BERAT – Drejtoria e Ujësjellësit vendos matës elektronikë për zbulimin e vjedhjes së ujit të pijshëm. Për të ndalur abuzimet në rrjetin e shpërndarjes së ujit, kjo drejtori ka marrë masat për zbuluar vendet ku ndërhyhet. Këtë fakt e bën të ditur drejtori Fatmir Shehu. Sipas tij, vendosja e matësve elektronikë është një metodë e re për gjetjen e zonave ku ndërhyhet në rrjetin e ujësjellësit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. “Edhe pse kemi ndërhyrë disa herë, duke ndëshkuar personat që kanë kryer ndërhyrje të paligjshme në rrjet, për lavazhe apo për vaditje tokash, këto nuk kanë qenë të efektshme. Duke vendosur matës elektronikë ne jemi në gjendje që të verifikojmë se kush e vjedh ujin padrejtësisht. Jemi në fillim të zbatimit të këtij projekti dhe mendojmë se do të arrijmë rezultate të mira dhe do ta kemi situatën nën kontroll”, u shpreh drejtori i Ujësjellësit. d.xh











