
Ndodhi ajo që pritej lidhur me ndotjen e ujit të detit në bregdetin e Durrësit.Vendosja e filtrave mekanikë dhe dezinfektimi me anë të kimikateve në afërsi të derdhjes së kanaleve, është parë me shumë dyshim nga pushues, pronarë të hoteleve, por edhe specialistë të mjedisit. Në fakt, plazhi i Durrësit, nga Plepat e deri në Spille, vazhdon të jetë i ndotur, pasi filtrat nuk funksionojnë. Pohimi vjen nga drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit në qarkun e Durrësit, Ramazan Kalia, pas inspektimit të bërë ditët e fundit. Për situatën është vënë në dijeni Ministria e Mjedisit, Bashkia e Durrësit dhe komunat Rrashbull e Golem. Më shumë se 2 km vijë bregdetare dhe shumë e frekuentuar nga pushues është e ndotur nga ujërat e zeza, duke krijuar jo vetëm imazhin e keq për turizmin, por edhe duke u sjellë pushuesve probleme me higjienën e sëmundjet e lëkurës. Kalia bëri të qartë se do të penalizohen sipërmarrësit e investimit për të mbikëqyrur e sterilizuar ujin që rrjedh nga kanalet e mëdha drejt bregut të detit. “Sot, bregdeti, nga Plepat deri te Përroi i Agait, është dy e tri herë më i ndotur sesa e lejojnë normat, dhe kjo për shkak se asnjë nga 5 filtrat mekanikë të vënë në punë më 1 korrik nuk funksionon”, ka thënë Kalia. Filtrat në fillim të korrikut janë vendosur në kanalin e madh në Plepa, që derdhte sasi të mëdha fekalesh në det, te vendi i quajtur Konvaleshenca e Ministrisë së Brendshme, Përroi i Agait, pranë hotel “Pameba”, te rajoni policisë së Golemit dhe te kanali në pishat e buta në Golem. Për të shmangur ndotjen e detit nga fekalet, në pikën fundore të kanaleve janë vendosur prita me zhavorr e rrjetë. Pas këtij filtri, me anë të një tubacioni që përshkon kanalin dhe që është i shpuar në disa vende, pulson solucion kimik, që kryen funksionin e plotë të pastrimit, sterilitetit të ujit që rrjedh drejt detit. Produkti që del, pasi i nënshtrohet solucionit, është tërësisht i pastër dhe i garantuar, pa ngarkesë biologjike. Pikërisht ky proces nuk ka funksionuar, çka ka bërë që Agjencia e Mjedisit të inspektojë zonën. “Asnjë nga pesë filtrat mekanikë nuk është në gjendje pune dhe ne jemi detyruar të mbajmë procesverbalet për të proceduar më tej sipas ligjit”, ka thënë Kalia. Prej disa ditësh, ujërat e zeza në pesë pikat kryesore nga Plepat e Durrësit deri në Golem (ku qenë vendosur edhe depozitat me kimikatet e ndryshme), derdhen në det. Një numër i konsideruar pushuesish kanë ndërprerë pushimet në këtë pjesë të bregdetit, kurse pronarë të hoteleve, apartamenteve dhe restoranteve kanë nisur ankesat duke fajësuar qeverisjen vendore. Komunat e Rrashbullit dhe Golemit, si dhe Bashkia e Durrësit, deri tani nuk kanë marrë asnjë veprim konkret për të normalizuar gjendjen. Deri tani qeverisja vendore nuk ka dhënë asnjë arsye se si është e mundur që projekti nuk vijoi të zbatohej, ndërkohë që thuhet se ndërprerja nuk ka të bëjë me fondet, pasi ato janë dhënë.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ











