Ndërsa punimet për ndërtimin e Unazës së Madhe vijojnë të jenë të pezulluara, qeveria do të japë rreth 5.5 milionë dollarë për shpronësimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i këtij segmenti rrugor. Vendimi u mor dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ky fond do të ndahet për shpronësimin e truallit dhe banesave “Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, për sipërfaqen truall 26 864m2, me vlerë 229 078 496 (dyqind e njëzet e nëntë milionë e shtatëdhjetë e tetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë, objekte me vlerë 293 519 021 lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 522 597 517 lekësh”, thuhet në vendimin e qeverisë. Shpronësimi do të fillojë më 15 qershor dhe do të përfundojë më 15 nëntor të këtij viti. “Pronarët e pasurive, të ndodhura në zonën kadastrale 8270, për të cilët është bërë shënimi ‘Konfirmuar nga ZVRPP-ja’, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve”, saktësohet në të. Për pasuritë e ndodhura në zonën kadastrale 8280, është bërë shënimi “Rikonfirmim”, pasi kjo zonë është në procesin e futjes në sistem. Pronarët e pasurive të ndodhura në këtë zonë, të likuidohen për efekt shpronësimi, pasi të përfundojë procesi i futjes së zonës në sistem dhe në bazë të dokumentacionit të rifreskuar që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, duhet të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale.











