BERAT- Kryeministri Sali Berisha përuroi dje përfundimin e punimeve për rindërtimin e sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm në qytetet e Beratit dhe Kuçovës. Ky projekt, i bashkëfinancuar nga qeveria gjermane nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW Entwicklungsbank) me 11.2 milionë euro, do t’i sigurojë popullatës prej 120 000 banorësh, në zonat ku ky projekt shtrihet, një furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm, i cili përmbush të gjitha kriteret e një uji të pastër higjienikisht. “Shfrytëzoj rastin për të falënderuar KfW për punën e shkëlqyer dhe për angazhimin e tyre që po drejtojnë një proces, i cili ka për qëllim zgjidhjen përfundimtare të furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave në vendin tim. I jam mirënjohës gjithashtu Komisionit Europian pasi ranë dakord për të zgjedhur KfW si kompani drejtuese në këtë proces. Ky projekt për këtë rajon është i një rëndësie themelore. Ky vend është një vend i përjetshëm. Historia thotë se është 2500-vjeçar, por nëse kthehemi pas në kohë, do të gjejmë gjurmë 3000 vjet më të hershme. Thirrja ime për autoritetet vendore është kjo: Mënyra më e mirë për t’u shprehur mirënjohjen taksapagueseve gjermanë është të adoptojmë disiplinën dhe parametrat gjermane në menaxhimin e ujërave, dhe kjo është pa diskutim mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen ndaj tyre”, tha Berisha. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe ministri gjerman për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Neibel, i cili vlerësoi bashkëpunimin me Shqipërinë në vepra të tilla publike. d.xh











