Ushtria e Ukrainës ka thënë të enjten se e ka zmbrapsur një sulm rus në qytezën Kupiansk në verilindje të rajonit të Harkivit, duke i hedhur poshtë pretendimet e Moskës se ka fituar terren në qendrën e rëndësishme strategjike për transportim.
Ndërkohë, sulmet ruse kanë vazhduar të marrin jetë civilësh.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës tha në një komunikatë të enjten se forcat e saj e zmbrapsën sulmin, duke i shkaktuar humbje të mëdha materiale dhe në njerëz Rusisë.
Vitaly Ganchev, zyrtar rus, kishte thënë paraprakisht se forcat ruse kishin zënë pozicione në periferi të Kupianskut dhe se po çajnë përpara në verilindje dhe juglindje të qytezës.
“Informatat për pushtimin e vendbanimit Illinka dhe për zënien e pozicioneve nga trupat ruse në qytezën Kupiansk, janë të pavërteta”, tha Qendra për Komunikime Strategjike e Ushtrisë së Ukrainës të enjten.
“Shtabi i Përgjithshëm informon se dje ushtarët ukrainas ndaluan përparimin e armikut në Kupiansk, shkatërruan të gjitha pajisjet e tij të blinduara dhe eliminuan një pjesë të madhe të forcave të tij njerëzore”, thuhet në komunikatë.
Pretendimet ruse dhe ato ukrainase nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Forcat ruse kapën Kupianskun, një nyje hekurudhore me rëndësi strategjike, menjëherë pas fillimit të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska në shkurt 2022, por kjo qytezë u çlirua nga trupat ukrainase në një kundërofensivë të shpejtë në vjeshtën e po të njëjtit vit.
Në muajt e fundit, Rusia ka çarë përpara me një ofensivë në rajonin e Harkivit, derisa vazhdimisht po e godet Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, me sulme raketore dhe artilerie, duke shkaktuar viktima të shumta mes civilëve dhe duke dëmtuar infrastrukturën civile dhe atë energjetike.
Të enjten, ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Gennady Gatilov, tha se Kremlini është i hapur për bisedime për paqe, nëse administrata e re e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i inicion ato, dhe nëse merren parasysh “realitetet në terren”.
Në ditët e fundit, Rusia ka fituar t erren në afërsi të qytezës së dëmtuar rëndë, Kurahove, në rajonin e Donjeckut dhe po kërcënon me rrethimin e tij.
Mëngjesin e së enjtes, sistemet e mbrojtjes ajrore i rrëzuan 21 nga 59 dronët e lëshuar nga Rusia në Ukrainë, raportoi Forca Ajrore e Ukrainës.
Dy njerëz u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën gjatë 24 orëve të fundit në fshatin Shevchenko në Donjeck si pasojë e sulmeve ruse, raportoi zyra e prokurorit rajonal.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi dy dronë ukrainas të enjten, një mbi rajonin Kursk dhe një tjetër mbi rajonin Belgorod./REL/
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al