Samir Ujkani është në qiellin e shtatë, pas pritjeve vendimtare që bëri në triumfin e djeshëm kundër Interit. Të luash në një skuadër si Novara e të mundësh nënkampionët e Italisë në “San Siro” të ndodh shumë rrallë, dhe portieri i Kombëtares shqiptare e di fort mirë këtë. “Ishte një fitore e merituar nga ana jonë. Vrapuam shumë, ishim më të disiplinuar në fushë dhe patëm edhe pak fat. Por, ama nuk vodhëm asgjë. Madje, i mundëm me 10 lojtarë. Ishte një fitore e merituar, por e papritur. E papritur sepse luanim jashtë fushës sonë, luanim ndaj një skuadre shumë të madhe dhe vinim me një moral të rënë përtokë, pas shumë humbjeve. Por, ishte një injeksion adrenaline dhe vetëbesimi. Jam shumë i lumtur”, ka thënë Ujkani për “Panorama Sport”.











