
TIRANE – Inspektorati Kombëtar Ndërtimor ndeshi dje në kundërshtimin e banorëve gjatë aksionit për shembjen e banesave ekzistuese në zonën ku kalon gjurma e Unazës së Madhe të Tiranës. Ditën e djeshme, rreth orës 12:00, aksioni për prishjen e shtëpive ka përfunduar ne konfrontime fizike mes banorëve të Saukut te vjetër dhe Policisë së Shtetit. Uniformat blu ishin thirrur në mbështetje të Inspektoratit Ndërtimor, për të qenë të gatshme në raste incidentesh gjatë shembjes së banesave ekzistuese, ndërkohë që pas veprimeve për shkatërrimin e shtëpive në këtë zonë, banorët kanë kundërshtuar aksionin. Ndonëse për disa orë ata i kanë bërë barrikadë njerëzore mjeteve që po shembnin godinat, banorët kanë thënë se nuk janë kundër ndërtimit të unazës. Ata kanë pretenduar se askush nuk ka shkuar më parë për t’u fotografuar banesat dhe për t’i vlerësuar ato, në mënyrë që më pas t’u sigurohet strehim dhe dëmshpërblim. Banorët kanë marrë kontakt dje me përfaqësues të Inspektoratit dhe u kanë thënë se disponojnë të gjithë dokumentacionin ligjor për pronësinë e banesave të tyre. Dje, në orët e pasdrekës është njoftuar fillimisht se policia kishte shoqëruar në komisariat disa nga banorët që kundërshtuan aksionin. Por më pas, burime të policisë së rendit kanë thënë se çështja ishte sqaruar në vendin e ngjarjes dhe, për rrjedhojë, është shmangur shoqërimi i personave në komisariat. Pak orë pas ngjarjeve të ndodhura në Sauk të Vjetër, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar reagoi me anë të një deklarate për median. Inspektorati pohon se në zbatim të detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara në ligjin nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, ka kryer procedurat ligjore për prishjen e objekteve që preken nga ndërtimi i Unazës së Re të qytetit të Tiranës në zonën e Liqenit Artificial. Sipas Inspektoratit, aksioni për prishjen e 29 objekteve ndodhet tashmë në fazën e fundit, ku po finalizohet aktualisht me shembjen e 14 objekteve të mbetura në zonën e ashtuquajtur Sauk i Vjetër. Inspektorati thekson se në bazë të Urdhrit të Kryeinspektorit Nr.121, datë 5 gusht 2011, është bërë ekzekutimi i vendimeve për prishjen e 29 objekteve, me qëllim lirimin e sheshit të punës për zbatimin e projektit të ndërtimit të këtij segmenti rrugor, nga ndërtimet pa leje dhe nga objekte të cilat janë pasqyruar në VKM Nr.408, datë 08.06.2011 për shpronësimet në këtë segment rrugor. Në mbështetje të ligjit “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private për interes publik”, Këshilli i Ministrave ka vendosur shpronësimin e pronarëve të pasurive së paluajtshme që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor, Unaza e Madhe e Tiranës. Me këtë deklaratë, Inspektorati thekson se pronarët e banesave dhe toklave që preken prej Unazës së Re në Tiranë do të shpronësohen sipas vendimit të qeverisë. Një prej pronarëve të banesave tha dje se dy ditë më parë ka marrë një letër pa vulë, në të cilën kërkohet të dalë nga banesa, pasi ajo do të shembej. Ndërkohë që banorët e zonës, kryesisht djem të rinj, janë përleshur me policinë në një nga rrugicat e zonës ku po ndodhte shembja e disa 2-katësheve. Drejtori i Inspektoratit ka pohuar se banorët do të kompensohen, por ata duhet të ndjekin procedurat dhe të shkojnë pas dokumenteve. tr.so
29 objekte
preken nga gjurma e Unazës së Madhe të Tiranës në Sauk të Vjetër. Disa prej tyre janë shembur, ndërkohë që ditën e djeshme ka nisur faza tjetër për shembjen e 14 banesave të mbetura ende pa u shembur. Inspektorati i Ndërtimit thekson se tashmë pronar i tokës në zonë është Drejtoria e Rrugëve











