjatë ndërtimit të rrugës. Pajisja me leje mjedisore është një kusht i përcaktuar me ligj. Muaj më parë, i njëjti problem u has me firmën që po zbatonte punimet në sheshin “Skënderbej”
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











