Publiku ishte mësuar ta shihte të dielave të sezonit të kaluar si opinioniste në panelin e “E diell” në “Top Channel”, rubrikë që moderohej nga Alban Dudushi. E nga kjo foto që po botojmë, mësojmë se mes tyre ekziston më shumë se një marrëdhënie pune, përderisa Ulpiana së bashku me bashkëshortin e saj kosovar janë me Alban Dudushin duke u argëtuar në një ambient shtëpie. Ndërkohë që publiku e ka ndjekur si opinioniste me Dudushin, tani që shfaqet si moderatore në “Pasdite në TCH”, si një femër me stil, nxit kuriozitetin për të ditur për jetën e saj jashtë ekranit. Shumë pak e dinë që ajo është e martuar, martesë që e ka bërë në Kosovë, pasi atje ka zhvilluar edhe karrierën e saj. Bashkëshorti është nga Prishtina dhe quhet Ardian Lama, të cilin mund ta shihni në këto foto të tyre. Ndërsa në këtë eksperiencë të re televizive me “Pasdite në Top Channel”, Ulpiana do të sfidojë Rudina Magjistarin me të njëjtin format në TV “Klan”. Por, mësojmë se nuk bëhet fjalë për dy rivale, sepse në jetën e tyre ato janë dy mikesha, siç shihet dhe në këtë foto. Ulpiana, e njohur si publiciste jo vetëm në Kosovë,
zëvendësoi Lira Burgijan në këtë format televiziv, që vjen me tema serioze këtë sezon, dhe me minutazh të trefishuar. Le të shohim se sa sukses do të ketë Ulpiana në prezantimin e këtij programi, përballë personazheve VIP dhe specialistëve të fushave të ndryshme, që do të ketë të ftuar në studio. Ajo njihet edhe si sociologe e politologe, përveç eksperiencave të saj si gazetare, redaktore e producente programesh, ndërkohë që ka qenë e angazhuar si zëdhënëse dhe këshilltare politike gjatë kohës kur në Kosovë ishte Kryeministër Agim Çeku. Fillimet e saj të punës me televizionin ajo i ka pasur në vitin 1996 si drejtuese dhe as.producente në TVSH dhe “Klan” në Tiranë, para se të zhvendosej në 1999-n si gazetare, producente dhe folëse lajmesh në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), ku krijoi dhe familjen e saj.











