
Impakt disa herë më të rëndë në mjedis, sesa vetëm dëmtim i Kopshtit Botanik. Përgjatë 5.5 kilometrave ku do të ndërtohet segmenti i Unazës së Madhe të Tiranës, zonat ku kostoja do të jetë jo e vogël në këtë drejtim janë disa.Ambientalistët kërkojnë të rishihet projekti, pasi në të nuk janë përfshirë mjaft komponentë të rëndësishëm që shërbejnë për të ditur impaktin e saktë mjedisor. Sipas tyre, në fazën aktuale ekziston vetëm një projekt teknik i përfunduar nga Ministria e Transporteve dhe Drejtoria e Rrugëve. “Mungon një studim për ndotjen akustike dhe atë të ajrit, të shkaktuar qoftë nga punimet, qoftë nga automjetet që do të qarkullojnë në këtë zonë pas ndërtimit”, thanë dje gjatë një takimi të mbajtur në Ministrinë e Mjedisit përfaqësuesit e ambientalistëve . Në bashkëpunim me ekspertë të tjerë, është përgatitur analiza mjedisore me rekomandimet për të ulur efektet. Sa i përket pjesës së bimësisë që do të shkatërrohet nga punimet për ndërtimin e Unazës, ambientalistët sugjerojnë që kompensimi nga firmat mund të kryhet në Dajt, pranë zonës se Liqenit, por edhe brenda ose jashtë Kopshtit Botanik. Sipërfaqen e këtij të fundit projekti e prek në masën 6%. Bëhet fjalë për 1 hektar në pjesën dekorative në hyrje të Kopshtit.
Mungesa e studimeve
Sipas ambientalistëve, mungon studimi gjeo-teknik dhe ai hidro-gjeologjik. “Edhe nëse ka të tillë, ne nuk i kemi parë. Ata duhet patjetër të përfshihen në projekt bashkë me një studim të detajuar për florën që dëmtohet”, thanë ata. Gjatë prezantimit të projektit, specialistët e Ministrisë së Transporteve dhe drejtorive të rrugëve pranuan mungesën e këtyre studimeve. Ata po ashtu sqaruan detajet e ndërtimit të këtij segmenti. Unaza e Madhe do të ketë 2 mbikalime, 2 nënkalime për automjetet dhe 3 nënkalime për këmbësorët, si dhe disa rreth-rrotullime, një prej të cilave pranë Digës së Liqenit. Mbikalimi i parë do të jetë në rrugën ekzistuese që zbret nga Sauku i vjetër deri te Liqeni artificial. Mbikalimi i dytë do të jetë në mes të fshatit Sauk i Vjetër, ku është aktualisht dhe rrugë funksionale. “Është parashikuar edhe një shëtitore në vazhdim të shëtitores mbi digë, e cila do të vazhdojë në krah të Unazës përgjatë gjithë gjatësisë, duke u lidhur me pjesën e rrugës përgjatë liqenit”, sqaruan specialistët. Por, ambientalistët e quajtën të papërshtatshëm ndërtimin e saj, pasi qytetarëve do t’u duhet të ecin krah një aksi rrugor ku kalojnë dhjetëra automjete dhe ku shpejtësia e lejuar është 80 km në orë. “Ne i kemi dërguar Ministrisë së Transporteve rekomandimet tona. Është një analizë mjedisore që bëhet në vazhdën e të tjerave në këto 2 vitet e fundit, që pasi është prezantuar projekti, për të mbrojtur këtë zonë”, u shprehën ambientalistët. Ministria e Mjedisit ka deklaruar se pa pasur të dhëna të sakta për impaktin që do të ketë në mjedis ndërtimi i këtij aksi, nuk do të lejohet vazhdimi i punimeve. Ato janë aktualisht të pezulluara, pasi firmat nuk ishin të pajisura me lejen mjedisore.
5.5 Kilometra
është gjatësia e Unazës së Madhe. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.
Pronarët
Qeveria do të japë rreth 5.5 milionë dollarë për shpronësimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe. Vendimi u mor një javë më parë. “Pronarët që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse për sipërfaqen truall 26 864 m2, me vlerë 229 078 496 lekë, objekte me vlerë 293 519 021 lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 522 597 517 lekësh”, thuhet në vendimin e qeverisë. Shpronësimi do të fillojë më 15 qershor dhe do të përfundojë më 15 nëntor të këtij viti.
Kopshti
Segmenti i projektit që prek Kopshtin Botanik është ai që fillon nga Komuna e Parisit deri në rrugën e re Tiranë-Elbasan, Sipërfaqja që kalon në favor të këtij projekti është 9 mijë e 263 metra katrorë. Është vënë në dispozicion një shumë parash prej 200 mijë lekësh, në mënyrë që të mbulohen shpenzimet operative për zhvendosjen e vlerave të florës. Do të jetë buxheti i Ministrisë së Transporteve ai që do të bëjë transferimin për llogari të Kopshtit Botanik.
Pezullimi i punimeve
Ministria e Mjedisit pezulloi punimet për ndërtimin e Unazës së Madhe. Ky vendim u mor pasi u verifikua se dy firmat që po merreshin me zbatimin e projektit, nuk ishin të pajisura me leje mjedisore. Kreu i Mjedisit, Fatmir Mediu, ka deklaruar se rinisja e tyre nuk do të lejohet derisa të shihet impakti në mjedis dhe të kryhen të gjitha procedurat sipas ligjit.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











