Unaza e madhe, do të prishen 29 objekte

Aug 16, 2011 | 10:41

Në ditën e dytë të aksionit, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka shembur dy ndërtesa të tjera te Liqeni Artificial, me qëllim lirimin e sheshit për Unazën e Madhe. Sipas INUK, janë parashikuar të prishen 29 objekte, me qëllim që të krijohen hapësirat e duhura për ndërtimin e Unazës së Madhe. “Janë 29 objekte vetëm për segmentin nga Komuna e Parisit deri te Rruga e Elbasanit. Janë të madhësive të ndryshme, objekte 3, 4 dhe 5 kate, këtu ka lokale, shtëpi banimi. Të gjitha këto do të ekzekutohen në mënyrë që t’i hapet rruga këtij investimi”, u shpreh Alban Isteri, zv.kryeinspektor i INUK. Aktualisht aksioni po vazhdon me prishjen e dy vilave trekatëshe në këtë zonë. Objektet që do të prishen ishin në proces legalizimi dhe pronarët e tyre janë kompensuar sipas ligjit në fuqi.”Pjesa dërrmuese e tyre janë në proces legalizimi, por ka edhe pa dokumente. Janë bërë të gjitha procedurat ligjore që t’i hapet rruga këtij investimi. Këshilli i Ministrave ka nxjerrë një vendim në të cilin e sqaron shumë qartë se të gjitha objektet që janë në proces legalizimi, ose kanë hipotekë apo dokumente të rregullta, do të shpronësohen. Deri tani janë prishur 15 objekte”, shtoi Isteri. Kjo është faza e parë e projektit për ndërtimin e Unazës së re të Tiranës, ndërkohë që Inspektorati po verifikon terrenin për të përcaktuar dhe numrin e saktë të ndërtimeve me ose pa leje të vendosura në gjurmët e Unazës dhe që duhen shembur.

© Panorama.al

Te lidhura