Uji i pijshëm, gushti shuan etjen e 3 mijë bizneseve në plazh

Jun 28, 2012 | 14:52

Punimet për ujësjellësin në zonën e plazhit

DURRES/ Kreu i Ujësjellësit: Qyteti furnizohet 24 orë.

Drejt përfundimit projekti 100-milionësh.

Këtë sezon veror mungesa e ujit të pijshëm nuk do të ndihet në asnjë lagje të qytetit të Durrësit. Ky është premtimi i drejtorit të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, Doklead Ademi. Në muajt korrik dhe gusht, në zonën turistike të plazhit, numri i pushuesve rritet së tepërmi e kjo shoqërohet në mënyrë të ndjeshme me shtimin e kërkesës për ujë të pijshëm. Aktualisht zona e plazhit furnizohet 4 orë në ditë me ujë të pijshëm. Sipas drejtorit Ademi, kjo është e mjaftueshme për të përballuar nevojat e qytetarëve dhe pushuesve, pasi për momentin shërbejnë edhe depozitat. Por ai theksoi se në fillim të muajit gusht pritet të marrë fund projekti me vlerë 100 milionë lekë, i cili do të garantojë furnizim 20 orë në ditë për 3 mijë biznese dhe konsumatorë familjarë në këtë zonë.
Z.Ademi, ndodhemi në pikun e verës dhe nevoja për ujë të pijshëm është shumë e madhe. Si paraqitet situata në qytetin e Durrësit?
Deri më tani, situatën e kemi pasur nën kontroll dhe nuk kemi  probleme. Ne si ndërmarrje kemi marrë të gjitha masat që këtë verë të mos ndihet mungesa e ujit të pijshëm në asnjë lagje të Durrësit. Fatmirësisht, deri më tani nuk kemi pasur as probleme teknike dhe kësisoj gjithçka është në rregull. Aktualisht të gjitha lagjet e qytetit furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm. Siç dihet, në zonën e plazhit popullsia tre-katërfishohet e, për pasojë, për të përballuar kërkesën e lartë të pushuesve për ujë të pijshëm, kemi menduar që kjo zonë të furnizohet në mënyrë më të rregullt, 4 orë në ditë. Ndërkohë e njëjta situatë paraqitet edhe në lagjet e tjera të qytetit.
Gjithsesi, disa lagje të qytetit si Lagjja 8, 14 dhe 17 ankohen për mungesën e ujit…
Në fakt, e vërteta është që në këto zona jemi duke ndërhyrë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës dhe, për shkak të punimeve, ka pasur veçse një ndryshim orari.
Çfarë po bëhet me dy projektet, atë te Përroi i Agait dhe atij të plazhit?
Projekti tek Përroi i Agait përfundoi fundjavën e kaluar dhe është vënë në funksion të plotë të banorëve. Aty është kryer një investim shumë cilësor, që ka zgjidhur përgjithmonë problemin për 350 subjekte, të cilat tashmë kanë 24 orë ujë pa ndërprerje. Kurse për sa i përket investimit tjetër që ne po kryejmë, atij në zonën e plazhit, mund të them se gjithçka po ecën sipas planit dhe ndodhemi në fazën finale të projektit. Aktualisht jemi në punë e sipër dhe, sipas parashikimeve, në fillim të muajit gusht ky projekt do të ketë përfunduar. Me përfundimin e këtij projekti që kushtoi 100 milionë lekë, 3 mijë subjekte private dhe shtetërore do të kenë ujë 20 orë në ditë.
Disa kohë më parë, rrjeti qendror që vjen nga Fushë-Kuqa në depot e Durrësit është dëmtuar shpeshherë; Vijon e njëjta situatë?
Jo, tashmë gjithçka është në rregull dhe nuk ka pasur probleme të tilla. Rrjeti kontrollohet shpeshherë dhe, pavarësisht se është i vjetër, mundohemi ta mbajmë në gjendje pune.
Është diskutuar që kjo drejtori të kalojë në varësi të Bashkisë, çfarë po bëhet, ku kanë ngecur negociatat mes palëve?
Në fakt, nuk kemi mundur dot as të negociojmë më Bashkinë e Durrësit. Ajo është shprehur qartë se nuk dëshiron të na bëjë pjesë të vetën. Kushtet që ata kërkojnë, nuk mund të plotësohen dhe kështu që nuk besoj se ka për të ndodhur ndonjëherë që të bëhemi pjesë e tyre.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura