
Angli-Itali dhe Fra-ncë-Spanjë janë dy çerekfinalet e tjera të Europianit. Mbrëmë u kualifikuan edhe dy skuadrat e fundit, të cilat plotësuan edhe 4 çiftet. Franca kalon në çerekfinale, por transalpinët kanë marrë mbrëmë një leksion të vërtetë futbolli nga Suedia, e cila ishte e eliminuar matematikisht që para fillimit të kësaj sfide. Një 2-0 turpërues, i cili mban firmën e Ibrahimoviçit dhe të Larsonit. Pas një pjese të parë të dobët, e kondicionuar edhe nga vapa, në fraksionin e dytë të lojës, skuadra e teknikut Hamren merr “frenat” e lojës në dorë duke nderuar vetveten në ndeshjen e fundit në grup dhe për këtë europian. Nga ana tjetër, Ibra & CO u ka bërë një dhuratë të bukur “gjelave”, duke i detyruar që të përballen me spanjollët në çerekfinale. Në pjesën e parë skuadrat janë pak a shumë në të njëjtin nivel dhe loja zhvillohet kryesisht në mesfushë nën një ritëm relativisht të ulët. Rasti më i mirë është ai Toivonen, i cili pas një përgjumje të Meksesit gjuan, por vetëm traversë. Te Franca i vetmi që mundohet të bëjë diçka është Riberi me sllalomet e tij në krahun e majtë, por të pakonkretizuara më pas në zonë nga Benzema. Në 45 minutat e para Franca gjuajti vetëm një herë në portë, por Isakson neutralizon topin pa problem. Futja e Vilhelmson në pjesën e dytë i jep një ngjyrim tjetër sulmit të Suedisë. Ngacmimet e tij nuk janë veçse preludi i golit spektakolar të Ibras. Larson lëshon një top nga e djathta në zonë për Ibrahimoviç, i cili në gjysmëlartësi me të parën gjuan fort duke lënë të shtangur Loris. Gol i jashtëzakonshëm, ndoshta edhe më i bukuri i këtij europiani. Tekniku i bluve shikon problemet te skuadra e tij dhe bën disa zëvendësime, por mbrojtja e skandinavëve është një bunker i vërtetë i dirigjuar më së miri nga Mellberg. Blank hedh në fushë edhe Menez dhe Zhiru, por teksa pritej goli i “gjelave”, vjen dyfishimi nga suedezët: kros nga e djathta, Holmen në zonë gjuan fluturimthi dhe topi përplaset në traversë, por pas rikthimit në fushë është Larson që e dërgon lehtë-lehtë në rrjetë, 2-0 dhe gjithçka mbyllet aty. Fitorja e Suedisë ka ardhur si një dhuratë edhe për Anglinë, e cila mori vendin e parë në grup falë fitores me plot polemika ndaj Ukrainës. Pas një pjese të parë, me një dominim të lehtë nga ana e vendasve, në fillim të fraksionit të dytë të lojës një kros i Zherrad nuk do të ndalej si duhet nga portieri Piatov dhe aty nga pas Runi nuk do ta kishte të vështirë të shënonte. Befasohen vendasit, të cilët startojnë një seri sulmesh te porta e Hart, por pa saktësinë e duhur. Trajneri Blokhin hedh në fushë edhe Shevçenkon, të lënë fillimisht në stol për shkak dëmtimi dhe në këtë moment vjen edhe goli i barazimit i shënuar nga Deviç, por çuditërisht i pakonfirmuar nga arbitri. Topi kishte kaluar dukshëm vijën fatale të portës në momentin kur u hoq nga zona nga Terri. Arbitri vazhdoi lojën, por pamjet treguan se kishte bërë një gabim fatal në dëm të vendasve. Ky episod duket sikur ua preu këmbët ukrainasve, të cilët në minutat e fundit, edhe pse e mbajtën në presion portën e anglezëve, nuk ishin më të qartë për të barazuar dhe më pas për të kërkuar golin e fitores (Ukraina kualifikohej vetëm nëse fitonte me Anglinë).
Suedi-Francë 2-0
Shënues: Ibrahimoviç 54’, S.Larson 90’
Kartonë të verdhë: Svenson, Holmen/ Mekses
Gjyqtarë: Pedro Proenca/ B.Miranda dhe R.Santos (POR)
Spektatorë: 63.010
Suedia (4-2-3-1): Isakson, Grankvist, Mellberg, J.Olson, M.Olson, Svenson (Holmen 79’), Kallstrom, Larson, Ibrahimoviç, Bajrami (Vilhelmson 46’), Toivonen (Vernblum 78’). Trajner: Erik Hamren
Franca (4-1-2-3): Loris, Debushi, Rami, Mekses, Klishi, A.Diarra, M’Vila (Zhiru 83’), Nasri (Menez 77’), Ben Arfa (Malouda 59’), Benzema, Riberi. Trajner: Lorent BlankANALIZA E NDESHJES
Njeriu i ndeshjes – Zlatan Ibrahimoviç ishte edhe lojtari më i mirë i ndeshjes. Sulmuesi i Milanit dhe njëkohësisht kapiteni i Suedisë shënoi një gol spektakolar.
Më i dobëti – Filip Mekses. Natë për t’u harruar për kolegun e Ibras, te Milani.
Çelësi i përballjes – Skuadër kompakte dhe pa asnjë presion mbi vete, kjo edhe për shkak se ishin tashmë të eliminuar. Ishte ky pikërisht çelësi i suksesit të kësaj Suedie ndaj Francës.
Moviola – Në pjesën e parë janë dy kartonë të verdhë që arbitri nuk i nxjerr: Diarra bënë një faull taktik ndaj Toivonen që në minutën e dytë, ndërsa Kallstrom ndërhyn keqani ndaj Nasri, por në të dyja rastet arbitri vetëm akordon goditje dënimi.Angli-Ukrainë 1-0
Shënues: Runi 48’
Kartonë të verdhë: Zherard, A.Kol/ Timoshuk, Rakitski, Shevçenko
Gjyqtarë: Viktor Kasai/ G.Eros dhe G.Ring (HUN)
Spektatorë: 48.700
Anglia (4-4-1-1): Hart, Xhonson, Terri, Leskot, A.Kol, Milner (Ualkot 69’), Zherard, Parker, Joung, Runi (Çamberlein 87’), Uelbek (Kerroll 82’). Trajner: Roi Hoxhson
Ukraina (4-2-3-1): Pjatov, Gusev, Rakitski, Kasheridi, Selin, Jarmolenko, Timoshuk, Konopljanka, Garmash (Nazarenko 78), Milevski (Butko 77’), Deviç (Shevçenko 70’). Trajner: Oleg BlohinANALIZA E NDESHJES
Njeriu i ndeshjes – Uejn Runi u kthye nga skualifikimi dhe gjeti golin, por Anglia më shumë sesa atë, ka gjetur Xherrardin.
Më i dobëti – Nëse portieri Pjatov nuk do të kishte bërë atë gafë në momentin e golit, Ukraina pa dyshim që mund të kishte pasur një qetësi më të madhe për të kërkuar golin e barazimit.
Moviola – Gabimi i Kasait ishte ai që vendosi takimin e djeshëm, prandaj FIFA bën mirë që të shpejtojë procedurat për futjen e teknologjisë, sepse dje u vërtetua akoma më shumë se arbitri i zonës është një tjetër masë që nuk mund të bëjë asgjë kundrejt golave fantazmë.
Blank: S’fitohet kështu një Europian
Trajneri i Francës, Lorent Blank, ka qenë tepër i nervozuar me lojtarët e skuadrës së tij pas humbjes me Suedinë. Ai ka pohuar se edhe pse Franca është kualifikuar për më tej, duhet me patjetër të përmirësojë lojën e saj, pasi kështu nuk fiton dot europian. “U kualifikuam dhe ky realisht ishte edhe objektivi ynë primar, por kjo humbje djeg shumë. Nuk mund të vazhdojmë me këtë lojë dhe duhet të marrim menjëherë masat, pasi në të kundërt nuk fitojmë dot europian. Suedia fitoi ndaj nesh me meritë në të gjitha aspektet”, tha trajneri i Francës në përfundim të ndeshjes së djeshme.
Hoxhson: Do fitojmë në çerekfinale
Trajneri i Kombëtares së Anglisë do të përballet me Italinë në fazën finale. Ai është një njohës i mirë i Serisë A, ndërkohë që në të shkuarën ka drejtuar edhe klubin e Interit. Pyetjes së parë në konferencë për shtyp ai i është përgjigjur në gjuhën italiane: “Na pret një ndeshje shumë e vështirë në çerekfinale, por unë kam besim të plotë te skuadra ime. Askush nuk e kishte menduar se do ta fitonim grupin, por ia dolëm mbanë”. Më pas ai komplimentoi Ukrainën dhe Stiven Xherrardin: “I thashë Bllohinit që ata nuk merituan të humbnim, por futbolli është i tillë. Kanë një skuadër me të vërtetë të mirë”.
Blohin sulmon një gazetar dhe akuzon
Oleg Blohin nuk e ka pritur mirë humbjen ndaj Ukrainës dhe sidomos golin që e rregullt që iu mohua kur topi kaloi vijën fatale. Kur pritej të fliste para medias, ai u kap me një gazetar, duke i thënë: “Eja ta sqarojmë jashtë, si burrat. Ju mund të shkruani çfarë të doni në gazetë, por jo gjëra të kota. Nuk mund t’i mohoni ato gjëra që i kanë parë të gjithë dhe nuk mund të akuzoni pa pasur fakte. I respektoj, por kështu nuk vazhdohet”. Një moment tensionues, por që gjithsesi nuk e anuloi konferencën për shtyp. “Nuk ia vlen të merrem me arbitrimin, por e kam të pamundur t’i evidentoj gabimet e tyre. Më duket e absurde që pesë arbitra, të cilët paguhen për të gjykuar një ndeshje kaq të rëndësishme, nuk e panë që topi kaloi 50 centimetra vijën fatale”.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











