Ujësjellësi: Paguani faturat pa kamatëvonesë deri më 14 prill

Mar 31, 2012 | 13:29

Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë, Sahit Dollapi

Drejtori i UKT, Tiranë: Kush nuk paguan, do të ketë ndërprerje të ujit.

Qytetarët që nuk kanë paguar faturat e ujit, mund ta bëjnë pagesën deri në datën 14 prill, pa përfshirë kamatëvonesat, ndërsa pas kësaj date Ujësjellësi do të llogaritë edhe pagesën e kësaj kostoje.
Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë, Sahit Dollapi, gjatë një inspektimi në kryeqytet ditën e djeshme, bëri të ditura edhe detajet si përsa i përket vendimit të UKT për të lehtësuar qytetarët, ashtu dhe për borxhin që institucionet i kanë. Në deklaratën e tij, kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve u shpreh se institucionet shtetërore kanë një sërë detyrimesh të palikuiuduara prej kohësh, të cilat arrijnë në vlerë 1.8 milionë dollarë. Të ndara në institucione lokale apo qendrore, duket se rekordin e borxhit e mbajnë të dytat. Sipas shifrave të UKT, janë 13 komuna dhe bashki në territorin e rrethit të Tiranës që kanë një borxh të bartur, i cili arrin në 500 mijë dollarë, ndërkohë që pjesën tjetër të borxhit prej 1.3 milionë dollarësh e kanë institucione të tjera buxhetore dhe jobuxhetore. Dollapi u bëri thirrje dje si qytetarëve, subjekteve private apo institucioneve shtetërore që të paguajnë borxhet që kanë ndaj Ujësjellësit, në të kundërt do të merren masa deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë. Kjo nuk është hera e parë që Ujësjellës-Kanalizime del dhe bën thirrje për shlyerje të borxhit, ndërkohë që peshën më të madhe të tij e kanë mbajtur institucione si Ministria e Shëndetësisë në qendrat e saj rajonale, apo Ministria e Arsimit nga mospagesa e faturave të energjisë në disa shkolla në të gjithë vendin. Lidhur me qytetarët, drejtori i UKT, Sahit Dollapi, u shpreh se data 14 prill do të jetë data e fundit e tolerimit për të paguar faturat pa asnjë detyrim shtesë që vjen si efekt i vonesës në pagesa.

Naço: Ja si do trajtohen punonjësit e HEC-eve
Privatizimi i hidrocentraleve Bistrica 1 dhe Bistrica 2 së bashku me Hidrocentralin e Lanabregasit, janë bërë pjesë e kërkesave të Federatës Sindikale e Industrisë së Shqipërisë. Kjo e fundit, në një peticion dërguar ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço, ka kërkuar të dijë lidhur me përfitim që do të kenë punonjësit apo pronarët. Në përgjigjen e Naços thuhet se privatizimi 100 për qind nuk ka parashikuar aksione për punëtorët dhe pronarët, ndërkohë që këta të fundit do të trajtohen sipas ligjeve në fuqi.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura