Uji i puseve është kërcënim serioz për shpërthimin e epidemive. Specialistët e Shëndetit Publik sugjerojnë mbylljen ose klorinimin e këtyre puseve, të cilat janë të ndotura me baktere. Bëhet fjalë jo vetëm për zonat rurale, por edhe puse në zonat periferike të Tiranës. “Ndërtimet kanë arritur deri në një perimetër shumë të ngushtë, për sa i përket puseve, duke pasur parasysh se këto ndërtime janë me gropa septike, pa kanalizime, dhe detyrimisht ky ujë vazhdon të paraqes ndotje. E përsëris se ky ujë nuk garanton të ardhme”, thonë specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik. Po kështu, këshillojnë të mos përdoret për t’u pirë uji i depozitave familjare, pasi, jo në pak raste, edhe vetë banorët kanë kryer analizat e ujit e u ka rezultuar i ndotur. “Qytetarët të pastrojnë depozitat, pasi gjatë gjithë këtij sezoni epidemitë nga uji i pijshëm shpërthejnë mjaft lehtësisht. Duhet kujdes”, thonë specialistët.











